25 vite nga 11 Shtatori, Berisha kujton viktimat: Terrorizmi është armik i njerëzve dhe popujve të lirë

Në 25-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001 në SHBA, Sali Berisha ka kujtuar rreth 3 mijë viktimat e sulmit ndaj Kullave Binjake në New York dhe Pentagonit në Washington.

Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Berisha e cilëson Al Qaedan si organizatoren e sulmit më të madh terrorist në historinë e SHBA-së, duke theksuar reagimin amerikan dhe të aleatëve të saj kundër terrorizmit ndërkombëtar.

Kreu i PD nënvizon edhe rolin e Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit, duke deklaruar se vendi do të vijojë të japë kontributin e tij në këtë përpjekje.

“Viktimat e 11 Shtatorit bëjnë apel që të mos harrohet kurrë se terrorizmi islamist dhe i çdo ngjyre është armik i egër i njerëzve dhe popujve të lirë”, shprehet Berisha.

Në mesazhin e tij, ai përcjell një apel për ruajtjen e kujtesës së viktimave dhe për qëndrim të vendosur të shoqërive demokratike përballë terrorizmit.

Reagimi 

Të dashur miq,

Sot, pas 25 vitesh, kombi i madh amerikan dhe miqtë e tij në mbarë botën kujtojnë viktimat e sulmit terrorist me avionë pasagjerësh mbi Kullat Binjake në New York dhe Pentagonin në Washington, më 11 shtator 2001.

Organizata terroriste Al Qaeda ishte organizatore dhe sponsore e këtij sulmi terrorist, më të madhit në histori, që pati 3000 viktima.

Ky sulm barbar solli reagimin e fuqishëm të SHBA-së dhe aleatëve e partnerëve të saj në Europë dhe në botë, ndër të cilët edhe Shqipëria, kundër Al Qaedës dhe regjimeve terroriste në Afganistan dhe Irak, duke u dhënë atyre ndëshkimin e merituar.

Viktimat e 11 Shtatorit bëjnë apel që të mos harrohet kurrë se terrorizmi islamist dhe i çdo ngjyre është armik i egër i njerëzve dhe popujve të lirë.

Shqipëria ka dhënë dhe do të japë edhe në të ardhmen kontributin e saj në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar.

About Redaksia

Check Also

Berisha: Ergys Agasi mori peng jo një, por disa biznesmenë që paraqiteshin në tendera! 85% e Kadastrës së Durrësit është e manipuluar

Berisha: Ergys Agasi mori peng jo një, por disa biznesmenë që paraqiteshin në tendera, sepse …