PYETJA E ZV.KRYETARES SË EPP WOMEN DHE DEPUTETES ALBANA VOKSHI PËR KOMITETIN E MINISTRAVE NË KËSHILLIN E EUROPËS
Zv. Kryetarja e EPP Women, njëkohësisht dhe deputetja e PD, Albana Vokshi, i është drejtuar Komitetit të Ministrave në Këshillin e Europës me një pyetje të fortë mbi gjendjen e demokracisë në Shqipëri, duke ngritur shqetësimin për një regres të qartë pas përfundimit të procesit të monitorimit.
Në pyetjen e saj, Vokshi i referohet raportit të V-Dem Institute, i cili e klasifikon Shqipërinë si autokraci elektorale. Sipas saj, vendi karakterizohet nga përqendrim i pushtetit, zhvillim zgjedhjesh në kushte “parti-shtet” dhe ndikim të krimit të organizuar. Ajo përmend gjithashtu mungesën e kontrollit parlamentar, korrupsionin sistemik dhe pengimin e llogaridhënies nga mazhoranca, duke përfshirë refuzimin për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë të akuzuar nga SPAK.
Vokshi kërkon nga Komiteti i Ministrave një vlerësim të qartë për përmbushjen e detyrimeve nga Shqipëria si vend anëtar, si dhe pyet nëse po shqyrtohen mekanizma shtesë monitorimi, përfshirë rikthimin e vendit në një proces të plotë mbikëqyrjeje.
Në përgjigjen paraprake, Komiteti i Ministrave konfirmon se ka marrë kërkesat me shkrim nga deputetja shqiptare dhe thekson se përgjigjet do të jepen sipas procedurave të rregullores. Institucioni nënvizon se pret nga të 46 shtetet anëtare respektimin e angazhimeve të tyre dhe thekson se ekspertiza e Këshillit të Europës mbetet në dispozicion për të mbështetur reformat dhe përafrimin me standardet evropiane.
Çështja e ngritur nga Vokshi pritet të rikthejë në vëmendje ndërkombëtare debatin mbi standardet demokratike dhe funksionimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri.
Pyetje:
Që nga përfundimi i monitorimit, Shqipëria po përjeton regres në standartet demokratike.
Instituti V-Dem e klasifikon Shqipërinë si “autokraci elektorale”, me:
• përqendrim të pushtetit;
• zgjedhje të zhvilluara në kushte “parti–shtet”, të ndikuara nga kartelet e drogës dhe arrestim të liderëve të opozitës;
• mungesë të kontrollit parlamentar;
• korrupsion të përhapur dhe sistemik;
• pengim të llogaridhënies përmes refuzimit të shumicës socialiste për të hequr imunitetin e zyrtarëve të lartë, përfshirë Zëvendëskryeministren e akuzuar nga SPAK në 11 çështje korrupsioni.
Si e vlerëson Komiteti i Ministrave përmbushjen nga Shqipëria të detyrimeve të saj? A po shqyrtohen mekanizma shtesë monitorimi, përfshirë rikthimin në monitorim të plotë?
Pjesë e Përgjigjes:
Nga ana e tij, Komiteti i Ministrave ka marrë disa kërkesa me shkrim nga Deputetja e Nderuar nga Shqipëria. Ai do t’u përgjigjet pyetjeve në përputhje me procedurën e rregullores.
Komiteti i Ministrave pret që të 46 shtetet anëtare të mbështesin angazhimet e ndërmarra si anëtare të Council of Europe. Ekspertiza e Këshillit të Evropës është në dispozicion të tyre për t’i mbështetur në procesin e reformave, me synim përafrimin e legjislacionit me standardet evropiane.
Gazeta RD