Manifest i të djathtës shqiptare (vazhdim)

Nga Nikola KEDHI

Pjesa IE: Pushteti pa autoritet legjitim dhe Shoqëria e Tërheqjes

Shqipëria sot nuk vuan nga mungesa e pushtetit.

Vuan nga mungesa e autoritetit legjitim

Pushtet ka kudo: në ligje, rregullore, kontrolle, taksa dhe ndëshkime.

Autoritet ka shumë pak: në institucione, në drejtësi, në administratë dhe në politikë.

Kjo ndarje nuk është rastësi. Është pasojë e një shteti që është zgjeruar pa u bërë më i drejtë, më i parashikueshëm apo më i besueshëm. Kur pushteti bëhet arbitrar, selektiv dhe personal, ai humbet autoritetin edhe nëse forcohet në letër.

Qytetari nuk i bindet më shtetit sepse e respekton.

I bindet sepse ka frikë, sepse është i varur, ose sepse nuk sheh alternativë.

Dhe sa herë që mundet, e shmang.

Këtu lind Shoqëria e Tërheqjes.

Shoqëria e Tërheqjes nuk është thjesht shoqëria që ikën.

Është shoqëria që heq dorë.

Heq dorë nga përballja.

Nga përgjegjësia publike.

Nga besimi se pjesëmarrja ka kuptim. E shtyre nga propaganda, nga represioni, nga baltosja. Kur thuhet të gjithë janë njëlloj, asgje nuk ndryshon, fajin e ka qeverisja e shkuar, angazhimi nuk do sjellë asgje, bëhet me qëllim që qytetarët të tërhiqen, ta braktisin arenën publike apo të vendimmarrjes dhe çdo gjë t’i lihet nje pakicë që më pas sundon mbi çdokënd. Kjo është drama më e madhe e Shqipërisë. Shoqëria e Tërheqjes është fundi i një kombi.

Në këtë shoqëri, neutraliteti shitet si urtësi, cinizmi si pjekuri dhe dorëzimi si realizëm. Njerëzit nuk rebelohen. Ata përshtaten. Nuk kërkojnë drejtësi. Kërkojnë rrugëdalje.

Nëse në shekuj kombi ynë ka rezistuar duke u mbajtur në disa themele që janë karakteristikë e kombit tonë, familja, prona, tradita, në shoqërinë e Tërheqjes nuk ka me vend as për to. Në fakt ato goditen të parat.

Ikja bëhet zgjedhje racionale jo sepse vendi nuk ka potencial, por sepse lidhja mes përpjekjes dhe shpërblimit është thyer. Kur shteti ndëshkon të ndershmin dhe toleron të fortin, kur rregullat ndryshojnë sipas interesit, kur ligji nuk është kufi i pushtetit, por mjet i tij, autoriteti zhduket dhe tërheqja bëhet normale.

Shoqëria e Tërheqjes është e rrezikshme sepse nuk shpërthen, por zbraz. Nuk shemb institucionet me dhunë, por i lë të kalben. Nuk ndalon politikën, por e kthen në teatër pa qytetarë. Pushteti nuk ka më nevojë të shtypë; mjafton të presë.

Kjo gjendje nuk zhbëhet me propagandë, as me thirrje boshe për optimizëm. Zhbëhet vetëm kur rikthehet autoriteti real dhe kuptimi i veprimit.

Autoriteti nuk imponohet. Ai fitohet.

Fitohet kur ligji zbatohet njësoj për të gjithë, kur shteti mban fjalën, kur pushteti njeh kufijtë e vet dhe kur qytetari trajtohet si i rritur, jo si klient apo subjekt.

Shoqëria e Tërheqjes fillon të zhbëhet kur qëndrimi bëhet sërish i arsyeshëm. Kur angazhimi ka pasojë. Kur përgjegjësia nuk duket më marrëzi, por dinjitet.

Një shtet i fortë nuk është ai që kontrollon më shumë.

Është ai që respektohet më shumë sepse garanton individin e familjen në qendër të shoqërisë.

Dhe një shoqëri nuk ringrihet nga ata që presin, por nga ata që refuzojnë të tërhiqen.

Këtu ndahet qartë e djathta shqiptare:

jo pushtet pa autoritet,

jo autoritet pa legjitimitet

jo shtet që prodhon tërheqje,

por rend që rikthen përgjegjësinë, respektin dhe qëndrimin.

About Redaksia

Check Also

Shkrimi i CNN/ Pse Ivanka Trump u largua nga politika dhe u shkëput nga fushata elektorale e babait të saj

“CNN” Ivanka Trump , gjatë gjithë jetës së saj ka punuar për babanë e saj, …