Reforma Territoriale, e cila parashikon fshirjen nga harta e bashkive të Bashkisë Dimal, ka nxjerrë sërish mbrëmjen e sotme në protestë banorët e kësaj bashkie.
Me pankarta në duar, qytetarët e Dimalit kanë kërkuar që qeveria të mos e prekë këtë bashki. Banorët kanë deklaruar se Dimalit është qyteti ku ata duan të rrisin fëmijët e tyre dhe se kjo bashki është një nga zonat me prodhimin më të madh bujqësor në vend.
“Mos e prekni Dimalin, do ta mbrojmë”, kanë deklaruar qytetarët gjatë protestës, duke kërkuar njëzëri që Bashkia Dimal të mos përfshihet në ndryshimet e reja të Reformës Territoriale.
Sipas banorëve, bashkimi i Bashkisë Dimal me Beratin do t’ua vështirësojë jetën dhe ekonominë, veçanërisht fermerëve të Njësive Administrative Kutalli, Cukalat, Poshnje etj.
Gjatë protestës, Administratori i Njësisë Administrative Kutalli, Miço Rakazia, ka dhënë publikisht dorëheqjen nga posti që mban.
“Meqë në Dimal s’do ketë më asnjë shërbim, jap dorëheqjen”, ka deklaruar Rakazia, duke bërë të ditur vendimin e tij për largimin nga detyra.
Gazeta RD