Shqipëria në flakë! 4 banesa digjen në Pukë, evakuohen banorët në Mirditë

Situata e zjarreve në disa qarqe të vendit vijon të jetë problematike, pasi dhjetëra vatra të regjistruara janë ende aktive. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, deri në orën 17:00 janë evidentuar 24 vatra zjarri, ndërsa 8 prej tyre vijojnë të jenë aktive.

Puka mbetet një nga zonat më problematike. Në aksin Gojan–Gjegjan–Tërbun janë angazhuar 255 forca dhe 11 mjete zjarrfikëse. Situata është veçanërisht e rënduar në lagjen Pepaj, në Gojan të Madh, ku flakët janë afruar pranë banesave.

Si pasojë e zjarrit janë djegur deri tani 4 banesa të pabanuara, ndërsa një tjetër banesë e banuar, e cila ndodhej në rrezik, është arritur të mbrohet nga ekipet në terren. Për mbrojtjen e zonës janë dislokuar mjete zjarrfikëse dhe forca ushtarake, ndërsa ndërhyrja ajrore vijon me helikopter.

Flakët vijojnë gjithashtu në Gojanin e Vogël dhe në zonën e Prozhemit, ndërsa në disa sipërfaqe pyjore të Tërbunit situata raportohet e përmirësuar.

Problematike paraqitet situata edhe në Shtanë të Mirditës, ku përhapja e zjarrit dhe rreziku për banesat kanë bërë të nevojshëm evakuimin e banorëve nga ana e Policisë së Shtetit. Operacioni po mbështetet nga strukturat bashkiake, dy helikopterë dhe mjete zjarrfikëse të Forcave të Armatosura, ndërsa një ambulancë është vendosur në gatishmëri.

Në Dukat të Vlorës, flakët vijojnë të përhapen në drejtim të malit, ndërsa ndërhyrja po kryhet nga toka dhe ajri. Në operacion janë përfshirë forcat zjarrfikëse, shërbimi pyjor, strukturat e Njësisë Administrative Orikum dhe Forcat e Armatosura. Ndërhyrja ajrore po kryhet me dy avionë Air Tractor. Për momentin, autoritetet nuk raportojnë rrezik për banesat.

Në Dajt, ekipet vijojnë punën për izolimin e vatrave të mbetura, ndërsa një pjesë e tyre është neutralizuar dhe aktualisht nuk paraqet rrezik për zonat e banuara.

Ndërkohë, në Mal Milot të Kurbinit, zjarri është shuar pas ndërhyrjes së strukturave zjarrfikëse, Policisë, bashkisë dhe Forcave të Armatosura. Zona vijon të monitorohet për të parandaluar riaktivizimin e flakëve.

About Redaksia

Check Also

Protesta e 83-të/ Duan të na presin shpresën, por nuk na ndal askush! Qeveri teknike në radhë të parë!

Në protestën e 83-të kundër qeverisë Rama, aktivisti nga Milano akuzoi qeverinë për përkeqësimin e …