Alimehmeti: Autizmi nga mosha e madhe e prindërve dhe ndotja ambientale, jo vaksinat e fruthit!

Ekziston dyshimi tek shumë njerëz se autizmi ka ardhur si pasojë e vaksinave të fruthit.

Mjeku infeksionist, Ilir Alimehmeti, në “Aldo Morning Show”, ka sqaruar se ky pretendim është i gabuar.

Ai thekson se vaksina kundër fruthit është përdorur për dekada dhe ka qenë shumë efektive, duke e bërë Shqipërinë një vend pa fruth për një periudhë. Më pas, në vitin 2018, vendi përjetoi një epidemi të madhe dhe u raportuan shumë raste në OBSH, gjë që solli humbjen e statusit si vend pa fruth.

Si popull kemi qenë shumë të vaksinuar ndaj fruthit. Kujtoj edhe një herë, vaksinë që e njohim prej shumë dekadash, ia dimë gjithçka dhe pluset dhe minuset. Ishim një vend zyrtarisht pa fruth. Gjatë viteve, në 2018, kemi pasur epidemi të madhe. Kemi raportuar 1 mijë e 468 raste në OBSH nga Shqipëria. Që të jemi të qartë, kur raportojmë 1 mijë e 468 raste nga Shqipëria, janë shumë më tepër se sa aq dhe neve na u hoq statusi i vendit pa fruth. Ne jemi zyrtarisht vend me fruth, njëkohësisht iu hoq Greqisë, Anglisë, pra ta kuptojmë që nuk është një problem vetëm i yni“, tha ai.

Mjeku shpjegon se rënia e vaksinimit nuk lidhet me arsye shkencore, por me frikë të krijuar nga një studim i vjetër dhe më pas i tërhequr, i cili sugjeronte një lidhje mes vaksinës dhe autizmit. Sipas tij, ky pretendim është hedhur poshtë nga studime të shumta me miliona fëmijë, të cilat nuk kanë gjetur asnjë lidhje mes vaksinave dhe autizmit.

Ndërkohë ka rënë shumë vaksinimi. Pse? Dhe ta themi pse, është një frikë e bazuar në asnjë lloj argumenti se kjo ka qenë risk… ka qenë publikim i vjetër, i vogël, i cili u tërhoq se ishte i parregullt nga ana shkencore, ku mendohej se kjo vaksinë ishte e lidhur me autizmin. Më kupton që kjo është një sëmundje tejet e rëndë dhe duhen kuptuar prindërit që rezervohen. U hodh bota menjëherë, se ishte një flamur i kuq kur doli ky studim dhe janë studiuar miliona e miliona fëmijë dhe u pa që këto të dyja s’kanë asnjë lidhje. Tani, e heqim këtë nga ana shkencore, ta flasim pak nga ana praktike? Ne, brezi ynë, kemi qenë të gjithë të vaksinuar. Nuk na pyeste njeri asokohe, do ti, s’do ti, të vinte, të ngulte gjilpërën dhe mbaronte punë. Sa ishte autizmi atëherë? Duhet të jenë në moshë të rritur ata sot, ku janë, pse s’janë? Sepse nuk lidhej me vaksinën, ka lidhje me diçka tjetër. E dyta, gjatë viteve vaksinimi ka rënë, autizmi çfarë ka bërë, ka rënë apo ka shtuar? Ka shtuar. Nëse shkaku do të ishte vaksinimi, atëherë rënia e vaksinimit do të shoqërohej me rënie të autizmit. Ndërkohë, ne shohim të kundërtën“, tha ai.

Më tej, ai argumenton se në praktikë, autizmi nuk ka rënë edhe pse vaksinimi ka rënë, gjë që sipas tij tregon se nuk ka lidhje shkakësore mes tyre. Përkundrazi, ai përmend faktorë të tjerë të mundshëm si rritja e moshës së prindërve dhe ndotja mjedisore, të cilat janë më të larta në zonat urbane ku edhe rastet janë më të shpeshta.

Në zonat rurale ka shumë më tepër vaksinim se sa në zonat urbane. Në zonat urbane ka më pak vaksinim. Autizmi është i përhapur shumë më shumë në zonat urbane se sa në zonat rurale. Dalim tek e vërteta që njohim, se shohim që trendi është i kundërt. S’ka lidhje fare me vaksinimin. Kjo ka lidhje me dy gjëra: që njëri është problem i madh shoqëror, tjetri është problem i madh ambiental. Njëra është mosha e prindërve, ne fëmijët po i bëjmë gjithnjë e më vonë dhe këtu është edhe mosha e nënës edhe e babait, ndryshe nga sindroma Down që është nëna kryesorja dhe e dyta është ndotja. Ndotja e madhe ambientale. Dhe ku e kemi ndotjen më të madhe? Në qytete se sa në fshatra dhe me vite a na është rritur ndotja e ajrit? Na është rritur. Kështu që faktet i kemi shumë të qarta dhe studime të shumta e kanë provuar“, tha ai.

About Redaksia

Check Also

Lubonja: Rama nuk sulmon vetëm opozitën, por dhe gazetarët! Ka arritur të emërojë ambasadorë… Ka prova për narkoshtet

Analisti Fatos Lubonja, ka komentuar zhvillimet më të fundit, duke u ndalur te nisma për …