Dje isha në protestë për transparencën…

Nga Eralba Kreshpa
Nenkryetare e PD Vlore

Dje isha pjesë e protestës. Jo sepse jam kundër investimeve të huaja. Përkundrazi, do të jem gjithmonë pro çdo investimi serioz që sjell zhvillim, vende pune dhe mirëqenie për qytetin tim. E dua Vlorën më të zhvilluar, më moderne dhe më europiane. E dua një Vlorë ku të rinjtë të gjejnë mundësi dhe jo arsye për t’u larguar.

Por dje isha në protestë për transparencën. Për të drejtën e qytetarëve për t’u informuar dhe për t’u dëgjuar. Për respektimin e komunitetit, të mjedisit dhe të ligjit. Isha aty për të kërkuar llogari dhe përgjegjësi, jo për të penguar zhvillimin.

Ajo që më bëri përshtypje ishte një vajzë e re, rreth 19 vjeçe, që thërriste: “Rama në burg, Berisha në burg”. Më erdhi natyrshëm të pyes: pse Berisha? Kur Berisha ka qenë për herë të fundit në pushtet, ti ke qenë vetëm 5 ose 6 vjeçe. Ndoshta mosha nuk të ka dhënë mundësinë ta njohësh atë periudhë dhe rolin që ai ka pasur në historinë politike të vendit.

Por ajo që më habiti edhe më shumë ishte një anëtar i Këshillit Bashkiak që bërtiste me sa fuqi kishte “Berisha në burg”.

Dhe këtu nis paradoksi.

Ti nuk je zgjedhur në Këshillin Bashkiak nga ndonjë parti e vogël. Nuk je zgjedhur nga ndonjë fraksion. Nuk je zgjedhur me votat e tua personale. Ti je zgjedhur si kandidat i Partisë Demokratike. Je votuar nga demokratët. Je ulur në atë karrige falë votave të mijëra qytetarëve që besuan te Partia Demokratike dhe te lideri i saj.

Vetëm pasi more mandatin, vendose të largoheshe politikisht dhe t’i bashkoheshe një fraksioni brenda PD-së. Kjo është zgjedhja jote dhe askush nuk ta mohon. Por ajo që nuk mund të pranosh është të mohosh origjinën e mandatit që mban sot.

Sepse mandati yt nuk ka ardhur nga fraksioni ku u bashkove më vonë. Mandati yt ka ardhur nga Partia Demokratike.

Prandaj, kur të dëgjoj të bërtasësh kundër Berishës, pyetja është e thjeshtë: ku ishte ky guxim kur kërkoje votat e demokratëve? Pse nuk e refuzove mandatin në momentin që vendose të ndiqje një rrugë tjetër politike? Pse nuk ua ktheve demokratëve atë që të dhanë?

Politika nuk është vetëm e drejta për të folur. Politika është edhe përgjegjësi morale. Dhe përgjegjësia morale të kërkon që, kur nuk përfaqëson më ata që të votuan, të paktën të tregosh respekt për votën e tyre.

Nuk mund të vazhdosh të mbash mandatin që ta dhanë demokratët dhe njëkohësisht të sillesh sikur nuk u detyrohesh asgjë atyre. Nuk mund të vazhdosh të shijosh përfitimet e një mandati të marrë nga Partia Demokratike dhe në të njëjtën kohë të sulmosh forcën politike që të ngriti.

Kjo nuk është as kurajë, as parim. Kjo është hipokrizi politike.

Është e lehtë të bërtasësh kundër Berishës kur je ulur në një karrige që ta sollën votat e demokratëve. E vështira është të dalësh vetëm para qytetarëve dhe të fitosh vetë besimin e tyre.

Nëse vërtet beson se demokratët, Partia Demokratike dhe Berisha nuk përfaqësojnë më asgjë për ty, atëherë vepro me integritet politik: jep dorëheqjen nga mandati që more falë tyre dhe kërko votën me emrin tënd.

Deri atëherë, çdo britmë kundër Berishës tingëllon si mosmirënjohje ndaj atyre që të votuan dhe si përpjekje për të mohuar shkallën me të cilën u ngjite në politikë.

Sepse mund të largohesh nga një parti, mund të ndryshosh bindje, mund të zgjedhësh një rrugë tjetër. Por nuk mund ta fshish historinë. Dhe historia është e thjeshtë: në atë karrige nuk të çoi asnjë fraksion. Të çuan votat e demokratëve.

About Redaksia

Check Also

Sanksionet amerikane/ Miku i Ramës në listën e zezë të SHBA, kush janë 7 subjektet e tjera

Deri në fillim të qershorit 2026, në listën e zezë amerikane ishin vendosur 131 individë …