Shehu: Ambasadori i ri amerikan, koherent me vizionin e palëkundur të Trump!

Në një seancë parlamentare që nisi me kërkesa të zakonshme për procedurë, ligjvënësi demokrat Tritan Shehu bëri një deklaratë të fortë gjeopolitike.

Nga foltorja e Kuvendit, Sheu përshëndeti vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe administratës së Presidentit Trump, që sipas deputetit synon goditjen e ashpër të regjimeve diktatoriale në mbarë botën.

Për një vend si Shqipëria, e cila ka vuajtur nga një e kaluar e thellë e errësirës komuniste, mbështetja e kësaj nisme amerikane u konsiderua nga ana e deputetit të PD, si një detyrë e pashmangshme dhe një detyrim moral i parlamentit.

Shehu vlerësoi gjithashtu qëndrimin e ambasadorit të ri amerikan në Senat, si plotësisht koherente me vizionin e palëkundur amerikan për mbrojtjen e demokracisë dhe asgjësimin e diktaturave që ende mbijetojnë, duke dhënë sinjale të qarta për politikat e forta që pritet të mbështeten në të ardhmen.

Të nderuar kolegë, të them të drejtën desha të them dy fjalë që lidhen dhe me procedurën, por për një çështje, për një problem të rëndësishëm, në luftë kundër regjimeve, korrupsionit, trafiqeve kudo në botë. Desha të përshëndes vendimin e fundit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Presidentit Trump, për inkriminimin e një prej diktatorëve, kontrabandistëve, terroristëve më të mëdhenj të botës, një farë Raul Kastro. E cila realisht shkon në linjën e goditjes së regjimeve.

Mbas Maduros, mbas përpjekjeve kundër ajatollahëve, të cilat uroj të përfundojnë me rrëzimin e regjimit diktatorial aty, goditet dhe një regjim tjetër, i cili jo vetëm ka sjellë tragjedi jo vetëm thjesht për popullin e tij, por ka qenë një regjim, një errësirë komuniste, diktatorial, i cili ka vazhduar të mbijetojë dhe siç duket tashmë po i vjen fundi.

Kjo tregon pikërisht vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Presidentit Trump, për të luftuar me këto regjime, të cilat mbijetojnë mbi obskurantizmin, deformimin e demokracisë, minimizimin, eliminimin e të drejtës së votës, të drejtave të njerëzve, lidhjeve me korrupsionin, krimet, trafiqet.

Prandaj unë mendoj se parlamenti shqiptar, veçanërisht parlamenti shqiptar, ne që vijmë nga një diktaturë e tillë kaq e thellë, nuk mund të mos themi dy fjalë në mbështetje dhe në përshëndetje të këtij vendimi të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Unë ndjeva një kënaqësi të madhe të dëgjova gjithashtu dhe ambasadorin e pritshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që do vijë në Tiranë në Senatin, në Senatin Amerikan.

About Redaksia

Check Also

Tabaku: Balluku dhe ligjet e qeverisë vonuan procesin e integrimit në BE

Deputetja e PD, Jorida Tabaku tha sot për mediat para Parlamentit se procesi i integrimit …