“Marshi për Liri” – thirrje e fuqishme për pafajësi për heronjtë e Kosovës në Hagë!

Nga Bujar Leskaj

Dje, me qindra mijëra qytetarë nga Kosova, Diaspora dhe Shqipëria, realizuan në Prishtinë “Marshin për Liri”, katër ditë përpara se Dhomat e Specializuara, Gjykatës së Posaçme në Hagë të japin vendimin përfundimtar për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.  Ky marshim i madh, në mbështetje të drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po përballen me procesin gjyqësor në Hagë, u shndërrua në një shprehje të fuqishme të solidaritetit kombëtar dhe të pritshmërisë legjitime për drejtësi për qytetarët e Kosovës dhe të mbarë hapësirës shqiptare.

Për qytetarët e Kosovës dhe Diasporën e saj, kjo çështje nuk është vetëm një proces penal. Ajo lidhet me historinë e luftës, me genocidin e rregjimit të Millosheviçit, me dëbimet masive, me humbjet njerëzore, me sakrificat e popullit të Kosovës dhe me të drejtën për të mbrojtur dinjitetin e atyre që udhëhoqën luftën për çlirim.

Pritshmëria për pafajësi lidhet me bindjen e palëkundur të qytetarëve të Kosovës, Shqipërisë dhe mbarë hapësirës shqiptare, se drejtuesit e UÇK-së kanë luftuar për lirinë e Kosovës dhe nuk duhet të dënohen për krime që nuk i kanë kryer.

Lufta e UÇK-së ishte një luftë çlirimtare kundër genocidit dhe represionit serb. Drejtuesit e saj kanë pasur rol historik në çlirimin e Kosovës. Akuzat në Hagë, në një proces gjyqësor që zgjati me vite, duhet të provohen me fakte individuale, dhe jo të bazohen mbi përgjegjësi të supozuara kolektive.

Këto janë pritshmëri të drejta dhe kuptueshme, për një shoqëri, si ajo shqiptare, që e konsideron luftën për çlirim pjesë të identitetit të saj kombëtar. Lufta e viteve 1998–1999 u zhvillua në kushtet e një konflikti të armatosur, represionit të rëndë dhe genocidit ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës, si dhe një krize humanitare që përfshiu dëbime masive dhe humbje të shumta njerëzore.

Ndërhyrja e NATO-s dhe zhvillimet ndërkombëtare të vitit 1999 krijuan kushtet për administrimin ndërkombëtar të Kosovës. Në këtë histori, UÇK-ja zë një vend të rëndësishëm. Drejtuesit e saj Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë figura të lidhura ngushtë me luftën dhe me zhvillimet politike të Kosovës pas saj.

Për qytetarët e Kosovës dhe mbarë hapësirës shqiptare, por edhe për shumë ambasadorë dhe ish-ambasadorë të Perëndimit që e kanë mbështetur luftën çlirimtare të UÇK-së, procesi në Hagë shihet si një moment ku po gjykohet jo vetëm përgjegjësia individuale e heronjve të Kosovës, por edhe mënyra se si historia e luftës së Kosovës po interpretohet në planin ndërkombëtar.

Kjo e bën procesin veçanërisht të ndjeshëm. Drejtësia ndëkombtare n Hag nuk mund dhe nuk duhet të jetë selektive. Në mbarë hapësirën shqiptare dhe tek shumë aleatë dhe mbështetës të Kosovës në Perëndim, është i fortë perceptimi se drejtësia ndërkombëtare nuk ka vepruar në mënyrë të barabartë ndaj të gjitha palëve të konfliktit, me procesin gjyqësor ndaj katër drejtuesve të UÇK-së në Hagë. Ata kërkojnë që krimet e kryera ndaj shqiptarëve të Kosovës të mos harrohen dhe që përgjegjësia për krimet e luftës të shqyrtohet pa dallime etnike apo politike.

Një drejtësi ndërkombëtare e besueshme duhet të jetë e pavarur, e paanshme, e bazuar në prova, e barabartë për të gjithë dhe e pandikuar nga presionet politike.

“Marshi për Liri” i djeshë duhet parë si një mesazh qytetar me tri kërkesa të mëdha: Liri, për të kujtuar luftën e Kosovës dhe sakrificat e popullit kosovar; Drejtësi, për të kërkuar që përfundimi i procesit gjyqësor në Hagë të jetë i drejtë dhe i paanshëm dhe Dinijtet, për të mbrojtur figurat dhe heronjtë e luftës nga përgjegjësia kolektive dhe nga gjykimi politik.

Këto kërkesa nuk janë të papajtueshme me drejtësinë. Përkundrazi, ato janë pjesë e një kulture demokratike, ku qytetarët shprehin bindjet e tyre, ndërsa gjykata ndërkombëtare vendos mbi bazën e ligjit.

Jo vetëm ata qindra mijëra që dje marshuan për liri në Prishtinë, por të gjithë qytetarët e Kosovës kanë të drejtë të kërkojnë respektimin e të drejtave të të akuzuarve, mbrojtje nga përgjegjësia kolektive, respektimin e prezumimit të pafajësisë dhe një vendim për pafajësinë, të arsyetuar dhe të besueshëm.

About Redaksia

Check Also

Rrezikshmëria e Shtetit Bektashi! Baba Mondi, jo vegël e Ramës!

Nga Bujar Leskaj Hedhja e idesë një vit më parë nga Rama për mundësinë e …