Kreu i PD, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në Kuvendin Kombëtar u shpreh se besimi i tij ndaj demokratëve ka qenë gjithmonë i pakundërshtueshëm dhe i patjetërsueshëm.
Berisha theksoi se, Partia Demokratike nuk blihet, nuk shitet dhe as nuk mposhtet kurrë, duke e pozicionuar atë si një forcë të mbrojtur nga idealet, vlerat dhe morali, pavarësisht presioneve të regjimit aktual.
Berisha: Të dashur delegate dhe delegatë, të ftuar, të pranishëm në këtë Kuvend, secili nga ne në këtë moment, në mënyrë eksklamative mund të shtrojë pyetjen: çfarë rrugëtimi, çfarë maratone e jashtëzakonshme e maratonomakëve si ju.
Më kujtohet sot kur hodhëm hapat e parë në këtë mision pesë vite më parë në Kuvendin Kombëtar të 21-shit, kur rithemeluam PD-në.
Unë e dija mirë se kishim një rrugë të vështirë, na prisnin beteja të egra.
Unë njihja mirë narkoshtetin që ishte instaluar në Shqipëri.
Por miq, në karrierën time politike dhe në jetë, kam bërë gabime, kam pasur një avantazh të madh, nga vitet e rinisë gjer sot gjithnjë kam ruajtur të paprekur bindjen se jashtë teorisë së gabimit kurrkush nuk del.
Ndaj dhe gjithnjë jam përpjekur t’i korrigjoj ato.
Por duhet t’u them sot, se në një gjë nuk kam gabuar, dhe ajo çka unë nuk kam gabuar kurrë, nuk kam gabuar në besimin ndaj jush.
Jo!
Nuk kam vendosur kurrë në jetën time në dyshimin më të vogël besimin tek ju, karakterin tuaj të fortë, idealet tuaja, vendosmërinë tuaj, përkushtimin tuaj.
Ndaj dhe nisëm së bashku një udhëtim të vështirë, në një moment kritik pasi për dekada kishim bërë shumë përpjekje për të forcuar pluralizmin, për të konsoliduar demokracinë.
Kishim edhe arritjet tona, të mëdha, të pamohueshme.
Por erdhi një moment kur Edi Rama vendosi si moral, si platformë të regjimit të tij moralin dhe platformën e etërve të tij xhelatë.
Ndërmori sulmin për asgjësimin e PD-së, për shndërrimin e saj në opozitë fasadë, për blerjen e saj.
Por gaboi.
Nuk është për treg kjo parti.
Kjo parti është për moral.
Kjo parti është për ideale.
Kjo parti është për vlera.
As nuk blihet, as nuk shitet.
As nuk mposhtet kurrë.
Ndaj dhe u ngritëm.
U ngritëm në një kohë kur dukej se edhe tokën, edhe qiellin e kishim kundër nesh.
Por u ngritëm në atë kohë se ishim të pathyeshëm në besimin tonë tek e vërteta.
U ngritëm, na e imponuan, jo se deshëm, por midis të gjithave, ne zgjodhëm të mbrojmë të vërtetën.
Ndaj dhe ju, uleni sot këtu krenarë, ju dhe çdo demokrat, krenarë sepse vini në këtë sallë dhe kudo që jeni, gardianë të pluralizmit politik në Shqipëri.
Gardianë të sovranitetit të kombit shqiptar.
Gardianë të pamposhtur të vlerave të lirisë, të dinjitetit njerëzor.
Gazeta RD