Boçi: Durimi ka mbaruar, opozita nuk do të qëndrojë më duarkryq përballë dhunës!

Nënkryetari i PD, Luçiano Boçi deklaroi se opozita nuk do të qëndrojë më duarkryq përballë dhunës institucionale, duke theksuar se çdo akt agresiviteti ndaj saj do të marrë ‘përgjigjen e merituar’. Boçi bëri këto deklarata gjatë një interviste në emisionin ‘Edicioni i Pasdites’ në SYRI TV, me moderatorin Bled Marku.

Deputeti demokrat u shpreh se qasja e vetëpërmbajtjes ka arritur kufijtë e saj dhe se opozita duhet të kalojë në reagime proporcionale, si brenda ashtu edhe jashtë Kuvendit. ‘Mendoj që gandizmi nuk vlen. Koha e durimit ka mbaruar’, tha Boçi, duke shtuar se pritja për ndërhyrje të faktorit ndërkombëtar po vonon realizimin e qëllimeve të opozitës.

Boçi nuk kurseu as kritika ndaj forcave të rendit, duke i karakterizuar drejtuesit e policisë si persona pa vlera njerëzore dhe me lidhje me botën e krimit. Deputeti i PD-së paralajmëroi se strategjia e kryeministrit Edi Rama për të provokuar opozitën drejt akteve ekstreme do të kthehet kundër tij vetë. ‘Ai që shtyn dikë në aktin ekstrem është i pari që merr pasojën’, deklaroi Boçi.

‘Për mendimin tim, jo vetëm në cilësinë e deputetit, edhe në parametrin njerëzor, parametrin çka përfaqësoj si individ, por dhe politik, reagimi duhet të jetë proporcional. Nuk duhet të hezitojmë. Thashë, ka kurthe, ka forma të pista politika që të shtyn drejt tyre dhe t’i keqinterpreton.

Por unë mendoj që gandizmi nuk vlen. Mendoj që të presësh që do reagojnë ndërkombëtarët e famshëm, disa prej tyre, se disa janë në linjën e punës së drejtë, mendoj unë. Kjo e vonon realizimin e atyre qëllimeve që ka opozita. Unë mendoj që gjithçka duhet të jetë proporcionale, por kjo kërkon sakrificë, sigurisht, politike në radhë të parë.

Dhe mendoj që kjo lloj mënyre sjellje duhet të jetë proporcionale në kuvend, proporcionale dhe jashtë kuvendit. Nuk mund të kemi diferenca. Nuk mund të rrimë ne në pozicionin dhe të themi vazhdimisht na dhunojnë ne policia me servilët, me banditët, ne e dimë shumë mirë çfarë përbërje ka policia.

Njerëz me penalitete, njerëz që janë konsumatorë, shpërndarës, organizatorë të lëndëve narkotike. Njerëz pa ideal njerëzor, se s’kanë as dimension njerëzor. I dimë kush janë ata. Drejtuesit më së shumti.

Dhe ne nuk mund të ecim më dhe të themi që po na u hoqën dhe komisionet hetimore dhe duhet të vazhdojmë të bëjmë sikur s’ka ndodhur, po na i hoqën dhe mocionet me debat, bëjmë sikur s’na ka ndodhur.

Dhe të vazhdojmë të përpiqemi që të përcjellim mesazh në seanca, duke folur gjatë, duke mbajtur fjalët, nxjerrë në pah problemet në fakt që ka Shqipëria, se qytetari e ka të nevojshëm dhe këtë dimension. Ne e kemi testuar dhe opinionin dhe kur kemi bërë akte të forta, më shumë prevalon kjo pjesa që ne duhet të jemi në parlament dhe të mbajmë qëndrime dhe të realizojmë fjalën tonë në raport me problemet që kanë qytetarët.

Por, ky nuk është ekuilibër. Ne duhet të gjejmë ekuilibrin e duhur. Me reagime shumë të forta edhe brenda sallës së Kuvendit, edhe jashtë sallës së kuvendit. Është një portë, së cilës ne i kemi rënë, po është e shurdhët ajo. Në format tona të qeta, të vetëpërmbajtjes, edhe në momente të vështira, por unë them që koha e durimit ka mbaruar.

E di shumë mirë që dëshira e Ramës është të na shtyjë drejt akteve ekstreme. Por, ai që shtyn dikë në aktin ekstrem, është i pari që merr pasojën e aktit ekstrem dhe duhet t’i bëjë mirë llogaritë? Ne nuk jemi manekin aty, as brenda parlamentit, as jashtë parlamentit, kur na vendosin përballë njerëz të tillë siç ishin ata të djeshmit.

Tek e fundit, njerëz me mish, nerv dhe kocka jemi ne, sikurse të gjithë të tjerët. Dhe patjetër që mbi shpinë kemi atë përgjegjësinë politike, të cilën duhet ta mbajmë, por që të cilën duhet ta interpretojmë në përputhje me njeriun që ekziston brenda nesh. Thirrja e këtij njeriu brenda nesh është që çdo agresivitet duhet të marrë përgjigjen e merituar.

Çdo bllokim duhet të marrë përgjigjen e merituar. Çdo heqje e së drejtës duhet të marrë përgjigjen e merituar. Dhe ne duhet të angazhohemi për të dhënë këto përgjigje, për të kryer ato akte, të konsideruara dhe ekstreme, të cilat duket që janë të domosdoshme, të kërkuara nga njerëzit, ndoshta koha do i pjeki më shumë dhe momenti do jetë më oportun më vonë.

Por që unë mendoj që askush mos të rrijë me mendjen që kjo punë do mbesë në këto raporte, nivele, dikush që është në pushtet edhe sulmon opozitën dhe opozita që përpiqet pa asnjë lloj arme, thjesht me të drejtën e fjalës, që të arrijë qëllimet e saj jo për veten e vet, por për qytetarët, se tek e fundit ne kur dalim aty, le të, nuk dalim për të bërë thirrjen e radhës apo veprimin e radhës. Ik ti nga karrigia, se do vij unë. Jo, ne po flasim që të realizohen ato zgjedhje të lira, të ndershme, të cilat nuk janë bërë ndonjëherë në Shqipëri përgjatë këtyre 13 viteve’, u shpreh deputeti i PD, Luçiano Boçi në SYRI TV.

About Redaksia

Check Also

Zhupa-Ballës: Vendimet e gjykatës respektohen, ju nuk jeni mbi çdo pushtet!

Deputetja e PD, Ina Zhupa, ka reaguar ndaj deklaratave të kryetarit të grupit parlamentar të …