Analisti dhe ish-zyrtari i Pentagonit, Michael Rubin, ka lëshuar një sërë deklaratash të forta mbi situatën aktuale në Shqipëri, duke e cilësuar vendin si një “narko-shtet” dhe duke paralajmëruar për rreziqet me të cilat përballet lidershipi politik. Ai është autori i artikullit të “Washington Examiner: për situatën e narkoshtetit në Shqipëri.
Në një intervistë televizive në emisionin e mëngjesoit “Kafe Shqeto” Në Syri tv, Rubin hodhi poshtë pretendimet se etiketimi i Shqipërisë si narko-shtet është një akt shpifës. Sipas tij, ky përcaktim bazohet në fakte konkrete dhe të dhëna nga organizata ndërkombëtare si “Iniciativa Globale Kundër Krimit Transnacional”, si dhe nga kapjet e sasive të mëdha të kokainës. Ai argumentoi se vendimi i korrikut 2023 për legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale ka shërbyer në praktikë si një “mbulesë” për aktivitete të tjera të paligjshme, duke e transformuar Shqipërinë në një qendër të trafikut të drogës dhe pastrimit të parave.
Duke bërë një paralelizëm historik të zymtë, Rubin e krahasoi kryeministrin Edi Rama me figura si Manuel Noriega i Panamasë dhe Nicolás Maduro i Venezuelës, liderë të cilët në të kaluarën i kanë quajtur akuza të ngjashme si shpifje. Ai kujtoi se Noriega dikur konsiderohej një nga miqtë më të afërt të Amerikës, por kjo nuk e shpëtoi nga pasojat e përfshirjes së tij në trafikun e drogës. Ky paralajmërim sugjeron se asnjë aleancë politike nuk mund të shërbejë si mburojë e përhershme përballë përfshirjes në aktivitete kriminale.
Analisti theksoi se marrëdhënia mes Shqipërisë dhe SHBA-së është tepër e rëndësishme dhe e vlerësuar nga shumë analistë amerikanë, duke tejkaluar administratat specifike. Megjithatë, ai akuzoi kryeministrin Rama se ka korruptuar ish-ambasadoren amerikane Yuri Kim dhe ish-zyrtarin e lartë të FBI-së, Charles McGonigal, duke përmendur gjyqin e këtij të fundit si dëshmi të qartë të problemit të korrupsionit.
Deklarata më e fortë e Rubin ishte ajo që vuri në shënjestër drejtpërdrejt drejtësinë shqiptare. Sipas tij, nëse Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) do të ishte vërtet e pavarur dhe jo një “armë politike”, ajo do të duhej të hetonte kryeministrin Edi Rama për marrëdhëniet e tij me Alex Soros dhe Jared Kushner.
Flavio Qarri: Kjo që sapo ndoqëm miq të dashur ishte një përmbledhje e shkurtër e një artikulli që ka tronditur sigurisht Washingtonin, në një nga organet e shtypit kryesore të kryeqytetit politik dhe jo vetëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por patjetër që pas goditjet janë ndjerë edhe në Europë dhe veçanërisht në këtë cep të Ballkanit. Ndaj, kemi kënaqësinë të kemi në këtë mëngjes për ne dhe në orët e vona atje, zotin Michael Rubin, autorin e këtij shkrimi, një analist ushtarak dhe politik karriere. I kërkova falje për dallimin orar që kemi me zotin Rubin dhe do të përpiqemi të jemi i shkurtër dhe i qartë. Zoti Rubin, sigurisht ka një debat të madh nëse është apo jo Shqipëria një narkoshtet. Ka një përplasje mes mazhorancës dhe opozitës për këto etiketime, nëse e dëmtojnë apo e shërojnë vendin tonë. Cili është qëndrimi juaj në këtë drejtim?
Michael Rubin: Faktet kanë treguar që etiketimi i Shqipërisë si narkoshtet nuk është as shpifje, as dëmtim imazhi, por janë thjesht fakte. Edhe organizata si “The Global Initiative”, iniciativa globale, edhe kapjet e fundit të sasive monumentale të drogës kanë treguar që në fakt Shqipëria është kthyer në një portë, në një portal në fakt për përpunimin e drogave të rënda.
Në fakt, ky aspekt veçanërisht, institucionalizimi i narkoshtetit, ka filluar në korrik të vitit 2023. “Për ata që nuk e mbajnë mend, është data kur ne e shpallëm të ligjshme kultivimin e marihuanës për qëllime mjekësore dhe industriale, por në fakt vendimi i cili thjesht ka shërbyer si mburojë dhe mbulesë për kultivimin e kanabisit pjesës ilegale të drogës dhe trafikut të saj, dhe sigurisht tashmë e ka kthyer Shqipërinë në një, le të themi, pikë dhe nyje kyçe për pastrimin e parave dhe patjetër edhe për trafiqe të tjera ilegale.
Edhe sigurisht Edi Rama e dinte këtë gjë, edhe specialistët dhe ekspertët ja kanë theksuar këtë gjë, por ai e di mirë se ç’po bën dhe cilat kanë qenë pasojat e atij vendimi dhe asaj vendimmarrje.
Argumenti i fundit që kam për këtë pyetje është se ka pasur dhe lidera të tjerë nëpër botë që i kanë quajtur akuzat e opozitës si narkoregjime dhe narkoshtete, shpifje dhe dëmtim imazhi dhe këta liderë kanë qenë njerëz si Nikolas Maduro i Venezuelës dhe Manuel Noriega i Panamasë. Madje, në një periudhë, Noriega konsiderohej si miku më i ngushtë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por as kjo nuk i shpëtoi dot nga fundi që e priste, veçanërisht pasojat e veprimeve të tij në kuadër të ndërveprimit me trafikun e drogave të paligjshme.
Flavio Qarri: Por si e shikoni sot këtë marrëdhënie të mikut të dikurshëm shumë të ngushtë të administratës Biden dhe Obama, Edi Ramën e atëhershëm me administratën e re të Trump e cila i ka shpallur luftë narkotrafikut dhe narkoterrorizmit, madje duke i mbivendosur me njëra-tjetrës.
Michael Rubin: Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane janë tejet të rëndësishme. Shqipëria është një mik i rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara dhe rolin që ka luajtur në këto 35 vite pas rënies së diktaturës, dhe kjo e tejkalon administratat e radhës, qofshin ato amerikane apo shqiptare. Është një marrëdhënie që shkon shumë më përtej se aq. Megjithatë, Edi Rama është e faktuar që korruptoi Yuri Kim, por dhe oficerin e lartë të FBI-së dhe të kundërzbulimit në Neë York, Charles McGonigal dhe gjatë gjyqit të tij u pa qartë se problemi thelbësor ishte korrupsioni. Mirëpo edhe në administratën aktuale, korrupsioni është i pranishëm dhe sigurisht, njerëzit e korruptuar e gjejnë lehtësisht gjuhën e njëri-tjetrit dhe veprimet e tyre ndërmerren mbi baza interesash korruptive….
Gazeta RD