Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, akuzoi kryeministrin Edi Rama se mashtroi publikisht për rezolutën e Parlamentit Evropian për Shqipërinë, që lidhej me amendamentin e ndërtimeve në zonat e mbrojtura dhe shfuqizimin e ligjit të investimeve strategjike.
Deputeti iu referua deklaratës së eurodeputetes italiane, Cristina Guarda, e cila ka reaguar publikisht në lidhje me atë çka po ndodh në Shqipëri, ku qytetarët janë ngritur në protestë duke kërkuar largimin e kryeministrit Rama.
“Parlamenti Europian sqaron Rezolutën për Shqipërinë të miratuar këtë javë, duke rrëzuar mashtrimin publik të Edi Ramës dhe Taulant Ballës”, shkruan Bardhi në një postim të shkurtër në rrjetin social, që e shoqëron edhe me videon e eurodeputetes Guarda.
Më tej ai nënvizon se integrimi i vendit nuk ka nevojë për gënjeshtra dhe sugjeroi që adresimi që BE i bënte Shqipërisë të niste me transparencën për Zvërnecin dhe shfuqizimin e ligjit për zonat e mbrojtura.
“Integrimi europian i Shqipërisë nuk ka nevojë për gënjeshta, por për plotësim të kushteve dhe adresim të shqetësimeve të Parlamentit Europian. Le ta nisim me shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura dhe me transparencën për çështjen e Zvërnecit”, thekson Bardhi.
Çfarë tha eurodeputetja Cristina Guarda dhe rrëzimi i Ramës
Përmes një postimi në rrjetin social Instagrami, Guarda tha se amendamenti për zonën e Vjosës-Nartës ku kërkohet ndalimi i ndërtimeve u miratua me shumicë, por kryeministri Edi Rama nuk e priti aspak mirë.
Guarda tha se, Shqipëria ka shumë sfida përpara që lidhen me lirinë e shtypit, korrupsionin, presionet mbi drejtësinë, të drejtat e minoriteteve dhe mbrojtjen e mjedisit. Po ashtu ajo thekson se kryeministri Rama duhet të dëgjojë kërkesat e protestuesve.
“Kryeministri Rama diskutoi amendamentin në një postim në Facebook, duke thënë se Parlamenti Europian, me një votim të minutës së fundit, ndau “faktet” nga “tymi” në lidhje me protestat për zonën e mbrojtur të Vjosës-Nartës. Është për të ardhur keq që po themi pikërisht të kundërtën”, shprehet eurodeputetja.
Gazeta RD
