Kryetari i PD, Sali Berisha, në fjalën e tij në protestën e 7-të kombëtare të opozitës në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ në Tiranë, ku mijëra qytetarë u mblodhën në shesh u shpreh se, kjo valë protestash është seriali më i fuqishëm i kryengritjes paqësore që Shqipëria ka njohur në 25 vitet e fundit, duke theksuar se opozita nuk është thjesht alternativë politike.’
Berisha tha se, sot ne mblidhemi këtu në këtë protestë madhështore si shpresa e vetme për shpëtimin e Shqipërisë nga narkoshteti i Edi Ramës, i bazuar në krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve.
Berisha: Të dashur qytetare dhe qytetarë, demokratë e demokratë, të nderuar deputetë dhe aleatë të PD, të dashur opozitare e opozitarë, shqiptare e shqiptarë në këtë shesh dhe kudo që ndodheni sonte, përshëndetjet e mia më të përzemërta për ju misionare dhe misionarë të pamposhtur të Shqipërisë.
Sot ne mblidhemi këtu jo thjesht si një opozitë në këmbë dhe kundër diktaturës autokratike me serialin më të fuqishëm të protestave, kryengritjes paqësore që Shqipëria ka njohur në 25 vitet e fundit.
Sot ne mblidhemi këtu jo vetëm si një alternativë e shkëlqyer politike.
Sot ne mblidhemi këtu në këtë protestë madhështore si shpresa e vetme për shpëtimin e Shqipërisë nga narkoshteti i Edi Ramës, i bazuar në krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve.
Që ne jemi shpresa e vetme për Shqipërinë, sot është më e qartë se kurrë për çdo shqiptar, për miqtë e Shqipërisë në botë, të cilët duan që ky vend të dalë sa më parë nga kjo lëngatë e keqe që po e shkreton dhe shkatërron trupin e saj.
Këtë e provuan pa dyshim seriali i fuqishëm i protestave më gjigante që ka njohur Shqipëria.
Në kryengritjen paqësore të kaluar, dhjetëra mijëra qytetarë guximtarë u përballën në rrugët dhe sheshet e Tiranës si të pamposhtur për orë të tëra, dhëmb për dhëmb me regjimin.
U përballën me ujin e helmuar, gazin lotsjellës, shkopinjtë dhe plumbat e gomës, por triumfuan.
Por që ne jemi shpresa e vetme për Shqipërinë u bë akoma më e qartë si drita e diellit të nesërmen e protestës tonë të kaluar.
Një protestë e thirrur nga njerëz të nderuar, nga shoqëria civile në mbrojtje të interesave të qytetarëve shqiptarë kundrejt rritjes së madhe të çmimit të naftës, në orën e thirrur u paraqitën vetëm dhjetëra qytetarë.
Absolutisht çdo qytetar, pavarësisht nga bindjet e tij, është prekur nga rritja e çmimit të naftës.
Po pse nuk pati pjesëmarrje në një protestë të thirrur nga shoqëria civile?
A ka pakënaqësi midis shqiptarëve?
Po, ka pakënaqësi dhe të madhe shumë.
A janë çmimet e naftës në Shqipëri më të lartat në Europë?
Po, ato janë ndër më të lartat në Europë dhe në botë.
A janë rrogat dhe pensionet e shqiptarëve më të ulëtat në rajon?
Po, ato janë më të ulëtat në rajonin tonë.
A është taksa e Ramës mbi litrin e naftës taksa më e lartë në botë?
Po, këtë askush nuk e do, por askush nuk e mohon.
Atëherë përgjigjja është ajo që opozita e ka ngritur në mënyrë të përsëritur vitet e fundit dhe që banalistët, kriptoramistët e fshehin nga ju.
E fshehin nga shqiptarët.
Shkaku i asaj proteste është frika, frika, të cilën ka ngulur gjer në palcë të shqiptarëve.
Njerëzit nga frika nuk guxuan të dalin në protesta për të mbrojtur interesat e tyre.
Edi Rama me sistemin e patronazhistëve, me presionin mbi punonjësit dhe familjet e tyre, me arrestimin e dhjetëra mijëra qytetarëve për faturat e dritave dhe ujit, me diferencimin politik të tipit të një pushtuesi, me propagandën e tij toksike që shpërndahet nga mediat kryesore të kontrolluara prej tij, ka instaluar njësoj si etërit e tij të mëparshëm frikën tek shqiptarët.
Duke i kërcënuar ata me vendin e punës, me falimentimin e biznesit, me falimentimin e fermave, shkurt, duke i kërcënuar ata me kafshatën e gojës.
Gazeta RD