Olta Gjonaj: Doktor, si e gjykoni vendimin e Partisë Socialiste për shkrirjen e 15 bashkive dhe për më tepër që shprehen të bindur se kjo nuk i jep atyre asnjë favor politik?
Sali Berisha: E theksova dhe në takimin e dy ditëve më parë me komisionin e reformës territoriale: Zvogëlimi me reformën territoriale të vitit 2014 i numrit të bashkive dhe komunave nga 410 në 61 kishte qëllimin më madhor, përveç atij elektoral, dëbimin e butë të shqiptarëve nga Shqipëria.
Zhdukja nga harta e qeverive vendore të komunave bëri që në atë që quhet Shqipëri rurale, dhe që ishte rreth 49% e popullatës, të ndërpriten të gjitha investimet. Të ndërpritet çdo investim në infrastrukturë, në rrjetin e kanalizimeve, rrjetin e ujësjellësve, në mbështetjen e fermerëve.
Dhe kjo politikë antishqiptare ka pasur pasojat më katastrofale në rrafshin demografik mbi kombin shqiptar që nga viti 1913, viti i mortajës së zezë apo vdekjes së zezë, gjer sot.
Kurrë ky komb nuk ka humbur në 10 vite, siç ka humbur nga viti 2015 në vitin 2024, vetëm në hapësirën e Shengenit, sipas Eurostat, 1 milion e 99 mijë shqiptarë. Dhe në qoftë se shtojmë statistikën e atyre që shkuan në Shtetet e Bashkuara, atyre që shkuan në Kanada, Norvegji, Lindjen e Mesme, Afrikë, Australi, vende të tjera, e vërteta është që 47% e shqiptarëve në 10 vite janë larguar nga Shqipëria.
Mendoj se kjo është goditja më e rëndë në vetë ekzistencën e kombit shqiptar.
Këto ditë u shpall se do merreshin mbi 22 mijë punëtorë nga Vietnami. Një statistikë tregon se 23 mijë të punësuar janë të huaj në vend, pa llogaritur ata që s’janë të regjistruar, që janë dhjetëra mijëra.
Çfarë po ndodh? Po ndodh boshatisja e pamëshirë e Shqipërisë nga shqiptarët. Vetëm për këtë, gjenocid të butë, gjenocid të krijuar për kushtet e kalkuluara. U hoqi shërbimet, komunat, u hoqi investimet, hoqi mbështetjen për bujqësinë, përgjysmoi ndihmën ekonomike.
Vetëm në një vit në qarkun e Kukësit, qarkun më të varfër të Evropës, ka ndërprerë ndihmën ekonomike të 20 mijë familjeve. Pra, ky quhet spastrim etnik për kushtet e kalkuluara. Këto kushte janë të përcaktuara që të gjitha në platformën e Vaso Çubrilloviçit për shqiptarët në Kosovë. Dhe ata u larguan edhe me një marrëveshje që qeveria jugosllave firmosi me Turqinë në atë kohë, por efekti i zbatimit të platformës së Çubrilloviçit në Kosovë është dy herë më i vogël se efekti i zbatimit të platformës së Ramoviçit në Shqipëri.
Ndaj dhe çdo shqiptar, që e ndjen veten, duhet të japë kontribut për largimin e tij sa më të shpejtë dhe gjykimin për gjenocid ndaj shqiptarëve.
Gazeta RD