Këlliçi për mediat britanike: Rama po përpiqet të shkaktojë një viktimë në protestë, që ta përdorë këtë si justifikim për ta ndaluar

Në një bisedë për median britanike UnHerd, nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka bërë akuza të rënda ndaj Edi Ramës, duke e cilësuar atë diktator dhe duke deklaruar se, ai po përpiqet të shkaktojë një viktimë gjatë protestave për të justifikuar ndërprerjen e tyre.

Këlliçi paralajmëron se qeveria do të detyrohet të largohet në javët ose muajt e ardhshëm, ndërsa shprehet se opozita do të qëndrojë në krah të studentëve dhe protestuesve.

Artikulli

Në selinë e Partisë Demokratike, opozitës konservatore të Shqipërisë, takova Belind Këlliçin, nënkryetarin e ri të partisë, të arsimuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në zyrën e tij, pas shpinës, në mur, ishin vendosur në korniza fotografi të firmosura nga Donald Trump dhe JD Vance, ndërsa në dysheme ishin hedhur pa ndonjë rregull maska kundër gazit lotsjellës dhe jelekë mbrojtës plastikë.

Një natë më parë, policia kishte hedhur breshëri gazi lotsjellës brenda selisë, në atë që, sipas Këlliçit, ishte pjesë e një plani për të infiltruar provokatorë që do t’i vinin flakën godinës dhe më pas do t’ua hidhnin fajin protestuesve.

E pyeta Këlliçin se çfarë kishte dashur të thoshte me postimin e tij një ditë më parë, ku shkruante: ‘Ky përbindësh, që kërkon gjak me çdo kusht, meriton fatin e çdo diktatori që është tërhequr zvarrë nga vetë populli i tij’.

‘Rama është diktator dhe kreu i shtetit të parë narkotik në Evropë’, u përgjigj ai. ‘Unë them se Partia Socialiste nuk është armiku im. Ajo është kundërshtari im politik, por, për atë që Edi Rama i ka bërë Partisë Socialiste, nëse kontrolloni të dhënat e dekadës së fundit, do të gjeni dhjetëra ministra, kryetarë bashkish, deputetë dhe zyrtarë të lartë që janë në burg për korrupsion, trafik droge, vjedhje parash, pastrim parash dhe çështje të tjera’.

E pyeta Këlliçin se çfarë do të ndodhë më tej me qeverinë e Ramës.

‘Nuk mund t’ju them nëse kjo do të ndodhë brenda këtij muaji apo brenda këtij viti kalendarik, por jam shumë i bindur se, brenda një kohe shumë të shkurtër, në javët apo muajt e ardhshëm, ajo do të detyrohet të largohet’, tha ai.

‘Nuk ka asnjë mënyrë që njerëzit të vazhdojnë kështu. Nuk ka asnjë mënyrë që ne të shkojmë në parlament dhe të pretendojmë se gjithçka vazhdon normalisht. Nuk do ta bëjmë këtë. Do të qëndrojmë në krah të studentëve. Do të qëndrojmë në krah të protestuesve. Do të bëjmë gjithçka kemi në dorë për t’i mbështetur dhe mbrojtur ata’.

Duke folur për ditët në vijim, Këlliçi pretendoi: ‘Kemi marrë një informacion nga rrethi më i afërt i kryeministrit, brenda zyrës së tij, se ai po përpiqet të shkaktojë një viktimë në protestë. Nuk ka rëndësi nëse viktima do të jetë një student apo një efektiv i forcave të policisë.

Ai po përpiqet ta përdorë këtë si justifikim për ta ndalur menjëherë protestën dhe për të gjetur një mënyrë për të arritur një marrëveshje me studentët, duke u thënë se kjo mjafton, se nuk mund të vazhdohet më kështu, se një viktimë është e mjaftueshme dhe se duhet të gjejmë një zgjidhje politike’.

Megjithatë, shtoi Këlliçi, ‘nuk i shoh studentët të ndalen. Nuk i shoh qytetarët, njerëzit e Tiranës dhe të qyteteve të tjera, të ndalen’.

About Redaksia

Check Also

“S’jam dënuar asnjëherë”, protestuesi Ali Bruçi përgënjeshtron Ramën: Do ta ndjek ligjërisht!

Protestuesi Ali Bruçi ka hedhur poshtë akuzat e kryeministrit Edi Rama, i cili e ka …