Profesor Lush Susaj, i cili del çdo ditë në protestë në krah të studenteve ka deklaruar se fitorja e tyre mbi diktaturën është shumë pranë.
Në një prononcim për News24, Susaj kritikoi klasën politike duke thënë se në 36 vite kanë detyruar rininë të largohet.
“Sot është ditë e mirë për Shqipërinë. Jemi në afër fitores mbi diktaturën e ndyrë që po i merr shpirtin krejt Shqipërisë. Shikoni sa të pafajshëm dhe të mrekullueshëm janë. Këta janë e ardhmja e Shqipërisë. Këto 36 vjet këta politikanë ia kanë shkulur zemrën, po shkulin rininë”, tha profesori.
Një apel kishte edhe për pedagogët që nuk dalin në protestë, që siç tha ai nuk marrin pjesë sepse i shërbejnë partisë.
“Ata pedagogë që nuk dalin, të hanë sufllaqen e partisë dhe të shkojnë te partia, por këtu është rinia e Shqipërisë. Ta dinë ata që kjo rini po punon edhe për ata edhe për fëmijët e tyre dhe mos guxojnë ti bëjnë shantazh për të shkuar në mësim.
Sot kam kontaktuar me dekanë dhe rektor dhe mos të justifikohen horat, se nuk na lë rektori. As rektori dhe as dekani nuk po i bëjnë presion. E kanë lepurin në bark. Rektori nuk po të thotë mos dil në protestë, por ata e kanë lepurin në bark”, deklaroi Susaj.
Ai deklaroi se do vazhdojë të dalë çdo ditë në protestë në krah të të rinjve: “Atë ditë që nuk do më shihni në protestë te studentët diheni se kam vdekur dhe më hajdeni të varri”.
Gazeta RD