Anisa Kadesha, RTSH: Zoti Berisha, krahas aspektit politik, si e përjetuat në aspektin personal vizitën në SHBA, e cila në fakt përkon fiks pesë vite pasi ju u përjashtuat nga grupi parlamentar pasi ishit sanksionuar nga SHBA, nga ish-lidershipi.
Sali Berisha: Natyrisht, thashë, e gjitha kjo në tërësi ishte rivendosje e një të drejte. Dhe e thashë dhe në fjalën time aty. Kjo e drejtë u rivendos së pari kur ata që u morën me këtë çështje, morën me kohë ndëshkimin e merituar nga shteti i tyre.
McGonigal, vite burg. Yuri Kim, jashtë shërbimit diplomatik. Antony Blinken, i padëshiruar në vendin e tij. Edi Rama në rrokullisjen e tij të madhe. Lulzim Basha, Lulzim Brava është ndryrë me brava tani.
Këto tani janë realitetet.
Janë realitetet, por duhet të sqaroj me këtë rast një moment për gazetarët, që duhet të jenë korrekt me të vërtetën.
Sali Berisha nuk ka qenë kurrë ‘non grata’. ‘Non grata’ është një akt që bazohet në Konventën e Vjenës. Mbi bazën e kësaj konvente, shtetet që kanë firmosur atë kanë të drejtë të mos pranojnë ose të përzënë diplomatë apo politikanë të caktuar si të padëshirueshëm. Të padëshirueshëm. Ndalimi i vizës sime nuk kishte asnjë lidhje me këtë konventë.
Cilido që merr përsipër të shkruajë të vërtetën duhet t’i referohet ligjit të Kongresit të Shteteve të Bashkuara 7003 C. Ligj i cili autorizon Sekretarin e Shtetit të shpallë ‘ineligible’, të papërzgjedhshëm… ‘ineligible’ është termi i ligjit, për të hyrë në Shtetet e Bashkuara, personat që ai gjykon po këto.
Vijmë në rastin tim. Pra, nuk ka qenë kurrë ‘non grata’, ka qenë ky ligj dhe ky neni i tij.
Dhe për t’i sqaruar përfundimisht ata që duan të dinë të vërtetën, me gjithë përpjekjet e bëra sepse nga ky ligj kalohet në dy akte të tjera, të cilat sanksionojnë llogaritë bankare, sanksionojnë pasuritë, ndalojnë bankat ndërkombëtare të kenë depozita nga ky person, ndalojnë shtetasit amerikanë të bashkëpunojnë me persona në biznes e të tjerë.
Por kjo nuk u pranua, ndonëse është dërguar. Është dërguar te thesari, dhe Thesari i Shteteve të Bashkuara, pas vetingut e ka mbrapsht duke deklaruar se në ligjin që ne zbatojmë nuk ka asgjë për filanin.
Kështu që unë mbeta thjesht njeriu me vizë të ndaluar. Atë, po në përputhje me ligjin dhe njëherë, se ligji ka përcaktuar si vepron sekretari, i ka modalitetet kur sekretari mund ta anulojë, dhe këtë e ka bërë Sekretari Rubio për Sali Berishën, ka hequr ndalimin e vizës.
Pra nuk ka asnjë sanksion tjetër, nuk ka qenë kurrë ‘non grata’. Kjo është e vërteta.
Gazeta RD