Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale zhvilloi dëgjesën e radhës në Kukës, ku bashkëkryetari i Komisionit dhe nënkryetari i Partisë Demokratike, Luciano Boçi, deklaroi se reforma territoriale e vitit 2014 ka dështuar në përmbushjen e premtimeve të saj dhe se shpopullimi i zonave veriore është prova më e qartë e këtij dështimi.
Në fjalën e tij, Boçi kritikoi përdorimin e “mesatarizmave” statistikore nga qeveria, duke argumentuar se realiteti i Kukësit nuk mund të krahasohet me Tiranën apo Elbasanin.
Boçi tha se reforma premtoi autonomi financiare, kompetenca dhe ulje të administratës, por sipas tij ka ndodhur e kundërta.
Ai deklaroi se administrata është dyfishuar dhe kritikoi argumentin se bashkitë e vogla nuk kanë kapacitete administrative.
Fjala e Luciano Boçit në Kukës
Dua t’ju përgëzoj dhe falënderoj për mendimet që ndamë këtu, pavarësisht toneve politike që pati diskutimi. Megjithatë, pashë edhe një fill solidariteti dhe për këtë dua t’ju përgëzoj.
Nuk kam qejf të bie në përsëritje, por më duhet të vazhdoj me disa paranteza, sepse shoh që këtu fshihet “djalli” tek mesatarizmat: të ardhurat mesatare, investimet mesatare, krahasimet mes Kukësit me Tiranën apo Elbasanin.
Por ne jemi në Kukës, që është qarku më i varfër në rajon.
Prandaj duhet ta shohim Kukësin në raport me atë që iu premtua qytetarëve në vitin 2014.
A e pasuroi kjo reformë Kukësin, siç u premtua?
Sepse këto fjalë të bukura janë thënë edhe në vitin 2014: kompetenca, autonomi, administratë më e vogël.
A kemi sot administratë më të vogël?
Dëgjuam dikë këtu që tha se dikur kishim “Haxhi Qamilë” me 20 mijë të punësuar. Po “Ali Babat” e sotëm sa kanë? Kanë 40 mijë të punësuar.
Pra, e kanë dyfishuar administratën dhe janë po këta që sot na thonë se bashkitë nuk kanë kapacitete dhe duhen zmadhuar.
Si nuk paskan kapacitete?
Ja shihni Hasin: megjithëse është bashki e vogël, ka inxhinierë, juristë dhe specialistë të tjerë.
Dhe edhe kur mungojnë kapacitetet, ekziston bashkëpunimi ndërbashkiak që përdoret në gjithë Europën.
Për më tepër, projektet që kërkojnë inxhinierë apo juristë realizohen përmes prokurimit publik. Kjo bëhet lehtësisht.
Pra, pse duhet të sajojmë këto justifikime?
Çfarë duan këto struktura patronazhimi politik, ku njerëzit fusin kartën dhe nuk dihet ku janë?
Sepse këto fenomene ndodhin edhe këtu.
Këto detaje statistikash nuk janë shumë në interes të qytetarëve.
Për qytetarin rëndësi ka afrimiteti, përfaqësimi dhe shërbimi.
Ka 65 fshatra pa rrugë, pa shërbime dhe pa institucione ku të trokasin për të kërkuar llogari.
Kjo është situata reale dhe shifrat përdoren për ta kamufluar të vërtetën.
Të gjitha bashkitë e qarkut Kukës marrin rreth 85% të financimit nga qeveria dhe vetëm 15% e mbledhin vetë.
Dhe kjo nuk funksionon.
Ne si Parti Demokratike themi se duhet ndryshuar formula e financimit.
Duhet të merren në konsideratë relievi, shpërndarja territoriale, largësia dhe varfëria.
Shteti nuk duhet t’i braktisë këto zona.
Sepse ndryshe shpopullimi do të vazhdojë.
Ja pse jemi këtu: për të ndryshuar këtë mënyrë mbështetjeje, për të rritur kompetencat dhe burimet financiare të pushtetit vendor.
