Gjykata e Lartë ka vendosur të kthejë për rigjykim në Apelin e Posaçëm dosjen që lidhet me tenderin e uniformave të Policisë së Shtetit, me vlerë 28 milionë euro.
Në këtë proces gjyqësor janë të përfshirë nëntë të pandehur, Edlira Naqellari, Flutura Çekrezi, Anisa Bogdani, Ani Omuri, Aurora Mulla, Kleivis Hasani, Kreshnik Bejkaj, Gëzim Mingaj, Fatmir Demneri dhe Mariglen Buzali.
Bëhet fjalë për tenderin me fond limit 2.8 miliardë lekë, për blerjen e uniformave dhe këpucëve të Policisë së Shtetit, një procedurë që u hetua nga SPAK pas kallëzimit të bërë në vitin 2021 nga ish-deputetët e opozitës parlamentare Halit Valteri dhe Myslim Murrizi.
SPAK akuzoi zyrtarët se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me ish-drejtoreshën Edlira Naqellari, kishin shkelur rregullat e prokurimit publik dhe barazinë në tendera, duke favorizuar fituesin dhe duke shkaktuar dëm ekonomik ndaj shtetit.
Në fund të vitit 2021, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i dënoi të pandehurit me nga një vit burg, dënim që u ul për shkak të gjykimit të shkurtuar. Për një pjesë të tyre, dënimet u konvertuan në shërbim prove. Më pas, edhe Gjykata e Apelit të Posaçëm la në fuqi vendimin e fajësisë.
Megjithëse të gjithë të dënuarit kanë përfunduar shlyerjen e dënimeve, ata vijojnë të jenë të përjashtuar nga ushtrimi i funksioneve publike për pesë vite.
Tashmë, me vendimin e Gjykatës së Lartë, e gjithë çështja do të rikthehet për shqyrtim nga një trupë tjetër gjykuese.
Gazeta RD