Konferenca e tetë Ndërqeveritare (IGC) mes Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë do të mbahet sonte në Bruksel, duke shënuar një hap të ri në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë pasi vendi përmbushi kriteret e ndërmjetme për Grupkapitujt 1 “Themeloret”.
Në konferencë, BE-ja pritet të konfirmojë zyrtarisht se Shqipëria ka përmbushur kriteret e ndërmjetme në Kapitujt 23 dhe 24, që lidhen me gjyqësorin, të drejtat themelore, drejtësinë dhe sigurinë, duke i hapur rrugën kalimit në fazën tjetër të negociatave të anëtarësimit dhe nisjes së procesit për mbylljen e kapitujve negociues.
Ky zhvillim vjen pas miratimit javën e kaluar nga Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm (COREPER) të Pozicionit të Përbashkët të BE-së mbi raportin e vlerësimit të kritereve të ndërmjetme të Shqipërisë (IBAR).
Më herët, European Western Balkans raportoi se shtetet anëtare ishin pranë arritjes së një kompromisi për dokumentin pas diskutimeve brenda Grupit të Punës të Këshillit për Zgjerimin dhe Vendet që negociojnë anëtarësimin në BE (COELA).
Sipas metodologjisë së rishikuar të zgjerimit, asnjë kapitull negociues nuk mund të mbyllet para se një vend kandidat të përmbushë kriteret e ndërmjetme të Grupkapitujve 1, i cili mbulon reformat në sundimin e ligjit, institucionet demokratike dhe reformën në administratën publike.
Kështu, Shqipëria bëhet vetëm vendi i dytë kandidat, pas malit të Zi, që arrin në këtë fazë të procesit të anëtarësimit.
Pas vendimit të COREPER javën e kaluar, kryeministri Edi Rama deklaroi se konferenca “vulos me sukses fazën hyrëse dhe hap fazën përmbyllëse të negociatave të anëtarësimit”.
Gazeta RD