Ish-ministri socialist: Rama s’do arrijë dot të përçajë rininë, PS të dallojë atë që i përket një momenti politik

Ish-ministri i Jashtëm nën qeverisjen socialiste, Ditmir Bushati ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Edi Rama, lidhur me tentativat e këtij të fundit për të shuar protestat rinore dhe zërin e tyre kundër qeverisjes së tij.

Përmes një videomesazhi në rrjetet sociale, Bushati ka shprehur hapur qëndrimin e tij në krah të protestuesve, që sipas tij kërkojnë një jetë me dinjitet në atdheun e tyre.

Pavarësisht tentativave të kryeministrit, Bushati thekson se Rama nuk do të arrijë dot ta përçajë rininë, ndërsa i takon PS, shton ai, që të ngrihet në lartësinë që e thërret koha.

Reagimi

Si prind jam me të rinjtë që kërkojnë një jetë me dinjitet në atdheun e tyre.

Si njeri i botës universitare mbështes plotësisht kërkesat e studentëve. E ardhmja do të përcaktohet nga aspirata, revolta dhe energjia e një brezi që nuk pranon të pajtohet me atë çka u ofrohet si normalitet.

Si qytetar jam kundër akteve të dhunës dhe kundër brutalitetit të policisë.

Kur Shqipëria është gjendur përpara një kthese të madhe, të rinjtë kanë ditur t’i paraprijnë ndryshimit. E bënë këtë në vitin 1990. U përpoqën në vitin 1996. Por kërkesat e tyre u shpërfillën, çka paralajmëroi tmerrin e vitit 1997.

Prej muajsh rinia shqiptare është rikthyer në sheshe duke shpalosur një pasion që rreh veç në gjokset e këtij brezi. Nuk është gjithmonë i shprehur qartë, e rrallëherë është i disiplinuar.

Rinia kërkon një Shqipëri të re, sepse refuzon normalizimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në jetën publike; personalizimin e tejskajshëm të pushtetit që e trajton atdheun si plaçkë; modelin e kapitalizmit grabitqar që prodhon kosto të papërballueshme jetese, braktisje të vendit dhe polarizim shoqëror.

Injorimi i kërkesave të të rinjve dhe strategjia e përçarjes mes flamingove dhe sorrave dështoi. Nuk do të funksionojë përpjekja për ti ndarë të rinjtë në të mirë e të këqinj. As gjuha kërcënuese ndaj tyre, prindërve dhe medias. Shkopat e gomës, gazi lotsjellës, uji i hedhur me presion, apo motivimi financiar i policëve nuk e shuan dot revoltën e një brezi që di për shumë skandale dhe jeton mes vështirësive të panumërta. Aq më pak kërkimi i fajtorëve te ‘forcat e huaja’ në një shoqëri europiane, thellësisht pro-amerikane.

Të rinjtë kërkojnë një Shqipëri të re. Tani është detyrë e mësuesve, prindërve, sipërmarrësve, punëtorëve, akademikëve, dhe po, para së gjithash, e Partisë Socialiste që të ngrihet në lartësinë që e thërret koha. Partia Socialiste duhet të dallojë atë që i përket një momenti politik nga ajo që i detyrohet Shqipërisë.

About Redaksia

Check Also

Reagon PD Vlorë: Rektore e Universiteti apo shërbëtore besnike e Edi Ramës?

Reagimi i Partise Demokratike Dega Vlore, nga nenkryetarja e PD Vlore Eralba Kreshpa AURELA SALIAJ, …