Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi i ka bërë thirrje Gjykatës Kushtetuese të marrë sa më parë në shqyrtim e të shfuqizojë, atë që PD e cilëson si ligj korruptiv, ‘Paketën e Maleve’.
Përmes një deklarate, Bardhi thekson se, Paketa e Maleve është antikushtetuese, pasi cenon interesat e shtetit dhe të drejtën e pronës private.
Deklarata
Ligji korruptiv “Për Paketën e Maleve” është antikushtetues, pasi cenon interesat e shtetit dhe të drejtën e pronës private. Ky ligj është kundërshtuar nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike në Gjykatën Kushtetuese dhe ne presim që kjo Gjykatë të mbajë qëndrim sa më shpejt, në mbrojtje të Kushtetutës dhe të interesit publik.
Të gjithë jemi dëshmitarë të pasojave që ka krijuar vendimi i paqartë dhe thellësisht dëmshëm i Gjykatës Kushtetuese për ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura. Pasojat e vendimmarrjeve të padrejta të Gjykatës Kushtetuese janë afatgjata dhe, në fund të fundit, i vuajnë qytetarët shqiptarë.
Si ndihen sot pesë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese që, në vitin 2024, legjitimuan ndryshimet ligjore për zonat e mbrojtura, duke i hapur rrugë ndërtimeve? Si ndihen pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Zvërnec, pas 94 ditësh protestë të mijëra qytetarëve shqiptarë, apo tani që Bashkimi Evropian kërkon anulimin e këtij ligji?
Këtë duhet të na e shpjegojnë ata.
A ndiejnë përgjegjësi t’u kërkojnë falje qytetarëve shqiptarë? Edhe këtë duhet të na e shpjegojnë ata.
Ajo që mund të them me siguri është se uroj dhe shpresoj që të njëjtin dëm ndaj interesit publik Gjykata Kushtetuese të mos e shkaktojë edhe me ligjin korruptiv “Për Paketën e Maleve”. Sepse ka çështje që shkojnë përtej interesit të momentit dhe përtej interesit politik të një Kryeministri.
Gjykata Kushtetuese ekziston për të mbrojtur Kushtetutën, shtetin dhe interesin publik në afatgjatë, jo për t’i shërbyer interesave afatshkurtra politike të një Kryeministri. Prandaj, sot më shumë se kurrë, kërkohet një vendimmarrje e pavarur, e shpejt, e drejtë dhe në përputhje me Kushtetutën. Çdo vendim tjetër do të rëndonte edhe më shumë mbi qytetarët dhe mbi besimin e tyre te institucionet e drejtësisë.
Interesi i shtetit dhe e drejta e pronës nuk mund të sakrifikohen për interesa politike të ditës.
Gazeta RD