Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka lëshuar një sërë kritikash të ashpra ndaj Prokurorisë së Posaçme menjëherë pas përfundimit të seancës së radhës për Gërdecin në Gjykatën e Posaçme. Me një ton të ashpër, ai e cilësoi si tërësisht absurd procesin hetimor, duke deklaruar se organi i akuzës po përpiqet t’i faturojë atij detyra dhe përgjegjësi që nuk i takojnë profilit të një ministri. Sipas deklaratave të bëra për mediat, prokuroria po e mban peng procesin rreth detajeve strikte teknike siç janë kalibrat e municioneve apo rregullat e transportit, pa arritur të përcaktojë asnjë akt të mirëfilltë ligjor që është shkelur nga ana e tij.
Duke ironizuar qasjen e hetuesve, Mediu theksoi se prokuroria po e trajton pozitën e ministrit sikur të ishte njëkohësisht shofer, inspektor dhe magazinier. Për të argumentuar qëndrimin e tij, ai solli në vëmendje ligjin për organizimin e Këshillit të Ministrave, duke sqaruar se detyra e një titullari mbështetet mbi punën e stafit ushtarak dhe civil, e jo tek njohuritë inxhinierike të armatimeve. Për ta përforcuar këtë fakt, u bë publike edhe një bisedë informale me një përfaqësues të lartë ndërkombëtar, ku palët kishin rënë dakord se specifikimet e kalibrave të mëdhenj apo të vegjël nuk kanë asnjë lidhje me detyrën e një ministri të mbrojtjes.
Fatmir Mediu: Tek ideja kush ka përcaktuar kalibrat, si është përcaktuar transporti, dhe duhet t’i japësh përgjigje aludimeve të cilat do të thonë ndonjëherë bëhen më të vështira për faktin sepse prokuroria nuk ka përcaktuar se çfarë akti ligjor ka shkelur ministri, apo kush është veprimi i fajshëm i ministrit. Pra, duket sikur ideja e prokurorisë është që do të thotë ka një Ministri Mbrojtje që ka pasur vetëm një njeri, ky duhet të ishte shofer, duhet të ishte inspektor, duhet të ishte magazinier municioni, duhet të ishte jurist e duhet t’i kishte që të gjitha gjërat, të cilat sipas ligjit për organizimin e funksionimit të Këshillit të Ministrave që është ligji 9000, do të thotë ministri në aktivitetin e vet bazohet tek stafi i ministrisë, qoftë ky ushtarak, qoftë edhe ky civil. Edhe për më tepër ka dhe një rregullore, mënyra se si veprohet për iniciativat që i dërgohen qeverisë apo iniciativat që ndërmerren në akte ligjore në ministri. Momenti tjetër që po ashtu krijon një lloj absurditeti është fakti sepse urdhrat administrativë të ministrit, do të merren dhe spostohen nga të gjithë normat e tjera të cilat kanë qenë norma rregullatore apo vendime qeverie dhe të cilat janë të detyrueshme për zbatim. Një urdhër ministri, sidomos administrativ, nuk zëvendëson asnjë lloj akti normativ, asnjë vendim qeverie dhe asnjë ligj. Kur ligji është përcaktuar për t’u zbatuar, ka përcaktuar se kush e zbaton. Kur vendimi i qeverisë përcakton zbatimin, ka përcaktuar kush janë institucionet që e zbatojnë. Urdhri i ministrit përcakton kush e zbaton dhe kush e ndjek këtë procedurë.
Pra, jemi në këtë lloj diskutimi. Qëndrohet tek fakti do të thotë gjithmonë kalibrat, transporti, aktet administrative për të gjetur elementë të veprës penale por që s’kanë asnjë lidhje me ministrin e mbrojtjes. Do të thotë është absurde. Përmenda një fakt, gjatë një takimi me një autoritet të lartë në një vend partner mik, e kur diskutuam për çështjen se kush ishte akuza, dhe i bëra një pyetje thashë: ‘Mund të më thoni se kush është kalibri i madh dhe i vogël?’ tha ‘Ku dreqin duhet ta di unë se çfarë është kalibri i madh dhe i vogël?’ Edhe unë këtë po them edhe sot. As e kam ditur, as e di dhe as nuk do ta di ndonjëherë kush është kalibri i madh e i vogël sepse nuk ka të bëjë me detyrën e ministrit të mbrojtjes.
Gazeta RD