Berisha: Vlora Hyseni u emërua këshilltare e Padrinos me rekomandim direkt të Aleksandër Vuçiçit!

Kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë seancës së sotme plenare, ku pritet të votohet edhe reforma territoriale e propozuar nga mazhoranca, e cila parashikon shkrirjen e 15 bashkive, e cilësoi procesin si të njëanshëm dhe e lidhi debatin në Kuvend me akuzat e opozitës ndaj drejtimit të institucioneve të sigurisë.

Në fjalën e tij, Berisha ngriti akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni, duke pretenduar se kjo e fundit është emëruar me rekomandim të presidentit serb Aleksandër Vuçiç.

Berisha: Të dashur qytetarë dhe qytetare, në një akt antikushtetues, të pashembullt, Padrino i vendit urdhëroi shkelmimin e të drejtës kushtetuese të opozitës, të deputetëve për mocion me debat për skandalin më të rëndë në historinë 100 e sa vjeçare të shtetit shqiptar, implikimin direkt të shefes së shërbimit në veprimtari kriminale me kartelet më të rrezikshme të drogës në Evropë nëpërmjet koordinatorit të këtyre karteleve, Ergys Agasit.

Që ju të bllokoni një mocion të tillë, identifikoni veten, dëshmoni se çfarë jeni.

Ju jeni anëtarë të klubit Agasi.

Po, po!

Ju jeni anëtarë të organizatave dhe fakti që pranoni një vendim të tillë antikushtetues u bën ju bashkëfajtorë dhe bashkëautorë me Padrinon në këtë akt.

Vlora Hyseni, ta dinë shqiptarët, u emërua këshilltare e Padrinos me rekomandim direkt të Aleksandër Vuçiç.

U emërua pasi presidenti dhe qeveria e Kosovës e shkarkuan atë si të padenjë për detyrën që i kishin besuar.

Vlora Hyseni nuk kishte në figurën e saj asnjë virtyt, asnjë kriter, asnjë kusht që të emërohej në atë vend, veçse ishte shërbëtore e armiqve të Shqipërisë. Ky ishte kriteri që u emërua.

Vlora Hyseni, pas emërimit, fluturimthi shkoi në Beograd. Do të ishte Beogradi kryeqyteti i parë që do vizitonte kjo drejtuese e SHISH.

Vlora Hyseni, që kur është emëruar në atë detyrë, kontrollohej totalisht nga Ergys Agasi dhe opozita i ka denoncuar të gjitha këto në kohë reale kur kanë ndodhur.

Por natyrisht debati do të nxirrte të gjithë veprimtarinë kriminale të Edi Ramës, Vlora Hysenit dhe bashkëpunëtorëve të saj.

Tipike e mafies, ju heshtni para përgjegjësive të mëdha të atij institucioni.

Padrino hesht sikur Vlora Hyseni të ishte krejtësisht e izoluar, nuk kishte asnjë lloj lidhje në atë institucion.

U them unë ju, ajo ka kryer veprimtari kriminale ndaj shtetit, ndaj punonjësve të SHISH, ndaj bashkëpunëtorëve të SHISH që kanë kryer detyrat.

Qëllimi i saj ka qenë të përmbushë porositë te Vuçiçit dhe t’i shërbejë padronit të ri, argatit të tij.

Si mundet ju të damkosni në këtë mënyrë SHISH për të mbrojtur kriminelë në krye të tij?

Historia e saj është një histori e Edi Ramës, e Padrinos.

Cili shqiptar do të emëronte, cili kryeministër në Evropë dhe në botë do emëronte shef shërbimi një person të shkarkuar nga shefe shërbimi e një vendi tjetër?

Kjo bëhej vetëm me urdhër të Vuçiçit.

I keni vënë re ju falangat e Vuçiçit në Tiranë se si kalojnë nga një studio në një studio tjetër dhe betohen e stërbetohen për kokën e Padrinos dhe Vlora Hysenit?

A jeni shqiptarë ju?

A keni ju qoftë edhe një nanogram atdhetari, interes kombëtar, siguri kombëtare?

Çfarë jeni ju?

Si mund të heshtni, si mund të pranoni një errësirë të tillë?

Jeni shndërruar të gjithë në përçues të të keqes banale.

Lexojeni Hannah Arendt, do gjeni veten tuaj secili si personazh, të denatyruar nga morali dhe virtytet njerëzore, nga përgjegjësia para shoqërisë dhe para vendit.

Si mundet ju të pranoni këtë?

Çfarë është shërbimi informativ? Shërbim personal për ju është që e bllokoni?

About Redaksia

Check Also

Korreshi: Nuk e dimë kë kemi përballë, bandat apo policinë, janë pa numra identifikimi

Deputeti i PD, Saimir Korreshi ka folur para kuvendit dhe ka denoncuar punonjësit e policisë …