Në ditën e 59-të të protestës para Kryeministrisë, një prej protestuesve ka bërë thirrje për vijimin e qëndresës dhe bashkimin e qytetarëve kundër qeverisë.
Ai akuzoi mazhorancën për korrupsion, keqmenaxhim të shëndetësisë, arsimit dhe largimin e shqiptarëve nga vendi. Sipas tij, problemet në këto fusha janë pasojë e një politike që ka sjellë shpopullimin dhe braktisjen e qytetarëve.
Ai deklaroi se protesta do të vijojë deri në realizimin e kërkesave të qytetarëve.
Protestuesi: Mirëmbrëma të dashur shqiptarë. Ngrihem në këtë podium të lirisë, në podiumin e shpresës me një mirënjohje shumë të thellë për të gjithë ata persona që kanë kaluar në këtë protestë. Me një matematikë të thjeshtë, në këtë protestë kanë kaluar 5 milionë veta, në këto 59 ditë. A e mendoni apo jo? Nga një, me një ditë, ka dhe me 60 ditë. Për të gjithë, mirënjohje dhe përulje.
Dhe ju ftoj në qëndresë edhe në bashkim deri në rrëzimin e këtij këtu. Nuk është habi, nuk është habi të dashur vëllezër se si çdo fenomen që ndodh këtu në Shqipëri është i lidhur me vjedhjen, me sabotimin, me shpopullimin edhe me tradhtinë. Të lësh Shqipërinë pa porte edhe pa hekurudha nuk është vetëm sabotim, po është edhe tradhti.
Të lësh shëndetësinë në këtë gradë, shëndetësia falas në pritje… dhe të shkojë shëndetësia që vetëm 20 ditë bëhen analiza dhe nuk ka ilaçe për të sëmurët me kancer, këta hanë edhe lekët e kancerit. Korrupsion me lekët e sëmundjes!
Të lësh Shqipërinë pa arsim, me klasa kolektive. Po ky është shpopullim more! Të lësh arsimin e lartë në një batak, të klasifikohemi në nivelet më të ulëta në botë… arsimi i mesëm i renditur në nivele nën të ulëtin, në minimum. Këto janë skandaloze! Turp! Turp!
Ju kërkoj të gjithëve që të jemi të bashkuar dhe të kërkojmë me ngulm dorëheqjen dhe rrëzimin e këtij kryeministri. Këtu gjithçka është sabotuar. Kemi një udhëheqës më të keq se Enver Hoxha dhe se Zogu. Enver Hoxha e gjeti këtë popull, e la këtë popull me 3 milionë e gjysmë. Kushte sot jemi vetëm 1 milion e gjysmë në këto troje. Ky është shpopullim dhe tradhti. Reformat territoriale, gjithçka… heqja e shërbimeve, largimi i komunave, i bashkive… janë braktisje, janë shpërngulje dhe vetëm për të shfrytëzuar dhe për të grabitur me paketën e maleve, me ligjet e tjera, për t’i shitur tokat të huajve. Po kush janë këta të huaj? Po të shikosh, trajnimet që i bëhen policisë edhe gjithë kështu, vijnë nga Izraeli. Mbrojtja, të tërë bazat ushtarake i janë dorëzuar Izraelit.
Çfarë është kjo? Ky është kalim pushteti! Kjo është tradhti! Albanian files janë projekte për kolonizimin e Shqipërisë. Ngrehu Vlora! Ngrehu Vlora se do ta kesh kufirin në Tërbaç e në Kurvelesh atje! Do ju shkëpusin nga varret e të parëve!
Do ju thajnë rrënjët! Për këtë të ardhme i rrisni fëmijët?! SPAK-u të arrestojë Edi Ramën! Arrestoni Ramën! Arrestoni Ramën! Arrestoni Ramën! Ata kanë gjetur një popull, një shtet që është i rrethuar me popullin e vet, me kufij… në katër shtete të tjera kufizohemi me shtetin tonë, me bashkatdhetarët tanë. Gjithashtu në emigrim kemi më shumë se gjysmën e popullit. Mosha mesatare e popullit tonë ka vajtur në nivele të frikshme. Ka më shumë të punësuar në administratë me patronazhistë se sa në sektorin privat.
Gazeta RD