“Rekord” në tendera! Kryebashkiakia e Vlorës: 200 mln lekë për 300 metra trotuar e 5 stola

Nga Boldnews.al

Një trotuar rreth 300 metra i gjatë, ndër të paktët në gjendje të mirë në qytetin e Vlorës, do t’i nështrohet rikonstruksionit. Bashkia e drejtuar nga kryetarja Bruna Mersini ka vendosur të shpenzojë mbi 200 milionë lekë të vjetra (më shumë se 200 mijë euro) për riparimin e trotuarit që lidh Postën pranë Skelës me hyrjen e rrugës Transballkanike.

Me një infrastrukturë në gjendje të degraduar, që karakterizohet nga përmbytjet në stinën e dimrit dhe kaosit të qarkullimit në stinën e verës, kryebashkiakja Mersini ka vendosur të kryejë shpenzimin në atë që mund të konsiderohet ndër të rrallët aks rrugor në situatë normale.

Fotot që shoqërojë projektin “Rikonstruksion trotuare dhe hapsira rekreative ne rrugen Fejzo Gjomemo per vitin 2026” tregojnë se zona e parashikuar për ndërhyrje është në kushte shumë të mira, pavarësisht se shkrepjet janë kryer në mungesë të theksuar drite, me shumë mundësi për të treguar se ajo ka nevojë për rikonstruksion.

Në foto: Gjendja normale e trotuarit (marrë nga dokumentave të tenderit)

Sipas Bashkisë së Vlorës, “Qëllimi i projektit është ndryshimi i sheshit pranë stacionit të autobusit, duke krijuar një një hapësitrë rekreative e cila me ngjyra dhe dinamizëm vizual optik ndryshon situatën aktuale të zonës e cila funksionon si parkim”.

Përvoja në monitorimin e tenderave ka treguar se, sa më shumë fjalë të mëdha të përmenden në projekt, aq më të dyshimta janë shpenzimet.

Në foto: Hapësira, ku do të shpenzohen 200 mijë euro

Boldnews.al” verifikoi dokumentacionin e tenderit të shpallur më 14 Prill 2026 dhe me fond limit 20.832.328 lekë të reja.

Sipas të dhënave zyrtare, në qendër të projektit është ndërtimi i një korsie biçikletash, me gjatë maksimale 330 metra linearë. Bashkia ka vlerësuar se kjo rrugë e re do të ndihmojë të apasionuarit e dy-rrotakëve për të lëvizur në qytet. Megjithatë, gjatësia e limituar nuk duket se do t’i japë ndonjë kënaqësi të veçantë atyre që zgjedhin të përdorin biçikletat.

Në foto: Hapësira rekreative parashikon vendosjen e vetëm 5 stolave

Nga ana tjetër, ajo që konsiderohet në projekt si “hapësirë rekreative me ngjyra dhe dinamizëm…”, në fakt është thjesht në shesh i vogël, në të cilin pritet të vendosen maksimalisht 5 stola.

Ndërhyrjet në përmirësimin e infrastrukturës urbane, edhe kur ato janë minimale, natyrisht që janë të mirëpritura. Megjithatë, kur këto ndërhyrje rikonstruktive shoqërohet me fatura të kripura financiare, mjegullojnë vullnetin e mirë, duke ngritur dyshime publike mbi qëllimin e vërtetë të shpenzimeve publike.

About Redaksia

Check Also

Berisha: Salianji u vetëpërjashtua, letrat e shkruara nga zyra e Edi Ramës nuk kanë asnjë vlerë për mua

Anesti Bajramemaj, A2CNN: Kandidati apo aspiranti për kandidat, që më pas u përjashtua nga KOKOE, …