Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) vihet sërish në qendër të polemikave për emërimet në nivelet drejtuese.
Sipas të dhënave të bëra publike, SPAK ka kërkuar 1 vit e 6 muaj burg për Gëzim Nonin, i akuzuar për shkelje të barazisë në tendera. Në kuadër të procedurës gjyqësore, prokuroria ka kërkuar gjithashtu që dënimi të konvertohet në 4 vjet shërbim prove, si dhe t’i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë 3-vjeçare.
Pavarësisht kësaj situate gjyqësore, rreth një muaj më parë, drejtori i Përgjithshëm i ARRSH-së, Ami Kozeli, ka vendosur ta emërojë Nonin në postin e zv.drejtorit të përgjithshëm.
Por emërimi nuk është i vetmi element që ngre pikëpyetje. Sipas informacionit të bërë publik, Noni është caktuar de facto edhe në drejtimin e zbatimit të kontratave, një sektor me peshë të konsiderueshme në veprimtarinë financiare të institucionit, ku administrohet një pjesë e madhe e buxhetit të ARRSH-së.
Rasti ngre pikëpyetje mbi kriteret e përdorura për emërimet në postet drejtuese të institucionit, veçanërisht kur bëhet fjalë për zyrtarë ndaj të cilëve janë ndërmarrë procedura penale. Emërimi i Nonit në një pozicion të tillë vjen në një kohë kur SPAK ka kërkuar një masë dënimi që përfshin edhe ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike.
Mbetet për t’u sqaruar se mbi çfarë kriteresh është mbështetur vendimi i drejtuesve të ARRSH-së për këtë emërim dhe nëse statusi ligjor i Gëzim Nonit është marrë në konsideratë gjatë procesit të përzgjedhjes.
Gazeta RD