Kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë fjalë në takimin me deputetët tha se, nga qershori gjer sot, teza më antishqiptare, më antidemokratike ishte teza se dy partitë janë njëlloj.
Berisha: Por ky ritual përsëritej çdo ditë në një kohë kur bandat e Qorrit të Ramës, Arlind Qorrit terrorizon qytetin me grusht çdo natë: E viva, rroftë komunizmi!
Ne i ndiqnim situatën, demokratët kanë qenë aty dhe kanë mbajtur një qëndrim të jashtëzakonshëm.
Projektonin me çdo kusht këta horra sulme ndaj demokratëve në protestë.
Por kur merrnin paralajmërimin, u dështonin sulmet.
Duhet t’i themi të vërtetat siç janë.
Disa prej tyre mbushën valixhet dhe ia mbathën, të damkosur do mbeten përjetë për thikat që i futën lëvizjes qytetare më madhështore në historinë e këtij vendi.
E vetmja forcë politike, ua them unë ju këtu, që e mbështeti atë lëvizje me të gjithë fuqitë e saj pa asnjë simbol të veten, ishte PD.
Pa asnjë simbol të veten sepse respektoi me kod, siç e kërkon ligji moral, karakterin e saj rinor qytetar.
Është e vetmja forcë politike që bëri me dhjetëra mbledhje për të mobilizuar mbëshetësit në atë protestë, edhe në ditët më të vështira.
Është e vetmja forcë politike që edhe në momentet e shuarjes së saj, ato ku mbetën 100 apo 120 vetë, shumica ishin demokratë që kishin protestuar 420 ditë rresht në Astir.
Ishin demokratë që kishin protestuar 333 ditë tek Rruga e Shpresës.
Ishin demokratë që kishin protestuar 46 javë tek Bashkia e Tiranës.
Në ka një mbiemër të dytë kjo parti, e ka protestë, po të kishte emër të dytë, Partia Demokratike e Protestës.
Por ne e ndoqëm.
Pse?
Standardi moral është standardi i parë. Dhe njeriu, dhe forca politike, duhet të ketë trashëgiminë morale, standardet morale, standardet e para.
Ndaj dhe ne nuk u tërhoqëm nga platforma jonë.
Mbështetësit tanë e kishin të vështirë të dëgjonin një grup horrash që hidhnin parulla ndaj asaj partie, e cila kishte mbrojtur vite e vite, pa qenë e përsosur absolutisht, por kishte mbrojtur çdo çështje për të cilën ata luftonin.
Kishte bërë një betejë disavjeçare me të gjitha ligjet që ata kundërshtonin.
Kishte bërë një betejë në parlament, kishte bërë një betejë me protesta, kishte bërë një betejë në Gjykatë Kushtetuese me secilin prej atyre ligjeve.
Por mafia qeveritare dhe joqeveritare, i verbonte ata dhe i nxiste duke menduar se erdhi radha e Shqipërisë pa opozitë.
Dhe Shqipëria pa opozitë ishte Shqipëria në të cilën opozita e vërtetë duhej të zhdukej.
Kjo ishte Shqipëria pa opozitë.
Shqipëria pa opozitë ishte Shqipëria e atij që doli dje në protestë sipas tij duke përjashtuar ata që kishin të regjistruar qindra e qindra protesta në biografinë e tyre.
Qesharakë, të turpshëm, primitivë.
Duke u përpjekur që tani rruga, sheshi janë të miat se dola unë.
Dola unë pas kaq kohësh. Mirë se dole ti, je i mirëpritur. Por po të jesh i sinqertë ti që dole, akti i parë në shërbim të këtij vendi, bën thirrje për bashkim të forcave kundërshtare të qeverisë.
Por bëre të kundërtën sipas porosive dhe përfundove aty ku përfundove.
Dhe moria e borizanëve dhe puthadorëve të qeverisë dhe mafies, PD nuk duhet të përzihet.
PD nuk ka pse përzihet.
Nga qershori gjer sot, teza më antishqiptare, më antidemokratike ishte teza se dy partitë janë njëlloj.
Teza e cila bazohej në logjikën formale se njerëzit janë njëlloj në pamje, janë qenie që ecin në këmbë, me katër gjymtyrë, etj, etj.
Por nuk ka mashtrim më të madh, më të turpshëm se sa të shtrosh këtë tezë.
Së pari, është forma më e lartë e korrupsionit. Forma më e lartë e korrupsionit është kur fjala apo fjalia shpreh të kundërtën e asaj që është e vërtetë.
Dhe kur krahason të pakrahasueshmet.
Kjo është në distancë forma më e lartë e korrupsionit të gjuhës në radhë të parë.
Dhe nga korrupsioni i gjuhës vjen korrupsioni i mendimit. Thua po, qenkan njëlloj.
Gazeta RD