Në mbledhjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale, bashkëkryetari i komisionit dhe nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, kërkoi që procesi të mos udhëhiqet nga vendime të paracaktuara politikisht, por nga një analizë objektive mbi suksesin ose dështimin e reformës së vitit 2014.
Boçi theksoi se komisioni ka për detyrë të vlerësojë nëse reforma aktuale ka qenë efektive dhe nëse ka nevojë për korrigjime, duke kundërshtuar qasjen që, sipas tij, e konsideron reformën si të suksesshme pa një shqyrtim të plotë.
Në mbledhjen e komisionit, Boçi u shpreh se opozita nuk kërkon rikthim te 373 njësitë vendore, por një optimizim të numrit të bashkive, duke argumentuar se 61 bashki janë të pamjaftueshme për përfaqësim dhe shërbime cilësore.
Boçi: Pra, mos dalim në përfundime të paracaktuara, se duken të paracaktuara politikisht. Komisioni, një ndër misionet që ka është për të përcaktuar këtë gjë, që ishte i suksesshëm apo jo, duhet korrigjuar apo jo. Ne ende pa nisur mirë, ne dalim në përfundimin që paska qenë shumë i mirë. Dhe për më tepër, kërkesa jonë nuk është kërkesë që kërkon të godasë konsolidimin, sepse ne po themi të shtojmë në mënyrë optimale numrin e bashkive.
Nuk ka një kërkesë të kthimit tek 373-shi. Ta bëjmë shumë të qartë dhe suksesi matet me pritshmëritë, e kam thënë edhe në dëgjesa, me pritshmëritë që ndërtoi reforma e 2014-ës. Jo me para 2014-ës, sepse ka një konsensus të pranuar në opinion që po, 373 ishin shumë, por sikurse ka një mendim të përbashkët në opinion që 61 janë shumë pak. Dhe ne s’mund të përdorim të njëjtën rrugë, sepse sot ne gjendemi përballë kërkesës së qytetarit për shërbime, për përfaqësim, për demokratizim të pushtetit vendor dhe kjo nuk është rastësi, nuk është e ardhur thjesht nga politika, po vjen bruto nga qytetari.
Dhe ne patjetër që duhet të kalojmë në dëgjesat me komunitetet. Metodologjinë e kemi përcaktuar që po, të dëgjojmë qarqe, edhe me dëgjesa nga publiku, të vazhdojmë, ndoshta këtu do kërkohet debat, me dëgjesat tematike, me dëgjesat e kryetarëve të bashkive dhe të kalohet pastaj me dëgjesat nga komunitetet. Unë do mendoja që ne të kalojmë direkt pas dëgjesave që organizojmë në qarqe, paralelisht me kryetarët e bashkive, të kalojmë direkt në dëgjesat e komuniteteve. Ka shumë kërkesa, kërkesa që janë transmetuar edhe në takimet tona, por dhe kërkesa që kanë ardhur nëpërmjet rrugëve të tjera zyrtare.
Pra, të jemi shumë të qartë në atë çka po ndodh, jo se të bëjmë sikur s’ka ndodhur asgjë dhe të vazhdohet në atë vendim të paracaktuar dhe thjesht ta mbushim qëllimin dhe vendimin me një shou politik, shou dëgjesash, që në fund ne e morëm mendimin e përbashkët, por mendimi i përbashkët na rezultoka si mendimi i paracaktuar që qenkemi shumë mirë, madje të avancojmë nga 61 t’i bëjmë akoma më pak, ta ulim numrin, sepse vetëm kështu mund të arrihet suksesi, ndërkohë që ajo ‘dreq’, po e them kështu me pozitivitet, Europe, së cilës i referohemi, nuk e ka fare tendencë një gjë të tillë. Ka tendencë që të çojë shërbimin te qytetari fundor.
Ka përcaktuar disa parametra, 6000 banorë mesatarisht për njësi vendore, ne e kemi 40.000. Ka përcaktuar dhe kohën e arritjes së shërbimit, 60 minuta. Ka përcaktuar dhe mënyrën si mbështeten financiarisht, diku nëpërmjet menaxhimit të taksave nga vetë pushteti vendor, diku nëpërmjet buxhetit të shtetit me një mbështetje që qeveria duhet t’ia japë pushtetit vendor, apo formave të alternuara. Dhe, për të shëndoshur punën që ka komisioni.
