Rruga e Durrësit është kthyer në epiqendrën e protestës së studentëve pasditen e kësaj të marte (13 tetor 2026), pas përshkallëzimit të situatës para Ministrisë së Arsimit.
Ajo që nisi si një tubim i të rinjve kundër problematikave në arsim, u shndërrua brenda pak minutash në përplasje të forta me policinë, ndërhyrje me autobotë uji, përdorim të gazit lotsjellës dhe shoqërime të protestuesve.


Protesta nisi rreth orës 14:00, kur studentë dhe të rinj u mblodhën në Rrugën e Durrësit, përpara godinës së Ministrisë së Arsimit. Që në fillim, prania e forcave të policisë ishte e shtuar, ndërsa protestuesit shprehën pakënaqësitë e tyre ndaj politikave të ndjekura në arsim dhe kërkuan largimin e klasës politike.
Situata u tensionua shpejt. Në drejtim të godinës së ministrisë u hodhën vezë, bojë e zezë dhe sende të tjera. Përshkallëzimi i situatës u pasua nga ndërhyrja e forcave të policisë, të cilat përdorën autobotët me ujë me presion për të shpërndarë turmën.
Pamjet më të rënda të protestës ishin ato të ndërhyrjes fizike të policisë ndaj studentëve. Efektivët u panë duke kapur protestuesit dhe duke i tërhequr zvarrë, ndërsa disa prej të rinjve u përballën drejtpërdrejt me forcat e rendit. Ndërhyrjet u shoqëruan edhe me përdorimin e gazit lotsjellës.


Po ashtu në shenjë revolte, një pjesë e protestuesve shkulën pllaka nga trotuari dhe pjesë të kangjellave rrethuese, të cilat u përdorën për të goditur ndërtesën. Raportohet gjithashtu për thyerje të xhamave dhe hedhje gurësh e fishekzjarrësh në drejtim të godinës dhe forcave të rendit.

Si pasojë e përplasjeve fizike, disa prej të rinjve u panë të plagosur e të gjakosur, ndërsa policia shoqëroi disa prej tyre. Sipas raportimeve, të paktën 23 persona janë shoqëruar nga policia.

Pas ndërhyrjes së forcave të rendit, protesta nuk u shua. Studentët u zhvendosën në segmente të Rrugës së Durrësit dhe u riorganizuan, duke vijuar tubimin larg godinës së Ministrisë së Arsimit.
Policia vendosi kordonë sigurie, me qëllim mbajtjen nën kontroll të lëvizjeve të protestuesve dhe pengimin e rikthimit të tyre pranë ministrisë. Megjithatë, kjo nuk i ndaloi të rinjtë të mblidheshin sërish dhe të marshonin në drejtim të institucionit.
Situata u tensionua përsëri, teksa protestuesit tentuan të çanin kordonët e policisë. Sipas raportimeve, në drejtim të forcave të rendit u hodhën gurë, fishekzjarrë dhe mjete të tjera, ndërsa policia u kundërpërgjigj me ujë me presion dhe mjete për shpërndarjen e turmës.
Përtej tensioneve me policinë, gjatë protestës u dëgjuan thirrje kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë, si dhe slogane që shprehnin pakënaqësinë ndaj klasës politike.
“Edi Rama, jep dorëheqjen”, “Revolucion”, “Ju erdhi fundi” “Rama burg, Berisha burg”, janë disa nga thirrjet që dëgjohen gjatë tubimit.
Gazeta RD