Nënkryetarja e forumit rinor të PD, studentja Desada Xhetani ftoi bashkëmoshatarët e saj të ngrihen të protestojnë për t’i dhënë zë ndërgjegjes kombëtare që ka filluar të mbytet.
Xhetani tha se, Shqipëria ka nevojë për një brez të tërë që të ngrihet. Unë këtij sistemi nuk ia fal. Nuk ia fal që na i largoi njerëzit e zemrës, vëllezërit, motrat, shokët tanë’ tha studentja në foltoren e opozitës ngritur para kryeministrisë. Foltorja mbahet pikërisht sot në ditën e Rinisë.
Fjala e Desada Xhetanit
Jemi mbledhur sot më 8 dhjetor, jo për të kujtuar një datë të largët, po për t’i dhënë zë ndërgjegjes kombëtare që ka filluar të mbytet.
Jemi këtu sepse demokracia nuk është monument i ftohtë, është gjak që duhet të qarkullojë dhe sot ky gjak kërkon t’i kthejë ritmin. Jam këtu sot, jo sepse politika më premtoi diçka, por sepse Shqipëria më thërret çdo ditë.
Jam këtu sot sepse dua që kur një ditë të jem nënë e fëmijët e mi të pyesin, çfarë bëre? Të kem guxim t’ju them, qëndrova, luftova dhe nuk u dorëzova.
Jam këtu për t’ju kujtuar se kjo tokë është e jona dhe ne nuk kemi të drejtë ta lëmë në dorë të askujt që nuk e do, që nuk e mbron dhe nuk e nderon.
Kjo ditë nuk është për dekor, është për betim, është për llogari, është për ndërgjegje. Është dita ku demokracia shqiptare na pyet, na shikon në sy dhe thotë, ku jeni?
A jeni gjallë? A keni guxim të qëndroni? Dhe unë jam sot këtu për t’i thënë. Po! Jemi këtu, jemi gjallë dhe nuk kemi ndërmend të ikim! Pesë vite më parë unë vendosa të angazhohem pa asnjë interes, vetëm me bindjen e thellë se kjo tokë mund të bëhet dhe se jemi ne, brezi im që duhet ta bëjmë.
Jam rritur në një familje me vlera, ku sakrifica nuk është fjalë librash, por realiteti i përditshëm. Aty mësova se dashuria për atdheun nuk matet me fjalët që themi, por me barrën që jemi gati të mbajmë mbi supe.
Ngrihu, o i riu shqiptar, s’ka më kohë për gjumë e vaj, se kjo tokë që ke nën këmbë, ty të thërret, më mbaj. Kjo nuk është poezi, është urdhër, është amanet, është përgjegjësi brezash.
Se për çfarë luftuan të parët tanë? Për dinjitet, për liri, për të drejtën që secili të ndërtojë jetën e tij pa frikë dhe pa padrejtësi.
Por a i gëzojmë sot këto? Shpesh jo.
Shpesh ne, rinia, ndjehemi sikur po trashëgojmë një vend që nuk na jep hapësirë të ëndërrojmë e jo më të krijojmë. Por lirinë na e mësoi historia, na e mëson çdo vend i lirë i botës. Ajo nuk vjen të na trokasë në derë. Liria mund të vijë, por guximin për ta sjellë nuk ta jep askush. Guximi është i yti, është i joni, është i të gjithëve ne. Prandaj unë jam sot këtu. Prandaj jemi sot të gjithë bashkë.
Për gjeneratën time pyetja nuk është më vetëm, a do ta duam këtë vend?
Por edhe pyetja, a do të na lërë ky vend të ndërtojmë të ardhmen?
Sepse prej vitesh një sistem i sëmurë, i ndërtuar mbi padrejtësi dhe klientelizëm, i ka shtyrë të rinjtë drejt dy rrugëve të pamëshirshme: valixhes ose dëshpërimit. Kur një çift i ri nuk ka dot shpresë për një shtëpi të parë, kur mundësitë mbyllen, kur ëndrrat mbeten pezull, kjo nuk është më statistikë, kjo është dramë kombëtare dhe kjo dramë ka autor dhe autori është Edi Rama.
Më pyesin shpesh e më thonë, pse proteston? Çfarë pune ke ti me politikën? Ndërro bindjen. Jo mor jo! Unë jam pjesë e opozitës, jam krenare për këtë, sepse kur shumë bashkëmoshatarë të mi vendosën të heshtin, unë vendosa të reagoj, jo nga zemërimi, por nga dashuria, sepse për mua atdheu është më i shtrenjtë se gjithçka tjetër. Duhet të jemi dhe pak të sinqertë. Ne, Partia Demokratike, e di, kemi pasur gabime, përçarje, jemi ndarë. Por asnjë shtëpi nuk ndërtohet duke hedhur gurë nga jashtë. Shtëpia ndërtohet duke i rregulluar muret brenda saj. Ne kemi nevojë të përmirësohemi, të pastrohemi, të ringrihemi. Por zgjidhjet nuk na i sjellin të tjerët. Shtëpia rregullohet brenda mureve të saj, me duart tona, me kokën tonë, me besën tonë ndaj njëri-tjetrit. Dhe ne do ta rregullojmë.
Partia Demokratike është familje politike që ka mbajtur shpresën e shqiptarëve për dekada. Aty ku ka plagë duhet trajtuar, aty ku ka lodhje duhet freskuar, aty ku ka dyshim duhet rikthyer besimi. Ne do të korrigjojmë gabimet, do të pastrojmë plagët dhe do t’i rikthejmë vlerat.
Sepse Partia Demokratike nuk është vetëm një godinë, është një mision. Një mision që ka nisur me flijim dhe nuk mbaron me lodhje. Mos kërkoni shpëtimtarë. Shqipëria nuk ka nevojë për një njeri të vetëm. Shqipëria ka nevojë për një brez të tërë që të ngrihet. Unë këtij sistemi nuk ia fal. Nuk ia fal që na i largoi njerëzit e zemrës, vëllezërit, motrat, shokët tanë. Që shtëpitë t’i kthenin në valixhe dhe adresat në kujtime. Nuk ia fal që i bëri prindërit tanë të plaken duke pritur në aeroporte, jo duke rritur nipërit e tyre në oborr. Ky vend ka lindur nga ata që nuk e duruan kurrë padrejtësinë.
Nga Ismail Qemali që ngriti flamurin duke sfiduar perandori. Nga Isa Boletini që tha, kur të duan shqiptarët, unë jam gati. Nga Adem Jashari që dëshmoi se liria nuk blihet por paguhet. Nga Azem Hajdari, simbol i rinisë që nuk iu gjunjëzua diktaturës. Nga Musine Kokalari që mbrojti fjalën e lirë para një regjimi që nuk njihte as zot e as njeri. Ata nuk ishin më të fortë se ne, ata thjesht nuk pranuan të jetojnë të përkulur.
Thirrja ime sot nuk është vetëm një thirrje partie, është thirrje kombi. Për këtë arsye jam këtu. Për këtë arsye nuk hesht. Për këtë arsye nuk iki. E ardhmja nuk është dhuratë. E ardhmja është detyrë dhe detyra fillon sot. Le të ngrihemi për këtë tokë, për këtë flamur dhe për këtë identitet që nuk ka çmim.
Gazeta RD