Rama i heq Bashkisë së Tiranës “llokmën” e tenderave të Rindërtimit pasi Veliaj rimori kompetencat

Me dy vendime të njëpasnjëshme brenda një jave, kryeministri Edi Rama ka vendosur t’i heqë Bashkisë së Tiranës kompetencën për zhvillimin e tenderave multi-miliona euro të “Rindërtimit” në kryeqytet, duke ia kaluar këtë përgjegjësi Fondit Shqiptar të Zhvillimit.

Vendimet nuk janë shoqëruar me relacionet përkatëse, megjithëse mund të besohet se argumenti zyrtar për këto ndryshime duhet të jetë vonesa e realizimit të projekteve infrastrukturore për shkak të krizës që ka përfshirë Bashkinë e Tiranës prej mëse dy vitesh, pas arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj.

Një argument i tillë, gjithësesi është i çalë, sepse procesi jetik i ndërtimit të godinave të reja, pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit 2019, ka qenë mjaftueshmërisht i vonuar, jo vetëm në Tiranën e drejtuar nga Veliaj, por edhe në shumë qytete të tjera të prekura nga dëmtimet.

Dy vendimet që kalojnë përgjegjësinë e Rindërtimit nga Bashkia e Tiranës tek Fondi Shqiptar i Zhvillimit përkojnë me momentin kur Veliaj ri-mori kompetencat e kryebashkiakut.

Pas arrestimit të tij në shkurt 2025 për “korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “pastrim parash” dhe “fshehje pasurie”, Veliaj i kaloi kompetencat e tij nënkryetares, Anuela Ristani, pas një loje nervash me kryeministrin dhe kryetarin e tij të partisë, Edi Rama.

Në shtator 2026, Veliaj, ende në paraburgim, vendosi të shkarkojë Ristanin dhe t’i marrë sërish kompetencat e titullarit. Ristani, nga ana e saj, deklaroi dorëheqjen, duke shmangur kështu një tjetër proces të gjatë ankimimi në gjykatë apo investimi të Këshillit Bashkiak.

Lëvizja e Veliajt u lexua nga shumë komentatorë politikë si një përpjekje e tij për t’i bërë “presion” Gjykatës së Lartë, e cila do të shqyrtonte kërkesën e tij për lirim nga qelia.

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë konfirmoi masën e arrestit me burg më 15 shtator. Vetëm pak orë më pas, Këshilli i Ministrave, i drejtuar nga zv.kryeministrja Albana Koçiu, nisi ofensivën për heqjen e Bashkisë së Tiranës nga përgjegjësia për tenderat e Rindërtimit.

Veliaj shkarkohet nga “llokma” e Rindërtimit

Në 16 Shtator 2026, Këshilli i Ministrave miraton vendimin “Për disa ndryshime dhe shtesa në Vendimin nr.78,  datë 31.1.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për shpalljen e zonës së re për zhvillim në njësitë administrative 4 dhe 8, zona “5 maji”, Bashkia Tiranë, dhe caktimin   e Bashkisë Tiranë dhe Shoqërisë “Tirana DC”, sh.a., si njësi zbatuese”, të ndryshuar”.

Në vendimin e vitit 2022, Këshilli i Ministrave ia kishte ngarkuar kompetencën e Rindërtimit në kryeqytet kompanisë kontraverse publike, “Tirana DC”. Por, katër vjet më pas, kur shumë ujëra kanë kaluar në Bashkinë e Tiranës, qeveria e Ramës vendosi të bëjë një ndryshim thelbësor.

Në vendimin e 16 shtatorit 2026, kompetenca për të gjithë procedurat e reja të Rindërtimit në zonën “5 Maji” tashmë i kalojnë Fondit Shqiptar të Zhvillimit, duke shmangur tërësisht krijesën e Erion Veliajt, “Tirana DC”.

Image

Një vendim i ngjashëm u miratua nga Këshilli i Ministrave edhe në 25 Shtator 2026. Në mbledhjen e drejtuar sërish nga zv.kryeministrja Koçiu, qeveria miratoi aktin “Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr.80, datë 31.1.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për shpalljen e zonës së re për zhvillim, njësia administrative 6, zona Kombinat, Bashkia Tiranë, dhe caktimin e Bashkisë tiranë si njësi zbatuese”, të ndryshuar”.

Në këtë vendim caktohet “Fondi Shqiptar i Zhvillimit, si njësi zbatuese për zbatimin e projekteve të reja, në kuadër të procesit të rindërtimit” në zonën e Njësisë Administrative nr. 6, Kombinat.

Image

Procesi i Rindërtimit u aktivizua në janar 2020, pak javë pasi tërmeti i nëntorit 2019 shkatërroi qindra pallate, ndërtesa private e publike, ndërkohë që mijëra familje mbetën pa strehë, kryesisht në Durrës, Tiranë, Shijak, Kurbin e Kavajë.

Vlera e fondit të Rindërtimit kalon mbi 1 miliard euro, megjithëse një shifër e saktë ende nuk është në gjendje të përcaktohet.

Procesi i Rindërtimit, për shkak të emergjencës, u parashikua që të kryhej me procedura të kufizuara tenderuese, duke ngritur dyshime për abuzime të mëdha. Në hetimet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) është konstatuar se kompani të lidhura me grupe të fuqishme kriminale të narko-trafikut kanë përfituar miliona euro, kryesisht nëpërmjet procesit të nënkontraktimit.

Kryeministri Edi Rama ka premtuar shpesh se procesi i Rindërtimit do të mbyllet në një kohë rekord. Por, kur po mbushen 7 vjet nga nisja e tij, mijëra familje vijojnë të jenë ende të pastreha./ Bold News

About Redaksia

Check Also

Kreu i PD Kurbin: Deri kur Bashkia do t’i trajtojë banorët si qytetarë të dorës së dytë?

Kryetari i PD të Kurbinit, Edmond Shkoza ka denoncuar gjëndjen skandaloze të rrugës që lidh …