
1990-E duam Shqipërinë si gjithë Europa

Shqipëria e viteve ’90 ishte, në shumë aspekte, një ferr tokësor për qytetarët e saj. Varfëria ishte ekstreme, tregu pothuajse inekzistent, industria e ngritur mbi logjikën e ekonomisë së komanduar kishte falimentuar, ndërsa bujqësia dhe blegtoria prodhonin rendimente të ulëta dhe të pamjaftueshme. Vendi ishte i izoluar nga Perëndimi për shkak të politikës së vetëizolimit dhe i braktisur nga Lindja pas prishjes me Bashkimin Sovjetik në vitet ’60.

Në këtë realitet të zymtë, studentët e universiteteve të Tiranës, qytetarët e kryeqytetit dhe një pjesë e intelektualëve që kishin arritur t’i mbijetonin degradimit ideologjik u bënë zëri i ndryshimit. Të frymëzuar nga shembja e diktaturave komuniste në Europën Lindore, ata u ngritën kundër regjimit dhe nisën procesin e përmbysjes së diktaturës komuniste në Shqipëri.

Thirrja që sintetizoi aspiratën e asaj lëvizjeje ishte e thjeshtë, por e fuqishme: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa.”
Lëvizja studentore e Dhjetorit 1990 dhe kjo thirrje gjetën mbështetje të gjerë nga vendet europiane dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Brenda pak muajsh u liruan të burgosurit politikë, u rihapën institucionet fetare, u hodhën themelet e pluralizmit politik dhe u nis procesi i transformimit të legjislacionit të trashëguar nga diktatura.

Ekonomia e tregut filloi të jepte rezultatet e para. Dyqanet e boshatisura, ku për vite të tëra kishin bashkëjetuar raftet bosh me portretet e diktatorit, u mbushën me mallra. Ishte mrekullia e tregut të lirë. Fotografia e diktatorit përfundoi në kosh, por bashkë me të nuk u larguan gjithmonë njerëzit dhe mendësitë që kishin shërbyer sistemin e vjetër.

Këtu filloi edhe një nga gabimet më të mëdha të tranzicionit. Privatizimi, shpesh i paqartë dhe i pakontrolluar, krijoi privilegje të pamerituara për individë që kishin qenë pjesë e strukturave të vjetra. Shumë prej tyre u shndërruan brenda natës në pronarë dhe përfitues të pasurive publike.

Megjithatë, pavarësisht problemeve dhe gabimeve, Shqipëria kishte hyrë në një rrugë pa kthim drejt reformave dhe integrimit europian. Shpresa ishte e madhe dhe besimi se vendi mund të bëhej si Europa dukej më i fortë se kurrë.

1997-Duam paratë tona

Endrra për një Shqipëri si gjithë Europa, mori goditjen më të rëndë në vitin 1997.
Rënia e skemave piramidale nuk solli vetëm humbje ekonomike për mijëra familje shqiptare. Ajo prodhoi një krizë të thellë politike, sociale dhe institucionale, pasojat e së cilës ndihen edhe sot.

Slogani “Duam paratë tona” mobilizoi zemërimin e njerëzve që kishin humbur kursimet e jetës. Por ai u shndërrua shpejt në simbolin e një periudhe kaosi që çoi në rrënimin e shtetit, armatosjen e popullsisë dhe rikthimin e dhunës në jetën publike.

Në atë klimë u fuqizuan grupet kriminale, trafiku i qenieve njerëzore, trafiku i drogës dhe rrjetet e kontrabandës. Rikthimi i emigrimit masiv me anije drejt Italisë kujtoi eksodin e marsit 1991. Bandat dhe trafikantët fituan terren, ndërsa lidhjet mes krimit dhe politikës nisën të bëheshin gjithnjë e më të dukshme.

Slogani “Duam paratë tona” u shua pa e realizuar premtimin e tij. Shumica e qytetarëve nuk i morën kurrë kursimet e humbura. Përfituesit e vetëm rezultuan individë dhe grupe që arritën të ngjiteshin në majat e pushtetit politik dhe ekonomik duke shfrytëzuar kaosin e kohës.

Por dëmi më i madh i vitit 1997 nuk ishte ekonomik. Ai ishte moral.
Ajo periudhë vrau besimin e një brezi të tërë se Shqipëria mund të bëhej vërtet si Europa. Shpresa që kishte lindur në Dhjetor 1990 u godit rëndë dhe tranzicioni shqiptar mori një drejtim të ri, më të gjatë, më të vështirë dhe më të dhimbshëm.

2026- E duam vendin tone

Sot, më shumë se tri dekada pas rënies së komunizmit, Shqipëria është pa dyshim një vend tjetër. Rrugët, qytetet, infrastruktura dhe standardi i jetesës nuk kanë asnjë krahasim me atë të fillimit të viteve ’90.

Megjithatë, problemi themelor mbetet i pazgjidhur: ndërtimi i një shteti që vendos interesin publik mbi interesat e pushtetit.
Shumë qytetarë kanë krijuar bindjen se qeverisja e vendit shpesh është orientuar më shumë nga nevoja për të ruajtur pushtetin sesa për të forcuar institucionet demokratike.
Për këtë arsye janë shtuar debatet dhe kundërshtitë mbi mënyrën se si administrohen pasuritë natyrore, hapësirat publike dhe projektet strategjike.

Këto shqetësime janë shfaqur në çështje të ndryshme që lidhen me naftën, kromin, bregdetin, zonat e mbrojtura, qendrat urbane dhe projektet e mëdha zhvillimore. Debati publik është zhvilluar nga veriu në jug, nga qytetet e mëdha deri në komunitetet më të vogla, duke treguar se kërkesa për më shumë transparencë dhe llogaridhënie është bërë pjesë e ndërgjegjes qytetare.

Askush nuk duhet të jetë kundër investimeve të huaja, zhvillimit ekonomik apo integrimit europian. Përkundrazi, ato mbeten objektiva të rëndësishëm për të ardhmen e vendit.

Por zhvillimi nuk mund të ndërtohet duke përjashtuar konkurrencën, duke dëmtuar mjedisin, duke shmangur transparencën apo duke favorizuar interesa të ngushta ekonomike e politike. Një zhvillim i tillë krijon pasuri për pak njerëz, por jo mirëqenie për shoqërinë.

Pikërisht për këtë arsye, motoja që po dëgjohet gjithnjë e më shpesh në protestat qytetare është: “E duam vendin tonë.”
Ky slogan nuk është kundër zhvillimit. Nuk është kundër Europës. Nuk është kundër investimeve.
Ai është në mbrojtje të Shqipërisë.

Ta duash vendin tënd do të thotë të mbrosh pasuritë e tij, institucionet e tij dhe të ardhmen e fëmijëve të tij. Do të thotë të qëndrosh përtej ndarjeve partiake, paragjykimeve krahinore dhe konflikteve artificiale që na kanë mbajtur të përçarë për dekada.

Shqipëria ka nevojë për më shumë bashkim qytetar dhe më pak adhurim ndaj pushtetit.
Ka nevojë për institucione që i shërbejnë qytetarit dhe jo interesave të ngushta politike.
Ka nevojë për njerëz që e shohin vendin si atdhe dhe jo si plaçkë.
Sepse Shqipëria nuk duhet t’u lihet në dorë atyre që janë gati ta shesin për një karrige.
Tiranë me 4 Qershor 2026.