Zhupa: Rama shpërfill kërkesën e PE, mbron ligjin që lejon betonizimin e zonave të mbrojtura

Deputetja e PD, Ina Zhupa, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po shpërfill kërkesat e Parlamentit Europian për mbrojtjen e pasurive natyrore të Shqipërisë, duke refuzuar shfuqizimin e ligjit nr. 21/2024, që i hap rrugën ndërtimeve në zonat e mbrojtura.

Zhupa thekson se me vendimin e 12 nëntorit 2026, qeveria është shprehur kundër nismës së saj ligjore për shfuqizimin e ndryshimeve, pavarësisht kërkesave të Parlamentit Europian për forcimin e mbrojtjes së zonave natyrore.

Deputetja demokrate tha se pas këtij refuzimi fshihen interesat e ndërtimit të vilave dhe resorteve në zona si Zvërneci dhe Vjosë-Narta.

Deklarata

Siç e dini, prej 2 vitesh kundërshtoj ligjin për zonat e mbrojtura, nr. 21/2024, si shkatërrimtar të mbrojtjes së tyre dhe një mekanizëm ndërtimi pa fre. Më 14 maj 2026 depozitova projektligjin për shfuqizimin e ligjit nr. 21/2024, me synimin për të rikthyer garancitë ligjore të mbrojtjes së natyrës. Kërkesa ime nuk është një nismë e shkëputur nga realiteti, por përputhet me shqetësimin e shprehur nga institucionet europiane dhe qytetarët shqiptarë.

Parlamenti Europian nuk e ka kërkuar këtë vetëm një herë, por disa herë. Edhe në rezolutën e 9 korrikut 2025 kishte shprehur shqetësim serioz për ndryshimet ligjore që lejonin projekte të mëdha infrastrukturore dhe turistike në zona ekologjikisht të ndjeshme, duke kërkuar kthimin pas të këtyre ndryshimeve. Në qershor 2026, kërkesa u bë edhe më e qartë dhe më konkrete për shfuqizim të ligjit 21/2024

Ndërkohë, Rama dhe qeveria e tij, me vendimin nr. 853, datë 12.11.2026, shprehen kundër shfuqizimit të ligjit nr. 21/2024.

Së pari, shfuqizimi do të krijonte mundësinë që të prisheshin planet e tyre ndërtimore të parashikuara tashmë në Zvërnec dhe kudo nëpër Shqipëri. Dhe këtë se pranon dot Edi Rama.

Këshilli i Ministrave pretendon se shfuqizimi mund të cenojë sigurinë juridike të atyre që kanë marrë projekte ndërtimore, sepse ligji ka prodhuar akte nënligjore, vendime dhe procedura administrative.

Por kjo nuk është arsye për të mos e shfuqizuar. Përkundrazi, është arsyeja kryesore pse kërkohet shfuqizimi. Pikërisht për të ndalur shkatërrimin e natyrës, masakrimin e zonave të mbrojtura, ndërtimin e vilave dhe resorteve kudo, për interesa private.

Asgjë nuk do ta ndalte një qeveri normale të parashikonte dispozita kalimtare të qarta, që përcaktojnë trajtimin e akteve dhe procedurave ekzistuese. Madje, vetë qeveria pranon në mendimin e saj se nevojitet një rregullim i posaçëm kalimtar. Pra, pranon se pasojat e shfuqizimit mund të adresohen juridikisht, por e përdor këtë nevojë si argument për të mos e bërë shfuqizimin.

Siguria juridike nuk do të thotë përjetësim i një ligji klientelist, antikombëtar dhe të dëmshëm për trashëgiminë natyrore dhe identitare të vendit.

Së dyti, qeveria është kundër sepse Gjykata Kushtetuese i ka rrëzuar pretendimet për antikushtetutshmërinë e ligjit.

Qeveria i referohet vendimit nr. 45, datë 31.07.2025, me të cilin u rrëzua kërkesa e një të pestës së deputetëve, të përfaqësuar nga unë, për shfuqizimin e ligjit. Vendimi kishte pjesë ku Gjykata u nda 4 me 4 dhe kjo tregon shumë. Qartësisht, Gjykata ka dhënë mjaftueshëm argumente për të dyja palët.

Por këtu qeveria ngatërron dy çështje të ndryshme: kontrollin e kushtetutshmërisë nga Gjykata Kushtetuese dhe të drejtën e Kuvendit për të ndryshuar ose shfuqizuar një ligj.

Pastaj, e dimë klimën se si merren vendimet këtu, ku kryetarja e Gjykatës, pa iu ftohur mirë karrigia e kryetares, mori post nga mazhoranca në Bankën e Shqipërisë.

Së treti, qeveria e redukton mbrojtjen e natyrës tek  një procedurë VNM-je për çdo projekt.

Ky është një nga problemet më serioze të argumentimit të qeverisë.

Ajo thotë se nuk ka ndalim absolut të aktiviteteve në zonat e mbrojtura dhe se çdo projekt duhet të vlerësohet individualisht përmes procedurave të ndikimit në mjedis.

Por mbrojtja e një zone nuk mund të varet vetëm nga fakti nëse një projekt kalon apo jo një procedurë administrative. Mbrojtja fillon nga vetë statusi, kategoria, zonimi dhe kufizimet ligjore të territorit.

Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis nuk është zëvendësues i një regjimi të fortë ligjor të mbrojtjes. Ai nuk mund të kompensojë heqjen e garancive që duhet të ekzistojnë përpara se të paraqitet një projekt investimi.

Së katërti, qeveria injoron kërkesën e qartë të Parlamentit Europian për shfuqizimin e ligjit 21/2024.

Më 17 qershor 2026, Parlamenti Europian miratoi rezolutën P10_TA(2026)0217 për Shqipërinë, në të cilën kërkon shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në ligjin për zonat e mbrojtura.

Paragrafi 46a kërkon moratorium të menjëhershëm për procedurat e reja të lejeve, punimet e ndërtimit dhe ndërhyrjet zhvillimore në zonat e mbrojtura, deri në shfuqizimin e dispozitave të papajtueshme dhe garantimin e përputhshmërisë me standardet europiane.

Rezoluta kritikon gjithashtu kalimin e kompetencave të rëndësishme vendimmarrëse te Këshilli Kombëtar i Territorit, duke dobësuar kontrollin mjedisor.

Qeveria nuk mund të flasë për integrim europian dhe njëkohësisht të refuzojë të zbatojë mesazhin politik të institucioneve europiane pikërisht për një çështje që lidhet me Kapitullin 27, Mjedisin dhe Ndryshimet Klimatike.

Revolucioni Flamingo është dëshmia se qytetarët nuk pranojnë që pasuritë natyrore të Shqipërisë të trajtohen si prona për t’u ndarë mes investitorëve dhe pushtetit.

Qytetarët dolën në protestë për Zvërnecin, për Vjosë-Nartën, për biodiversitetin, për të drejtën për të jetuar në një vend ku pasurimi i një grushti njerëzish të mos rrëmbejë trashëgiminë për brezat e ardhshëm.

Asnjë investim nuk mund të ketë përparësi mbi interesin publik dhe ruajtjen e pasurive tona natyrore, të cilat nuk mund të rikthehen pasi shkatërrohen.

About Redaksia

Check Also

Berisha: Rrogat e ulëta duhet të rriten me 50%! Rrogat e mesme me 30%! Asnjë pension nën 200 euro

Gjatë një konference shtypi, kryetari i PD, Sali Berisha tha se, rrogat e ulëta duhet …