Berisha: Kilometri i fundit është edhe më frymëzuesi! Integrimi është ylli ynë polar

Kryetari i PD, Sali Berisha, u shpreh se Partia Demokratike ka hyrë në “kilometrin e fundit” të betejës së saj politike, një fazë që sipas tij shënon afrimin e fitores dhe të ripërtëritjes së forcës opozitare.

Berisha theksoi se integrimi europian mbetet objektivi strategjik dhe “ylli polar” i PD-së, ndërsa garantoi se opozita do të ndërmarrë nisma konkrete për të përmbushur standardet europiane.

Në përmbyllje, ai apeloi që mesazhi kryesor i Kuvendit Kombëtar të jetë ripërtëritja e partisë, të cilën e cilësoi si shpresën e pashuar të shqiptarëve për ndryshim.

Berisha: Kilometri i fundit nuk është një kilometër i lehtë. Jo se them që është i lehtë. Në maratonë të gjithë e dinë se cila është pesha e kilometrit të fundit.

Por nuk ka kilometër më frymëzues se ai. Kur ke arritur aty, kur ke arritur aty në kilometrin e fundit, bota duket e jotja.
Ndaj edhe ne në këtë kilometër të ndërmarrim çdo vendim, çdo masë për ripërtëritjen e partisë.
Miqtë e mi, Partia Demokratike ka qenë lokomotivë e proceseve integruese dhe i numëruam më parë cilat kanë qenë.
Shiko çfarë arritëm ne. Ne, edhe nga izolimi, edhe mbrapa, me dritën e të vërtetës në duar dolëm që opinioni, jo vetëm opinioni publik me media po e po, por edhe opinioni zyrtar ndërkombëtar të ketë një qasje realiste për Shqipërinë.
A i patë ju, a i lexuat raportet e Parlamentit Europian dhe të DASH-it? Ato nuk i kemi shkruar ne. Ato i mbajnë të gjithë spektrin europian, por ato janë çështje që i kemi ngritur ne. Ato janë çështje që i kemi mbrojtur ne.
Edhe unë dua t’ju them këtu se ne qëndrojmë gardianë, ne qëndrojmë të pamposhtur në përpjekjen tonë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Ylli ynë polar është integrimi europian i Shqipërisë. Por ky integrim, i cili në të cilin një peshë të veçantë të madhe ka faktori gjeopolitik, dhe ne e respektojmë, ai është një realitet, është një faktor natyror. Ky integrim ne besojmë se duhet të bazohet para së gjithash në meritë, në meritë, në meritë. A kërkohet nga Shqipëria dhe vendet që duan të integrohen kushte dhe kërkesa që cenojnë interesat e qytetarëve të këtyre vendeve?
Absolutisht jo. Përkundrazi. Kërkohen kushte dhe kërkesa që i bëjnë këta qytetarë më të lirë, sepse kërkohet të respektohen të drejtat e tyre. Që i bëjnë këta qytetarë më të begatë, sepse kërkohet të respektohet liria ekonomike, të funksionojë ekonomia e tregut, të funksionojë ligji.
Të respektohen të drejtat e njeriut dhe të minoriteteve. Dhe jo me fjalë. Se po të pyesësh këtu, unë i përshëndes raportet që kërkojnë mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve.
I përshëndes se absolutisht… ju them vetëm një moment, ju lutem. Të kthehemi pak, të shkojmë në Himarë. Të shkojmë në Himarë ditën parazgjedhore bashkiake. Cilat ishin zërat dhe pozat shtazarake të Edi Ramës për të denigruar në shkallë ekstreme Fredi Belerin?
A i mbani mend apo jo? Po nuk ka shqiptar që i pranon ato.
A mund të pranohen ato? Ti imitosh kafshën për të denigruar një kandidat. Dhe ky… jo ne minoritetet i respektojmë. Çfarë respekton mor? Ti respekton vetëm xhepat e tu dhe të familjes tënde dhe paratë që vjedh me familjen tënde e asgjë tjetër.
Ndaj dhe ne, do ta shtojmë në çështje, e kemi pasur yll polar, dhe ju garantoj se Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike me përkushtim të madh do të ndërmarrë një seri nismash, me të cilat do të çojnë në ligje të gjitha kërkesat e raporteve të Parlamentit Europian dhe ODIHR-it, në përputhje me interesat e opinionit publik shqiptar.
Dua të përshëndes deputetët e Partisë Demokratike për qëndrimet e tyre. Ju siguroj se ata janë dhe do mbeten zëdhënës të shkëlqyer të interesave tuaja dhe të qytetarëve shqiptarë në Parlament.
Të dashur miq, ky Kuvend mbaron sot.
Dhe ju nga ky Kuvend, njerëzisht ju lutem, përveç entuziazmit, para së gjithash të merrni mesazhin e tij:
Ripërtëritje, ripërtëritje, ripërtëritje!
Ky mesazh mbart në vete shpresën e pashuar të shqiptarëve.
Shpresa është forcë, forca është shpresë! Rrofshi ju, rroftë Partia Demokratike, rroftë Shqipëria! Fitore, fitore, fitore!

About Redaksia

Check Also

Tabaku: Plaga më e madhe e Shqipërisë është humbja e besimit, detyra jonë është ta rikthejmë atë

Deputetja e PD, Jorida Tabaku, mbajti një fjalim me tone reflektuese dhe bashkuese në Kuvendin …