Një nga pjesëmarrësit në protestën që po zhvillohet në sheshin “Skënderbej” ka deklaruar se lëvizja qytetare kundër qeverisë mund të përshkallëzohet në mosbindje civile, nëse kërkesat e protestuesve nuk marrin përgjigje.
Gjatë një prononcimi për mediat nga protesta, ai u shpreh se tubimet, të cilat sipas tij tashmë janë shtrirë edhe në qytete të tjera të vendit, mund të hyjnë në një fazë të re të reagimit qytetar.
“Dua që kjo protestë të zgjasë, pasi është maratonë, jo sprint. Kjo protestë mund të përshkallëzohet në mosbindje civile anembanë Shqipërisë. Do të jetë e vështirë, patjetër, pasi këta kontrollojnë gjithçka. Nuk kemi sindikata. Revolta është e vonë, por shyqyr që ndodhi”, u shpreh protestuesi.
Gjatë fjalës së tij, ai hodhi akuza edhe ndaj qeverisë, duke pretenduar se ka fshehur problemet që lidhen me zhvillimin urban dhe pastrimin e parave, ndërsa theksoi se protestat duhet të vijojnë deri në arritjen e objektivave të lëvizjes.
Lëvizja qytetare kundër qeverisë ka hyrë në ditën e 65-të, me organizatorët që vijojnë të kërkojnë largimin e Edi Ramës dhe ndryshim politik.
Gazeta RD