Ina Zhupa me operatorët turistikë në Vlorë: Bashkia po pengon punën e tyre

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa ka zhvilluar sot një takim me operatorët turistikë detarë në Vlorë.

Në një postim në rrjetet sociale, Zhupa shprehet se në këtë takim operatorët sollën dëshmi për një sërë problematikash serioze që lidhen sipas saj, drejtpërdrejt me keqmenaxhimin dhe mungesën e vullnetit nga ana e Bashkisë Vlorë

Ndër të tjera deputetja shton se kjo qasje nuk dëmton vetëm operatorët turistikë, por dëmton ekonominë e qytetit, sezonin turistik dhe imazhin e Vlorës si destinacion.

Reagimi i Ina Zhupës

Ajo që dëgjova nga operatorët turistikë detarë është një tablo shqetësuese e mënyrës se si pushteti lokal në Vlorë po trajton një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë së qytetit. Në vend që Bashkia të jetë në krah të sipërmarrësve dhe të lehtësojë aktivitetin e tyre, ajo është kthyer në pengesën kryesore për punën dhe investimet e tyre.

Operatorët sollën dëshmi konkrete, me raste dhe emra specifikë, për një sërë problematikash serioze që lidhen drejtpërdrejt me keqmenaxhimin dhe mungesën e vullnetit nga ana e Bashkisë Vlorë.

Ndër shqetësimet kryesore që u ngritën ishin:

* Mungesa e vendeve për ankorimin e anijeve turistike, ndërkohë që porti është kthyer praktikisht në një monopol që përjashton operatorët e tjerë.

* Mungesa e infrastrukturës bazë për mjetet turistike detare.

* Operatorë që vazhdojnë të përballen me procese gjyqësore dhe bllokim llogarish bankare për një taksë të padrejtë, të cilën vetë Bashkia e ka pranuar si të tillë duke e hequr me vendim të Këshillit Bashkiak. Megjithatë, në vend që të marrë një vendim për zerimin e gjobave dhe mbylljen e këtij absurdi administrativ, Bashkia vazhdon të apelojë edhe vendimet që operatorët kanë fituar në shkallën e parë.

* Në Vlorë mungon edhe një mjet për emergjencat në det, një situatë e papranueshme për një qytet bregdetar që pretendon të jetë destinacion turistik.

* Operatorët kërkojnë korridore portuale dhe mbështetje nga shteti, përfshirë subvencionimin e karburantit, ashtu siç ndodh në shumë vende turistike.

* Probleme të vazhdueshme me energjinë elektrike, furnizimin me ujë dhe mungesën e vendbazimeve për aktivitetin e tyre.

Akoma më shqetësuese është fakti që edhe operatorë që kanë marrë vendime ligjore nga institucionet përkatëse, si KKT, Agjencia Kombëtare e Bregdetit dhe ministritë përkatëse për stacion bazime të miratuara, përballen me refuzim për t’u zbatuar dhe pengesa të pajustifikuara nga Bashkia Vlorë.

Kjo qasje nuk dëmton vetëm operatorët turistikë; ajo dëmton ekonominë e qytetit, sezonin turistik dhe imazhin e Vlorës si destinacion.

Si deputete e qarkut dhe si kryetare e komisionit përgjegjës për turizmin, do t’i drejtohem me kërkesa zyrtare Bashkisë Vlorë për secilën nga këto problematika dhe do të kërkoj transparencë dhe përgjegjësi institucionale. Bashkia nuk mund të vazhdoj të jetë pengesë për sipërmarrjen dhe zhvillimin e turizmit.

Operatorët turistikë të Vlorës meritojnë të kenë kushtet dhe mbështetjen për të punuar normalisht dhe për të kontribuar në zhvillimin e qytetit.

About Redaksia

Check Also

Gazetari: Porti i ri i Durrësit do i jepej pronarëve ruso-grek, Rama u tërhoq pas presionit të SHBA

Gazetari Artan Hoxha deklaroi se projekti për zhvendosjen dhe transformimin e Portit të Durrësit po …