Miratohet statuti i ri i PD! Diaspora 15% në listat e kandidatëve e struktura drejtuese! Përfaqësimi i grave rritet me 40%

Kuvendi Kombëtar miratoi sot statutin e ri të PD. Në momentin e votimit nga 1564 delegatë me të drejtë vote, 1464 delegatë ishin të pranishëm në sallë.

“Çka do të thotë se Kuvendi i PD-së është mbledhur dhe i aftë të marrë vendime’ tha Ivi Kaso, kreu i Komisionit të Drejtimit të Kuvendit.

Para votimit, ishte kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi i cili prezantoi ndryshimet e propozuar në statutin e partisë. Disa nga risitë e propozuara në statutin e Partisë Demokratike përfshijnë fuqizimin e diasporës shqiptare dhe përfaqësimin real politik të saj. 15% në listat e kandidatëve për deputetë dhe në organet drejtuese të partisë. Po kështu përfaqësimi i grave rritet nga 30 në 40%.

Gjithashtu do të ngrihet një Komision i Seleksionimit të Kandidaturave për deputet dhe kryetar bashkie, si strukturë autonome nga organet drejtuese të partisë, përpara realizimit të procesit të primareve. Eshtë forcuar kolegji i kryetarëve të grupseksioneve, duke i dhënë atyre të drejtën për të qenë anëtarë të kryesive të degëve të Partisë Demokratike.

Gjithashtu është përmirësuar mbrojtja e të dhënave personale të anëtarëve të partisë dhe përditësimi i listave të anëtarësisë, si dhe janë saktësuar rregullat mbi shkarkimin e kryetarëve të degëve, duke i dhënë më shumë garanci të qëndrimit në detyrë.

Fjala e Gazment Bardhit

“Me vendim të kryesisë së partisë, një grup pune i përbërë nga 10 anëtarë mori në shqyrtim propozime të ndryshme të anëtarëve të partisë për ndryshime në statutin e partisë. Në tërësi grupi i punës vlerësoi se statuti i Partisë Demokratike të Shqipërisë garanton funksionimin demokratik të Partisë Demokratike, respekton standardet e organizimit të partisë të njëjtë me partitë simotra europiane, si dhe udhëhiqet nga parimi i rëndësishëm se pushteti në Partinë Demokratike i përket anëtarëve të saj dhe jo strukturave përfaqësuese.

Ky parim do të duhet të ruhet dhe zhvillohet më tej duke e bërë Partinë Demokratike të vetmen forcë politike në vend ku anëtari nuk është periferik, por ka një rol vendimtar në parti dhe ku vullneti i anëtarësisë përcakton shumëçka në Partinë Demokratike.

Disa nga ndryshimet e propozuara në statutin e Partisë Demokratike përfshijnë fuqizimin e diasporës shqiptare dhe përfaqësimin real politik të saj. Partia Demokratike dhe diaspora shqiptare nëpër botë kanë patur gjithmonë një marrëdhënie dhe raport të veçantë dhe mbështetje të vazhdueshme të ndërsjellë.

Mirëpo miratimi i ndryshimeve në kodin zgjedhor që i mundëson votimin edhe të qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, dikton një raport institucional mes Partisë Demokratike dhe shtetasve shqiptarë, bashkëqytetarëve tanë që jetojnë jashtë vendit.

Për këtë arsye, është propozuar që diaspora të ketë përfaqësim të dedikuar deri në 15% në të gjitha organet drejtuese të partisë, përfshirë Kuvendin Kombëtar, Këshillin Kombëtar, Kryesinë e Partisë, si dhe 15% në listat e kandidatëve për deputetë në Kuvendin e Shqipërisë. Risia e dytë është fuqizimi i grave dhe vajzave në Partinë Demokratike. Për këtë arsye, nga minimumi i përcaktuar me ligj ku zonjat, gratë dhe vajzat do të duhet të përfaqësoheshin deri në 30%, në statutin e Partisë Demokratike, duke u bërë kështu forca e parë politike që rrit kuotën e përfaqësimit të grave, është përcaktuar që ky përfaqësim në të gjitha organet drejtuese të partisë dhe në listat e kandidatëve për deputetë, të jetë 40%.