Ajo që pengon punën e komisionit, që unë e kam shprehur si shqetësim dhe po e ngre prapë, është vendosja e një kufiri të përfundimit të punës së komisionit. Po, është e vërtetë që ka intensitet, bëjmë dy dëgjesa në javë, një dëgjesë me kryetarët e bashkive, tre ditë të javës janë të ngarkuara me punën e komisionit. Ndërkohë që nga të gjithë ekspertët, nga të gjithë përfaqësuesit ndërkombëtarë, në të gjitha takimet, ajo që është atakuar ka qenë koha e ngushtë për të bërë një reformë. Po bëjmë reformë apo po bëjmë një shou reformë?
Që të bëjmë reformë, reforma do kohën, nuk ka kompleks PD-ja pse mbaron herët apo pse mbaron vonë. Jo. Ka kërkesën që çdo gjë të jetë objektive, çdo gjë të jetë e konsultuar, edhe puna e ekspertëve të jetë e tillë, e shtrirë dhe në kohë, por dhe në qëllime, një punë profesionale. Mbi bazë të dhënave që duan, mbi bazë të kohës që çdo punë e kërkon, dhe pa pasur asnjë lloj qëllimi që ju e interpretoni sabotues. Nuk… opozita e ka dëshmuar qartazi, ka qëndrimin e vet, kërkon optimizim se nuk e kërkon PD-ja, mos e transmetojmë kështu.
E kërkojnë qytetarët, i kemi dëgjuar vetë. Madje unë e di shumë mirë që secili prej kryetarëve të bashkive, pa u intimiduar fare, mendojnë që bashkitë e tyre nuk mund të shkrihen me bashki të tjera. Nuk mund të shkrihen sepse kanë identitet territorial, ekonomik, shpirtëror, historik dhe është krejt e pamundur në logjikën e tyre, sepse dhe një pjesë e madhe e tyre vijnë nga terreni dhe e dinë këtë lloj konstitucioni që ata marrin në takimet e tyre me qytetarët. Sigurisht nuk e kanë të lehtë ta shprehin, nuk e kanë të lehtë, po ta bëjmë ne, po duhet ta bëjmë dhe ne dhe qytetarët që e kanë bërë.
A mund të shtojmë në Elbasan ne? Se s’e kemi kryetarin e Bashkisë së Elbasanit këtu. Patjetër që mund të shtojmë. Elbasani është i shtrirë, ka një lloj pamje shumë kontradiktore brenda bashkisë vetë. Ka Zavalinën e largët, ka pjesën e qytetit që kanë natyra krejt të ndryshme të zhvillimit të tyre, ekonomik apo edhe të vazhdimësisë së unitetit të territorit dhe vazhdimësive të tjera. Pra, unë bashkohem me Xhelalin pjesën që po, ne duhet të kemi dhe mbledhje të tjera në vazhdimësi të, të bëjmë dhe një konkludim.
Kemi bërë pesë dëgjesa. Atëherë ku ka ecur puna, ku nuk ka ecur puna? Si duhet të ndryshojmë metodologjinë? Duhet të shtojmë njerëzit e thjeshtë, sepse unë kam dëgjuar për shembull në dëgjesat, për të cilat nuk jam dakord. Nuk mund të flasi një drejtor i një bashkie objektivisht për reformën territoriale. Është krejtësisht e pamundur. Nuk mund të flasi një administrator, nuk është qytetar. Në kuptimin bruto të fjalës, sepse është i kufizuar nga puna që ai bën. Dhe ajo që e plotëson këtë puzzle që ne duam ta plotësojmë janë dëgjesat me komunitetet. Ato janë dëgjesa pastaj bruto fare, që ne duhet t’i stimulojmë, t’i shtyjmë përpara dhe t’i realizojmë. Faleminderit!
Gazeta RD