Eshtë Grusht-Shteti/ Bllokimi i pagave mbyll gjykatat dhe Prokurorinë

Unioni i Gjyqtarëve, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve kanë reaguar ashpër për bllokimin e pagave në sistemin e drejtësisë, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme nga Ministria e Financave dhe strukturat e Thesarit.

Në një deklaratë të përbashkët të publikuar këtë të mërkurë, tre organizatat e magjistratëve thonë se pagat e gjyqtarëve, prokurorëve, funksionarëve të tjerë të sistemit, por edhe të një pjese të administratës gjyqësore dhe asaj të prokurorisë, nuk po ekzekutohen në afatet përkatëse.

Sipas tyre, situata është krijuar pasi procesi financiar është ndalur në hallkën e Thesarit, pavarësisht se institucionet e sistemit të drejtësisë kanë kryer më parë procedurat administrative për përllogaritjen dhe urdhërimin e pagesave.

Në qendër të përplasjes është zbatimi i vendimit nr. 15, datë 17 shkurt 2026, të Gjykatës Kushtetuese.

Sipas deklaratës, pas përfundimit të afatit të përcaktuar nga gjykata, nga 1 gushti 2026 pagat e magjistratëve duhet të llogariten mbi bazën e formulës së përcaktuar në vendimin kushtetues. Shoqatat theksojnë gjithashtu se formula ka efekt prapaveprues për periudhën nga 1 prilli 2023 deri më 31 korrik 2026.

Pas këtyre vendimeve, njësitë përgjegjëse për buxhetin janë ngarkuar të vijojnë me përllogaritjen dhe pagesën sipas përcaktimeve të reja.

Sipas tre organizatave, problemi është shfaqur në fazën e ekzekutimit financiar.

Ato pretendojnë se listëpagesat janë përgatitur me formulën e re dhe janë përcjellë për pagesë, por strukturat përgjegjëse të Drejtorisë së Thesarit nuk kanë vijuar me ekzekutimin për pjesën më të madhe të sistemit.

Gjyqtarët dhe prokurorët e konsiderojnë situatën shumë më tepër sesa një problem administrativ.

Në deklaratën e tyre, ata argumentojnë se moszbatimi në kohë i pagesave prek funksionimin normal të institucioneve të drejtësisë, sigurinë financiare të magjistratëve dhe, mbi të gjitha, efektivitetin praktik të një vendimi detyrues të Gjykatës Kushtetuese.

Sipas tyre, vonesat mund të sjellin edhe pasoja të tjera financiare për institucionet publike, për shkak të diferencave të pagave që mbeten pa u ekzekutuar dhe detyrimeve që mund të krijohen si pasojë e tyre.

Shoqatat paralajmërojnë se një situatë e tillë krijon një precedent shqetësues për mënyrën se si zbatohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Problemi, sipas deklaratës, nuk kufizohet vetëm te gjyqtarët dhe prokurorët.

Bllokimi i listëpagesave dhe procedurave financiare po prek edhe punonjës të administratës gjyqësore dhe asaj të prokurorisë. Shoqatat nënvizojnë se këta punonjës nuk janë subjekte të vendimit kushtetues për pagat e magjistratëve, por po përballen me pasoja financiare për shkak të situatës së krijuar.

Sipas tyre, kjo rrezikon të ndikojë drejtpërdrejt në vijimësinë normale të punës së institucioneve të drejtësisë.

Tre organizatat i kërkojnë Drejtorisë së Thesarit të mos pengojë ekzekutimin e pagesave të urdhëruara nga institucionet e drejtësisë.

Një kërkesë e drejtpërdrejtë i drejtohet edhe Ministrisë së Financave, së cilës i kërkohet të ndërhyjë për zhbllokimin e situatës dhe të garantojë që strukturat në varësi të saj të veprojnë në përputhje me vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Shoqatat kërkojnë gjithashtu që të merren masa për të shmangur krijimin e detyrimeve të tjera financiare ndaj institucioneve publike.

Në fund të deklaratës, Unioni i Gjyqtarëve, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve paralajmërojnë se, nëse nuk gjendet një zgjidhje e menjëhershme, do të përdorin të gjitha mjetet ligjore në dispozicion.

Mes tyre përmendet edhe kërkimi i përgjegjësive ligjore ndaj personave apo strukturave që mund të rezultojnë përgjegjëse për pengimin ose moskryerjen e pagesave.

About Krye Redaktor

Check Also

Krim shtetëror/ Pukën e dogjën për të ndërtuar parqe eolike, dokumenti

Pak ditë pasi zjarret masive përfshinë pyjet e mbrojtura të Pukës, mësohet se bashkia e …