Zhupa: Qeveria po e përdor diasporën për propagandë, të reagojmë për shqiptarët e Maqedonisë

Deputetja e PD, Ina Zhupa ka lëshuar akuza të forta ndaj qeverisë për organizimin e Samitit të Diasporës, duke e cilësuar atë një ngjarje propagandistike dhe duke kritikuar injorimin e institucionit të parlamentit. Ajo i bëri thirrje klasës politike të bashkohet në një qëndrim zyrtar në mbështetje të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Zhupa vuri në dyshim përmbajtjen dhe pjesëmarrësit në samit, duke e quajtur atë “propagandistik”. Deputetja ngriti pyetje se përse eventi nuk nisi me një bilanc të tre samiteve të mëparshme. Vëmendje të veçantë i kushtoi pranisë së Taulant Ballës si folës, duke pyetur se me çfarë tagri ai ishte i pranishëm, përveçse si “drejtues politik i diasporës”.

Ina Zhupa: Kam ndjekur me vëmendje edhe prononcimet e deputetëve nga ana juaj, edhe prononcimet e deputetëve tanë, në lidhje me protestën e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut. Më vjen mirë që kemi reaguar të dyja palët, por kemi reaguar në mënyrë individuale, si deputetë apo si përfaqësues të elektoratit tonë.

Do të ishte në nderin dhe në detyrën e këtij kuvendi që të reagonte zyrtarisht dhe të dilte me një deklaratë të përbashkët në mbështetje të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut për të përdorur gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare. Që vjen që nga Marrëveshja e Ohrit, tek ligji i miratuar nga Maqedonia e Veriut, sepse nuk bëhet fjalë për një diskutim me karakter politik, por bëhet fjalë për një diskutim me karakter ligjor, me karakter kombëtar. Ju, samitin e diasporës e kishit titulluar Rrënjët të lartësojnë.

Rrënjët tona janë kudo, janë edhe në Maqedoninë e Veriut dhe është detyra e shtetit shqiptar që të kujdeset sa herë cënohen të drejtat atje. Mënyrën se si, zoti kryetar, e kishit organizuar samitin e diasporës, do t’ju ftoja me shumë sinqeritet, meqënse jeni duke diskutuar edhe rregulloren e kuvendit, që komisionit të turizmit dhe të kulturës, le t’ia hiqni diasporën, për aq kohë sa e keni injoruar totalisht kuvendin, për aq kohë sa qeveria nuk e pa të nevojshme që të përfshinte deputetët e kuvendit të Shqipërisë, komisionin parlamentar të diasporës, për të marrë pjesë, për të qenë pjesë e për të organizuar një samit i cili i shërbente realisht diasporës. Kur ky samit, zoti ministër, meqë jeni këtu, do të duhej të kishte filluar me çfarë u bë nga tre samitet e mëparshme. Kush ishin objektivat që arritën ata tre të mëparshmit dhe cilat janë objektivat e këtij të katërtit?

Po e kthyet në një samit propagandistik, ku unë për shembull nuk arrita dot ta kuptoj, mbasi ju kishit publikuar axhendën finale, si u gjend folës Taulant Balla dhe me ç’tagër ishte Taulant Balla atje, përveçse me tagrin e drejtuesit politik të diasporës. Se po të ishte si kryetar grupi, detyrimi ishte që të gjithë kryetarët e grupeve parlamentare të ishin ftuar atje. Ju çdo gjë e përdorni për politikë dhe për qëllime elektorale.

Por të paktën, kur vjen puna tek shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, le të bashkohemi, le të jetë detyrë e kryetarëve të grupeve për të bërë një deklaratë të përbashkët të Kuvendit të Shqipërisë.

About Redaksia

Check Also

Berisha: Parlamenti grek hoqi 11 imunitete për fondet e IPARD-it, kurse Rama i mbron dhe i merr në zyrë siç është Krifca

Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, Parlamenti grek hoqi 11 imunitete për fondet e …