Divjaka nuk duhet të shkrihet! Shifrat dhe faktet janë në anën e banorëve

Nga Ylli ASLLANI

Pas ndërprerjes së njëanshme të aktivitetit të Komisionit për Reformën Territoriale, qeveria me shpejtësi ka hedhur për ‘konsultim’ një projekt, i cili në fakt duhej të ishte konsultuar më parë me qytetarët.
Kalimi nga 61 në 46 bashki ka ngjallur pakënaqësi në mbarë vendin! Qytetarët e mbetur ende në këto troje po përballen me pasojat traumatike të Reformës Administrative-Territoriale të vitit 2014!
Shuarja e strukturave të njësive vendore, si dhe largimi i rreth 450 mijë shqiptarëve ka tronditur sigurinë kombëtare.
Ky makth ka bërë që në Divjakë, kundërshtimi është kthyer në një revoltë qytetare të pazakontë.
Për më shumë se 40 ditë, banorë pa dallim bindjesh politike, së bashku me Këshillin Bashkiak, po kërkojnë të mos shkrihet bashkia e tyre.
Mesazhi i tyre është i qartë:
DIVJAKA DUHET TË MBETET BASHKI!
Kjo nuk është kërkesë për privilegje. Është kërkesë për të drejtën për të qeverisur vetveten, në përputhje me parimet kushtetuese dhe Kartën Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore.
Në një demokraci funksionale, kur ndryshohen kufijtë vendorë, qytetarët duhet të pyeten realisht. Ata nuk mund të jenë thjesht objekt i një vendimi administrativ.
Divjaka ka probleme reale me shërbimet, por ato nuk vijnë prej ekzistencës së bashkisë:
Ndaj mos e ndëshkoni Divjakën për problemet që vetë shteti nuk i ka zgjidhur!
Këto probleme nuk provojnë se bashkia duhet të zhduket. Përkundrazi, provojnë se ajo ka nevojë për më shumë investime, më shumë financim dhe më shumë kapacitete.
Nëse qeveria pretendon se shkrirja me Lushnjën do t’i përmirësojë shërbimet, atëherë le ta provojë me shifra, buxhet, investime, akses në shërbime dhe vullnetin e qytetarëve.
Divjaka ka 24.882 banorë, ndërsa Lushnja 63.135. Në vitin 2024, Divjaka kishte 5.570 fermerë aktivë, më shumë se gjysmën e numrit të Lushnjës, me 10.905 fermerë.
Këto shifra tregojnë peshën e jashtëzakonshme të bujqësisë në ekonominë e Divjakës.
Por edhe treguesit e shërbimeve janë një argument për investim, jo për shkrirje:
ujësjellësi mbulon 69% të qendrës, por vetëm 42% të periferisë;
kanalizimet mbulojnë 44% të qendrës, por vetëm 16% të periferisë;
mbulimi me shërbimin e mbetjeve është rreth 55%, kundrejt 76.5% në nivel kombëtar.
A janë këto shifra arsye për të fshirë Divjakën nga harta? Jo. Ato janë arsye për ta financuar dhe forcuar.
Problemi i Divjakës nuk është ekzistenca e bashkisë. Problemi është pamjaftueshmëria e fondeve qeveritar për nevojat e territorit.
Dhe duhet të kujtojmë një të vërtetë të thjeshtë: më shumë territor nuk do të thotë domosdoshmërisht më shumë eficiencë.
Eficienca matet me cilësinë e shërbimit, koston për njësi, investimin për banor dhe kohën që i duhet qytetarit për të marrë shërbimin.
Po Lushnja, a garanton zgjidhjen?
Edhe këtu kërkohen prova.
Në analizën e Qarkut Fier, kanalizimet në periferinë e Lushnjës rezultojnë vetëm 20%, kundrejt 54% në qendër.
Ndërkohë, në periudhën 2018–2020 janë dokumentuar 18 shkolla 9-vjeçare të mbyllura në Bashkinë Lushnjë, nga 31 mbyllje në të gjithë qarkun – ose 58% e totalit të dokumentuar.
Atëherë pyetja është e pashmangshme:
Nëse Lushnja nuk i ka zgjidhur ende plotësisht problemet brenda territorit që administron sot, ku është garancia se, duke marrë edhe 24.882 banorë të tjerë, shërbimet për Divjakën do të përmirësohen?
Divjaka nuk është bashki në falimentim!
Ky është një tjetër fakt që nuk mund të anashkalohet.
Sipas Raportit të Ministrisë së Financave për Statusin e Vështirësisë Financiare 2024, detyrimet e prapambetura të Bashkisë Divjakë ishin 38.77 milionë lekë, ose 7.47% e shpenzimeve faktike.