Gjithashtu, me qëllim lidhjen e Partisë Demokratike me shoqërinë civile dhe botën akademike dhe hapjen e partisë dhe thithjen e elementëve të vlefshëm në komunitet dhe shoqëri, është propozuar që selektimi i kandidatëve që votohen nga anëtarësia në primare, t’i nënshtrohen një vlerësimi nga një komision seleksionimi i përbërë nga figura me kontribut të shquar në Partinë Demokratike, përfaqësues të shoqërisë civile apo bota akademike, të cilat do të filtrojnë kandidatët që i nënshtrohen votimit.

Së katërti, është përmirësuar organizimi i bazës i partisë dhe është forcuar kolegji i kryetarëve të grupseksioneve, duke i dhënë atyre të drejtën për të qenë anëtarë të kryesive të degëve të Partisë Demokratike.

Është forcuar raporti mes degëve të partisë dhe të zgjedhurve vendorë. Sot në statutin e PD-së, ka vetëm një raport, atë mes kryesive të degëve dhe të zgjedhurve qendrorë të Partisë Demokratike, deputetëve të saj. Është parashikuar dhe përfshirë në statut që i njëjti raport, të njëjtat të drejta të njihen edhe të zgjedhurve vendorë, konkretisht këshilltarëve bashkiakë të Partisë Demokratike të Shqipërisë, të cilët bëhen gjithashtu anëtarë ex-officio të kryesive të degëve. Njohja e një statusi të barabartë për të gjitha organizatat partnere të partisë, duke respektuar historinë e themelimit të Partisë Demokratike.

Aktualisht në statutin e partisë parashikohen tre organizata partnere, por jo të treja organizatave u njihet i njëjti status dhe i njëjti përfaqësim. Për këtë qëllim, është parashikuar që edhe organizata partnere, Grupimi Dhjetori ’90 me një kontribut të jashtëzakonshëm në themelimin e partisë, të gëzojë status të njëjtë dhe të drejta përfaqësimi si organizatat e tjera partnere.

Është përmirësuar mbrojtja e të dhënave personale të anëtarëve të partisë dhe përditësimi i listave të anëtarësisë, si dhe është saktësuar rregullat mbi shkarkimin e kryetarëve të degëve, duke i dhënë më shumë garanci të qëndrimit në detyrë. Për të gjitha këto arsye, ftoj Kuvendin Kombëtar të miratojmë ndryshimet e propozuara në statut. Faleminderit dhe punë të mbarë të gjithëve.

Ndryshimet statutore te miratuara

  1. Fuqizimi i Diasporës shqiptare dhe përfaqësimi real politik i saj. 15% në lista dhe në organet e partisë duhet të jenë përfaqësues nga Diaspora.
  2. Fuqizimi i rolit të grave dhe vajzave në Parti, duke e rritur përfaqësimin e tyre nga 30 % në 40%.
  3. Ngritjen e Komisionit të Seleksionimit të Kandidaturave për deputet dhe kryetar bashkie, si strukturë autonome nga organet drejtuese të partisë, përpara realizimit të procesit të primareve.
  4. Përmirësimi i organizimit bazë të partisë (grupseksionet dhe nëndega) dhe forcimi i Kolegjit të Kryetarëve të Grupseksioneve.
  5. Forcimi i raporteve mes Degëve të Partisë dhe të zgjedhurve vendor (këshilltarëve bashkiak).
  6. Njohja e një statusi të barabartë për të gjitha organizatat partnere të partisë, duke respektuar historinë e themelimit të PDSH.
  7. Mbrojtja e të dhënave personale të anëtarëve të Partisë.
  8. Saktësimi i rregullave të shkarkimit të kryetarëve të degëve, duke i dhënë më shumë garanci të qëndrimit në detyrë.

About Redaksia

Check Also

Tabaku: Plaga më e madhe e Shqipërisë është humbja e besimit, detyra jonë është ta rikthejmë atë

Deputetja e PD, Jorida Tabaku, mbajti një fjalim me tone reflektuese dhe bashkuese në Kuvendin …