Më 19 nëntor 1946, regjimi komunist i Enver Hoxhës kreu një nga krimet më të rënda të terrorit të tij të hershëm. Presidiumi i Kuvendit Popullur aprovoi vendimin për ekzekutimin e pesë intelektualëve të lidhur me projektin e tharjes së kënetës së Maliqit.
Abdyl Sharra, kryeinxhinier, Kujtim Beqiri, inxhinier i diplomuar me Medalje të Artë në Universitetin e Vjenës, Vasil Mano, inxhinier, Zyrika Mano dhe Eugenio Scaturo u bënë viktima të një procesi politik, ku drejtësia ishte zëvendësuar nga urdhrat e Partisë Komuniste.
Vendimi u ekzekutua në datën 22 nëntor 1946.
Abdyl Sharra dhe Kujtim Beqiri u varën në litar, ndërsa Vasil Mano, Zyrika Mano dhe Eugenio Scaturo u pushkatuan. Mes viktimave ishte edhe Zyrika Mano, e cila ishte shtatzënë.
Këta nuk ishin armiq të Shqipërisë. Ishin njerëz të shkolluar, inxhinierë dhe profesionistë që kishin marrë dije në universitetet evropiane dhe ishin kthyer në atdhe për të kontribuar me aftësitë e tyre në zhvillimin e vendit.
Por diktatura komuniste nuk kishte nevojë për njerëz të lirë, për mendje të pavarura dhe për intelektualë që nuk i nënshtroheshin vullnetit të Partisë. Ajo kishte nevojë për bindje absolute. Prandaj i shpalli armiq, i gjykoi në procese politike dhe i çoi drejt litarit dhe pushkatimit.
Krimi i Maliqit nuk ishte një rast i izoluar. Ishte fillimi i një politike sistematike terrori kundër elitës intelektuale, profesionistëve, pronarëve dhe çdo qytetari që regjimi e konsideronte të padëshiruar.
Tragjedia shqiptare nuk përfundon me rrëzimin formal të diktaturës.
Sot, pas kaq dekadash, trashëgimia politike dhe kulturore e komunizmit vazhdon të jetë e pranishme në jetën publike dhe në pushtetin shqiptar. Kur simbolet e diktaturës ekspozohen, kur krimet e saj relativizohen dhe kur figura e Enver Hoxhës rikthehet në festime e hapësira publike, nuk kemi të bëjmë thjesht me nostalgji historike. Kemi të bëjmë me një përballje të papërfunduar me të kaluarën.
Është një paradoks i dhimbshëm që në një vend ku inxhinierët u varën, intelektualët u pushkatuan dhe mijëra familje u shkatërruan nga diktatura, sot ende nuk kemi një proces të plotë drejtësie historike, nuk kemi gjetur eshtrat e shumë të ekzekutuarve dhe nuk kemi marrë përgjigje për fatin e mijëra të zhdukurve.
Ndërsa familjet e viktimave presin ende të vërtetën, pushtetarë të sotëm vazhdojnë të shmangin përgjegjësinë përballë kësaj trashëgimie, duke toleruar rehabilitimin publik të simboleve dhe figurave të regjimit komunist.
Nuk mund të ndërtosh demokracinë duke rehabilituar diktaturën. Nuk mund të flasësh për Evropën duke nderuar simbolet e një regjimi që burgosi, internoi, torturoi dhe ekzekutoi shqiptarët.
Ne sot kujtojmë martirët Abdyl Sharrën, Kujtim Beqirin, Vasil Manon, Zyrika Manon dhe Eugenio Scaturon. Kujtojmë pesë jetë të marra nga një pushtet që e shihte dijen dhe lirinë si kërcënim.
Ata u vranë nga diktatura e Enver Hoxhës, por përgjegjësia jonë sot është të mos lejojmë që krimet e saj të harrohen dhe që ideologjia e saj të gjejë përsëri vend në Shqipëri.
Nderim për viktimat e komunizmit!
E verteta historike nuk mund të fshihet dhe krimet e diktaturës nuk mund të rehabilitohen!
Shkëlqim Lepenica – Sekretar PP – PD




Gazeta RD