Zjarret në Krujë kanë marrë një tjetër dimension pas deklaratave të deputetes së pavarur Marjana Koçeku, e njohur edhe si “Neomalësorja”, e cila ngre dyshime se flakët në zonën pas fabrikës së çimentos mund të lidhen me interesa për shfrytëzimin e territorit.
Në këtë zonë ndodhen 4-5 gurore të mëdha, ndërsa ditët e fundit ajo është përfshirë nga zjarret. Sipas Koçekut, tre vatra vijojnë të jenë aktive.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Koçeku shprehet se zjarret nuk duhen parë vetëm si pasojë e temperaturave të larta apo faktorëve natyrorë, duke hedhur një tezë të fortë mbi përdorimin e flakëve si instrument për të krijuar hapësirë për zhvillime të mëvonshme në territor.
Koçeku sjell si shembull edhe situatën e Pishë-Poros, ku sipas saj zjarri vijoi për rreth 10 ditë dhe shkaktoi dëme të mëdha.
Postimi i plote ne Facebook
Mbas fabrikës së çimentos në Krujë ndodhen 4-5 gurore të mëdha. Këto ditë, ky vend ishte edhe ndër vatrat kryesore të zjarrit, ku 3 prej tyne vazhdojnë me qenë aktive. Jo rastësisht… Shpeshherë zjarri në Shqipëri ka qenë politik dhe mjet për me zaptu territore të reja. Zjarr për me incentivu “zhvillime” të mavonshme, lehtësime ligjore e depërtime që, në kushte normale, nuk do mundeshin me u realizu. Siç ndodhi në Pishë-Poro para dy vitesh, ku zjarri zgjati 10-ditë pa ndërhyrje dhe shkrumboi gjithçka.
Ka ma shumë shtysa me djeg e shfrytëzu territor sesa me e mbrojtë atë. Tu përqendru tanë energjitë te ndërtimi pa kriter dhe spekulativ, njerëzit shohin çdo lloj rruge për përfitim ekonomik. Jo rastësisht shumica e guroreve kontrollohen edhe nga grupe mafioze e kriminale.
Nuk ka ende nji linjë të saktë sesi administrohet toka-pyll. Shpesh tu e lanë tokë të askujt, askushi s’e ndjen ma as përgjegjësinë e as përkatësinë, por vetëm dëshirën me zhvat e me përfitu.
Kjo pashmangshmërisht lidhet edhe me reformat territoriale që janë ba në kohë e që tash po synojnë me shkri disa bashki të vogla. Tu i heq kompetencat prej poshtë, po shkrihet lidhja e komunitetit me territorin, lidhja administrativo-institucionale me njerëzit e vendit. Kjo asht ma shkatërrimtarja.
Tu heq përgjegjësinë e përkatësinë me vendin, marrëdhëniet e komunitetit me territorin kthehen veç në marrëdhanie burokratike në letër. Kthehen në marrëdhanie të thata e të shkretueme.
Gazeta RD