Ne nuk nisemi nga harta, siç po bëhet nga Partia Socialiste.
Ata duan bashki më të mëdha, ulje të numrit të bashkive, forcim rajonesh dhe qarqesh, pra nisen nga harta për të shkuar tek kompetencat dhe në fund tek qytetari.
Ndërsa Partia Demokratike e ka të thjeshtë: ne nisemi nga qytetari.
Ne shohim sa larg është qytetari sot nga qyteti, sa kohë i duhet fëmijës nga fshati i largët për të shkuar në shkollë, sa afër është familjari me shërbimin, me gjelbërimin, me shtetin.
Nëse qytetari nuk është afër shtetit, atëherë ne duhet ta afrojmë shtetin me qytetarin.
Ky është subsidiariteti i vërtetë.
Dhe nëse nuk ndërtojmë qendra të aksesueshme, njerëzit do të largohen.
Cila është zgjidhja për Bushtricën? Ta lëmë të boshatiset dhe njerëzit të ikin jashtë vendit?
Apo të bëjmë si Zvicra?
Atje ka fonde të posaçme për bashkitë alpine dhe shteti rrit kontributin financiar për to.
Sepse janë taksat tona dhe ne duam që ato të kthehen tek qytetarët.
Ne duhet të respektojmë taksat e qytetarëve dhe të mos e shpopullojmë Shqipërinë.
Aty ku ka shpopullim duhet të mbrojmë ata që kanë mbetur.
Do të vijë një moment kur brezat do të duan të rikthehen dhe atëherë do të jetë edhe më e vështirë.
Jemi në alarm.
Ose do të ngrihemi në piedestal për atë që bëjmë kundër shpopullimit, ose brezat do të na mallkojnë.
Dhe nuk është e thjeshtë të marrësh përgjegjësi publike për një reformë të tillë.
Prandaj ne nisemi nga qytetari dhe shkojmë tek territori.
Territori nuk është thjesht hartë.
Territori është identitet, ekonomi, lidhje historike dhe tradicionale.
Ne po humbasim emrat, toponimet dhe historinë.
Dhe duke humbur këto, po humbasim historinë tonë.
Madje rrezikojmë që nesër të na vijnë kombe të tjera e të popullojnë territoret që ne po i boshatisim.
Sot për të ardhur në Kukës më duhej të paguaja rreth 23 mijë lekë si një “turist politik”.
Për të hyrë në Kukës duhen 5 euro.
I vetmi qytet tjetër ku hyn me 5 euro është Venecia.
Por atje ato para i merr bashkia dhe i kthen në investime.
Prandaj duhet të jemi shumë të qartë me investimet tona.
Sfida jonë nuk është partiake. Kjo është sfidë e qytetarëve.
Nëse ulet numri i bashkive, dikush mund ta konsiderojë fitore politike të PS-së.
Ne e shohim si optimizim të bashkive për ta vendosur qytetarin në qendër, për ta afruar me shtetin dhe me shërbimet.
Që jeta e vështirë e këtyre njerëzve t’i ngjajë bukurisë së territorit ku jetojnë.
Prandaj diskutojmë sot: si ta afrojmë shtetin me qytetarin?
A duke ndjekur modelin e vitit 2014, ku u pikturua harta dhe më pas u ndërtuan funksionet?
Madje brenda 24 orëve u shtuan 17 bashki gjatë natës.
Dhe sot ja ku jemi.
Tani përdoren investimet e qeverisë për të justifikuar atë reformë, sikur investimet nuk varen nga vullneti i qeverisë.
Pa folur këtu për milionat e vjedhura në pushtetin vendor.
Por po mjaftohem me faktin që në 12 vite është ndërtuar vetëm një shkollë.
Tani më lejoni t’ju uroj për Kurban Bajramin.
Me gëzime dhe lumturi për ju dhe familjet tuaja.
Gazeta RD