Pra, sipas këtij treguesi, Divjaka nuk klasifikohet si bashki në vështirësi financiare. Madje në vitin 2023 treguesi ishte vetëm 1.31%.
Pra, nuk kemi përpara një bashki që po shembet financiarisht dhe që kërkon shpëtim përmes shkrirjes.
Kemi një bashki me probleme reale zhvillimi dhe shërbimesh, e cila kërkon fuqizim, jo zhdukje.
Divjaka nuk është thjesht një numër në hartë
Divjaka ka një identitet të qartë ekonomik, territorial dhe mjedisor: bujqësinë, zonën bregdetare, turizmin, Parkun Kombëtar Divjakë–Karavasta, biodiversitetin, ujitjen, kullimin dhe infrastrukturën rurale.
Ky është një territor funksional që kërkon politika të integruara për bujqësinë, turizmin, mjedisin, ujërat dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Divjaka duhet të bëhet qendër e një politike zhvillimi, jo periferi e një harte të re administrative.
Jo shkrirje, por bashkëpunim me Lushnjën
Ekziston një alternativë shumë më racionale: Divjaka dhe Lushnja mund të bashkëpunojnë pa u shkrirë.
Mund të krijojnë shërbime të përbashkëta aty ku ka ekonomi shkalle; të bashkëpunojnë për mbetjet, turizmin, infrastrukturën, bujqësinë dhe projektet e zhvillimit rajonal.
Bashkëpunimi nuk kërkon domosdoshmërisht shkrirje administrative.
Ekspertiza jonë propozon ruajtjen e Divjakës, forcimin e saj financiar dhe administrativ dhe marrëveshje funksionale me Lushnjën, Fierin e Rrogozhinën për shërbime të caktuara.
Qeveria duhet t’u përgjigjet qytetarëve
Nëse kërkohet shkrirja e Divjakës, qeveria duhet të japë përgjigje konkrete:
Sa do të përfitojë qytetari? Sa kilometra do të udhëtojë më pak ai për të marrë shërbime?
Kush do të jenë përfaqësuesit e qytetarëve në Divjakë?
Sa do të rriten investimet për banor? Sa do të ulet kostoja e administrimit?
Sa do të investohet në ujësjellës e kanalizime? Sa në rrugët rurale, ujitje e kullim?
Sa në turizëm dhe në mbrojtjen e Parkut Divjakë–Karavasta?
Dhe mbi të gjitha: Çfarë fiton konkretisht qytetari i Divjakës nga shkrirja?
Nëse këtyre pyetjeve nuk u jepet një përgjigje e matshme, atëherë nuk kemi një argument për shkrirjen.
Kemi vetëm një propozim politik për ndryshimin e hartës.
DIVJAKA NUK KËRKON FAVORE. KËRKON TË DREJTËN PËR TË QEVERISUR VETEN.
Mbrojtja e Bashkisë Divjakë nuk është mbrojtje e një administrate për hir të administratës. Është mbrojtje e qytetarit, territorit, demokracisë lokale dhe të drejtës për të pasur qeverisjen pranë vendit ku jeton.
Mos e hiqni nga harta një bashki sepse ka nevojë për investime.
Para se ta shkrini, investoni në të. Forcojeni. Jepini fonde. Jepini përgjegjësi.
Ose, së paku, transferojini bashkive burime reale si gjithë Europa, jo vetëm rreth 1%, por të paktën 3% të PBB-së – dhe pastaj matni eficiencën e tyre.
Sepse një reformë territoriale nuk është e suksesshme thjesht sepse ka më pak bashki.
Ajo është e suksesshme vetëm kur qytetari merr:
më shumë shërbime, më shpejt, më afër dhe me kosto më të ulët.
Prandaj:
DIVJAKA DUHET TË MBETET BASHKI!
Jo për të mbrojtur një administratë.
Por për të mbrojtur qytetarin, territorin dhe të drejtën e tij për t’u qeverisur pranë vendit ku jeton.
Zëri i 24.882 banorëve të Divjakës duhet të dëgjohet dhe të respektohet.

May be an image of overcoatMay be an image of one or more people, crowd and textMay be an image of one or more people and textMund të jetë një imazh i teksti që thotë "SUFLLAQET NA MBYLLÊN NGRTHO NA DSPREKNİ NDIQNI SUPORTONI IYJAKEN FJALENE E LIRE Territorialja ndez bashkitë e vogla: Divjaka ne natën e gjashtë e tebo protestës, Fushë-Arrëza Arrëza Fushë- thërret tubim e premten"

About Redaksia

Check Also

Kamza do të çlirohet shumë shpejt nga dyshja Balla-Suli!

Nga Marash LOGU Drejtuesi politik i Partisë Socialiste, Taulant Balla dhe kryetari i Bashkisë Kamëz, …