Anëtari i departamentit ‘Brain Gain’, Marjan Geci, e cilësoi referendumin e së shtunës, një model të vërtetë qytetarie dhe dinjiteti, duke theksuar se qindra demokratë shprehën lirisht vullnetin e tyre.
Gjatë fjalës së tij në foltoren e ngritur para kryeministrisë, ai tha se propaganda e pushtetit është vënë në lëvizje dhe është ashpërsuar pikërisht nga frika e lirisë së qytetarëve për të votuar dhe për të zgjedhur alternativën e tyre.
“Një parti politike është vullneti i anëtarëve të saj edhe njëherë demokratët e shprehën lirisht vullnetin e tyre. Unë, përveç se anëtar i departamentit Brain Gain dhe anëtar i kryesisë në degën e Laprakës, kam qenë dhe pjesë e procesit zgjedhor ditën e shtunë. Dhe dua të them qartë që ishte një proces model. Qindra demokratë në degën tonë dolën e shprehën vullnetin e tyre me qytetari, me dinjitet dhe me përgjegjësi. Ne e dimë përgjegjësinë e votës dhe ndaj e vlerësojmë atë kur thirremi për ta shprehur. Kjo është ajo që propaganda nuk e duron dot. Nuk e duron dot faktin që ka njerëz të lirë, njerëz që votojnë, njerëz që shprehin vullnetin e tyre, qoftë për po e qoftë edhe për jo. Thonë se nuk kishte alternativë, por në fakt alternativa ishte aty, në fletën e votimit dhe në vetë lirinë e secilit demokrat për ta vendosur.
Po pse u atashua kaq shumë propaganda këto ditë? Sepse përballë nesh ne nuk kemi një parti normale politike. Kemi një grup pushteti e krimi që ka uzurpuar një parti, që funksionon pa zgjedhje të lira, pa debat, pa vullnetin e anëtarësisë dhe vetëm nën urdhrat, poshtërimin dhe denigrimin e një njeriu të vetëm. Natyrisht, ata nuk e kuptojnë dot që në Partinë Demokratike ka debat, ka mendim ndryshe, ka diskutim, por ka dhe një mision që na bashkon të gjithëve: çlirimin e Shqipërisë nga ky regjim. Natyrisht ne të gjithë do të duhet të punojmë shumë më fort dhe unë jam i bindur që ka një hapësirë për çdo demokrat për të dhënë kontributin e tij. Vetëm të gjithë bashkë mund t’ia dalim. Vendi ynë sot është në një pikë kritike.
Mbi 1.1 milionë shqiptarë janë larguar. Shtatë qarqe janë me lindshmëri negative. Familjet përballen me mjerim ekonomik, me arsim të dobësuar, me shëndetësi të rrënuar dhe me pasiguri për jetën e pronën. Dhe pastaj pyesin pse ikin njerëzit. Por ka ende një shpresë dhe kjo shpresë jemi ne. Propaganda do që ne të dorëzohemi, do që të heshtim, do që të largohemi nga hapësira publike për t’ia lënë Shqipërinë atyre që na kanë marrë peng. Por ne nuk dorëzohemi. Ne qëndrojmë, ne vazhdojmë përpjekjen tonë dhe unë jam i bindur që do fitojmë. Do t’ia dalim me vizionin tonë, me alternativën tonë dhe me besimin tonë për ta kthyer Shqipërinë në një vend normal. Në një vend ku qytetari respektohet, ku familja jeton me dinjitet, ku të rinjtë nuk detyrohen të largohen dhe ku Shqipëria do bëhet sërish shtëpia jonë”, u shpreh Geci.
Gazeta RD