Pasi vodhën miliarda, Rama shpall AKSHI-n e ri për të zhdukur gjumët…

Kryeministri Edi Rama prezantoi me entuziazëm krijimin e kompanisë së re shtetërore “Albanian Digital Solution Sh.A”, duke e quajtur një “ditë të shënuar” për revolucionin digjital në Shqipëri. Por pas propagandës së zakonshme për “superfuqinë teknologjike”, lind një pyetje e fortë politike: pse po krijohet një kompani e re, kur AKSHI ka marrë prej vitesh miliarda lekë për pikërisht këto funksione?

Vetë Rama pranoi publikisht se shteti ka qenë “peng i privatëve” për mirëmbajtjen e sistemeve. Një deklaratë që përbën në fakt autogol politik për qeverinë e tij, sepse ishte po kjo qeveri që për 12 vite ia dorëzoi privatit çdo sektor strategjik përmes PPP-ve, koncesioneve dhe tenderëve të dyshimtë.

Nga check-up-i te inceneratorët, nga laboratorët te sistemet elektronike, filozofia e Rilindjes ka qenë e njëjtë: shteti paguan, privati fiton, qytetarët mbajnë faturën. Sot, i njëjti kryeministër që ndërtoi modelin e varësisë nga privati, del dhe flet për “pavarësinë e shtetit” nga privati.

Por pyetja që rëndon mbi këtë projekt është edhe më serioze: a po krijohet ADS si një strukturë e re për të mbuluar dështimet dhe aferat që lidhen me AKSHI-n?

AKSHI ka qenë në qendër të shumë skandaleve, që nga sulmet kibernetike që nxorën zbuluar shtetin shqiptar, deri te tenderët multimilionësh për sisteme që shpesh kanë rezultuar problematike, të paqëndrueshme ose të varura nga kompani private pranë pushtetit. Janë shpenzuar miliarda lekë në emër të “digjitalizimit”, ndërsa qytetarët vazhdojnë të përballen me sisteme që bien, dokumente që bllokohen dhe shërbime që shpesh funksionojnë vetëm në konferencat propagandistike të qeverisë.

Në vend që të japë llogari për mënyrën si u administruan fondet dhe kontratat e AKSHI-t, Rama shpall një kompani të re, me premtimin se tani shteti do t’i bëjë vetë sistemet. Propagande e përsëritur dhe meritën kryesore për funksionimin e kësaj propagande të kryeministrit e ka SPAK-u, i cili vijon të flejë gjumë mbi një dosje brenda së cilës përfliten familjarë të vetë Edi Ramës, ndërt ta baxhanaku me 800 pagesa brenda vitit nga thesari i shtetit.

Kryeministri tha se “do t’i kursehet shtetit një shumë e konsiderueshme”. Por shqiptarët kanë dëgjuar të njëjtën frazë edhe për PPP-të që sot rëndojnë buxhetin me qindra milionë euro. Çdo aferë është shitur fillimisht si “kursim”, “modernizim” apo “sukses europian”, për të përfunduar më pas në skandale financiare dhe hetime.

ADS rrezikon të shihet jo si zgjidhje, por si riciklim i të njëjtit model: një strukturë e re, me emër të ri, me propagandë të re, por me të njëjtët njerëz, të njëjtat para dhe të njëjtën mungesë transparence dhe me të njëjtin njeri që luan fijet në prapaskenë, ashtu siç bëri me inceneratorët, Check UP etj.

Në fund, deklarata më tronditëse e Ramës nuk është premtimi për “superfuqi digjitale”, por pranimi se shteti shqiptar ka qenë peng i privatëve. Sepse për këtë pengmarrje politike dhe financiare, përgjegjësi kryesor ka qenë vetë qeveria e tij.

About Redaksia

Check Also

Këlliçi: Transparenca për Jet Bank s’mund të mbahet ‘Sekret’! Çdo heshtje e bën procesin më të dyshimtë

Deputeti i PD, Belind Këlliçi ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me mungesën …