Rektori dinjitoz dhe dorëheqja sfiduese e tij ndaj sistemit

Nga Bujar Leskaj

Dorëheqja e Rektorit të Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, Prof. Dr. Tonin Gjuraj, përbën një zhvillim të rëndë, madje skandal të mirëfilltë, i cili shkon përtej kufijve të një institucioni të vetëm të arsimit të lartë publik. Ajo ngre pikëpyetje serioze mbi gjendjen reale të autonomisë universitare në Shqipëri dhe mbi raportin e deformuar mes universiteteve publike dhe sektit Rama në qeverisje, tër përfaqësuar në këtë rast nga një Ministri e Arsimit shkatërruese me ndërhyrjet e saj, të autonomisë universitare.
Në çdo demokraci funksionale, universitetet konsiderohen hapësira të lirisë akademike, të mendimit kritik dhe të vetëqeverisjes institucionale. Autonomia universitare nuk është një privilegj i drejtuesve të universiteteve, por një parim themelor që garanton cilësinë e arsimit, pavarësinë e kërkimit shkencor dhe mbrojtjen e interesit publik nga ndikimet politike të momentit.
Rektori dinjitoz Prof.Dr. Tonin Gjuraj u detyrua të dorëhiqej, për shkak të ndërhyrjeve flagrante të Ministrisë së Arsimit, si dhe për shkak të tensionit të shkaktuar nga largimi nga puna prej Bordit të Administrimit të një plejade profesorësh të nderuar të Universitetit të Shkodrës.
Ligji shqiptar për arsimin e lartë njeh autonominë e universiteteve në aspektin akademik, organizativ, financiar dhe të përzgjedhjes së strukturave drejtuese. Megjithatë, prej vitesh është ngritur me të drejtë shqetësimi se kjo autonomi ekziston më shumë në letër, sesa në praktikë. Rasti flagrant i dorëheqjes së Prof. Gjuraj është dëshmi therëse.
Në të gjitha universitetet tona publike, shumë vendimmarrje të rëndësishme ndikohen nga politika qendrore e Ministrisë së Arsimit, përmes instrumenteve të ndryshme: kontrollit financiar, procedurave burokratike, emërimeve të komanduara të administratorëve të Bordeve, miratimeve administrative, politikave të financimit dhe ushtrimit të presioneve të drejtpërdrejta apo të tërthorta ndaj drejtuesve universitarë.
Dua të sjell një pasazh të shkrimit të sotëm të gazetarit Gjergj Zefi: “Kur një profesor me karrierë akademike, me tituj shkencorë dhe me legjitimitetin e votës universitare largohet duke deklaruar se nuk ka më forcë përballë një bordi administrimi, problemi nuk është më personal. Problemi bëhet kombëtar. Sepse mesazhi që merr çdo pedagog, çdo studiues dhe çdo student është brutal: në Shqipëri nuk fiton dija, por injoranca përmes mbështetjes politike”.
Dorëheqja e detyruar e Prof. Tonin Gjurajt ka ardhur si pasojë e pamundësisë për të ushtruar kompetencat që ligji ia njeh rektorit dhe organeve drejtuese të universitetit, atëherë kemi të bëjmë me një problem shumë më të madh sesa një konflikt institucional. Kemi të bëjmë me dobësimin e një prej shtyllave kryesore të shoqërisë demokratike: pavarësinë e institucioneve akademike.
Universitetet nuk mund të funksionojnë si degë administrative të ministrive. Rektori nuk duhet të jetë zbatues pasiv i vendimeve të ardhura nga lart, por drejtues i zgjedhur nga komuniteti akademik, me mandat të qartë dhe përgjegjësi të drejtpërdrejtë ndaj pedagogëve, studentëve dhe institucioneve kolegjiale të universitetit. Në të kundërt, proceset zgjedhore universitare humbasin kuptimin e tyre dhe vetë koncepti i vetëqeverisjes universitare zbrazet nga përmbajtja.
Përvoja evropiane tregon se universitetet më të suksesshme janë pikërisht ato që gëzojnë autonomi të gjerë, të shoqëruar me mekanizma të fortë transparence dhe llogaridhënieje.
Dokumente të rëndësishme të Procesit të Bolonjës, si edhe rekomandimet e Shoqatës Evropiane të Universiteteve (EUA), e konsiderojnë autonominë institucionale si kusht për zhvillimin e cilësisë në arsimin e lartë. Ndërhyrjet politike në emërime, në menaxhimin e burimeve njerëzore apo në vendimmarrjet akademike cenojnë standardet që Shqipëria ka marrë përsipër të respektojë në rrugën e saj të integrimit evropian.
Natyrisht, autonomia nuk duhet të ngatërrohet me mungesën e kontrollit apo me imunitetin institucional. Universitetet publike administrojnë fonde publike dhe duhet t’u nënshtrohen auditimeve, vlerësimeve të performancës dhe rregullave të transparencës.
Mirëpo kontrolli i ligjshmërisë është krejt i ndryshëm nga ndërhyrja në vendimmarrje. Ministria e Arsimit dhe vetë ministrja ka detyrimin të garantojë respektimin e ligjit. Ajo nuk ka asnjë të drejtë të zëvendësojë organet akademike në ushtrimin e kompetencave të tyre.
Dorëheqja e rektorit të Universitetit të Shkodrës përfaqëson një kambanë të fortë alarmi. Ajo kërkon transparencë të plotë mbi shkaqet që e diktuan këtë vendim, reflektim institucional nga Ministria e Arsimit dhe një angazhim serioz për forcimin e autonomisë universitare në praktikë dhe jo vetëm në dispozitat ligjore.
Mbrojtja e universitetit nga ndërhyrjet abuzive nuk është mbrojtje e privilegjeve të një grupi të caktuar. Është mbrojtje e së drejtës së shoqërisë për të pasur universitete të lira, të pavarura dhe të afta për t’i shërbyer zhvillimit të vendit përmes dijes, meritës dhe integritetit akademik.
Dorëheqja e Prof. Gjurajt duhet të shërbejë si nxitje për një debat të gjerë kombëtar mbi të ardhmen e universiteteve shqiptare. A janë ato vërtet institucione autonome? A kanë drejtuesit e zgjedhur hapësirën e nevojshme për të marrë vendime në interes të komunitetit akademik? A ekzistojnë mekanizma efektivë për të mbrojtur universitetet nga ndikimet e pushtetit politik?
Përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve nuk kanë rëndësi vetëm për pedagogët dhe studentët. Ato lidhen drejtpërdrejt me cilësinë e elitës profesionale që formon vendi, me aftësinë për të prodhuar dije dhe inovacion, si dhe me nivelin e demokracisë shqiptare. Një universitet pa autonomi rrezikon të shndërrohet në një institucion formal, ku bindja zëvendëson mendimin kritik dhe konformizmi zëvendëson meritën.

About Redaksia

Check Also

Një dorëheqje kundër sistemit

Nga Luçiano BOÇI Dorëheqja e rektorit të Universitetit të Shkodrës, Tonin Gjuraj, është një sinjal …