Eglantina Balli: Procesi i ripërtëritjes tashmë ka hyrë në një fazë konkrete!

Në Foltoren e Ripërtëritjes së Partisë Demokratike në Korçë, kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas, Eglantina Balli, denoncoi problematikat me të cilat, sipas saj, përballet Shqipëria, duke përmendur dobësimin e institucioneve demokratike, kontrollin parlamentar, pluralizmin politik, zgjedhjet dhe decentralizimin.

Në prani të kreut të PD, Sali Berisha, Balli tha se vendi ndodhet përballë kontrastit mes procesit të integrimit europian dhe problematikave të brendshme.

Ajo përmendi gjithashtu “narkoshtetin”, shpopullimin, intimidimin dhe klientelizmin si sfida me të cilat është përballur Partia Demokratike, ndërsa kërkoi që procesi i ripërtëritjes të shkojë përtej ndryshimit të strukturave.

Eglantina Balli: Është në një moment që kërkon jo vetëm pasion politik, por mbi të gjitha kthjelltësi, analizë dhe përgjegjësi. Shqipëria ndodhet sot përballë një kontradikte të rëndësishme. Nga njëra anë vendi duhet të bëjë hapa të rëndësishëm në procesin e integrimit europian, nga ana tjetër institucionet demokratike, kontrolli parlamentar, pluralizmi politik, zgjedhjet dhe decentralizimi vazhdojnë të jenë fusha ku kërkohet përmirësim.

Partia Demokratike ka kaluar sfida të rëndësishme, e ndodhur përballë agresionit të narkoshtetit, burgosjes së liderit të saj, shpopullimit, intimidimit, klientelizmit, dhe ndodhet sot në procesin e ripërtëritjes dhe rivitalizimit. Dhe vjen te çështja më e rëndësishme për ne. Për çfarë PD-je duhet të ndërtojmë?

Procesi i ripërtëritjes tashmë ka hyrë në një fazë konkrete. Në korrik u zgjodh kryesia e re e Partisë Demokratike. Sipas të dhënave të publikuara, 60% e saj janë gra, vajza dhe të rinj nën 35 vjeç. Ndërsa 14 nga 20 anëtarët e zgjedhur hyjnë në proces për zgjedhje në kryesi. Në gusht u prezantua gjithashtu një platformë për modernizimin dhe digjitalizimin e organizimit të procesit nga Partia Demokratike e Shqipërisë.

Ky është një fillim, por sfida e vërtetë që ripërtëritja të mos mbetet vetëm ndryshim emrash apo strukturash. Ripërtëritje do të thotë: të krijosh struktura që funksionojnë gjatë gjithë vitit dhe jo vetëm në fushata, të ketë më shumë hapësirë për profesionistët dhe të rinjtë. Të forcohet demokracia e brendshme dhe komunikimi me anëtarësinë. Të ndërtohet një proces alternativ qeverisës, i mbështetur mbi programe konkrete.

Të lidhet opozita më shumë me problemet reale të qytetarëve, dhe mbi të gjitha të krijohet një kulturë ku përgjegjësia politike shoqërohet me llogaridhënie. Partia Demokratike ka nevojë të jetë një parti që jo vetëm kundërshton qeverinë, por që qytetari mund ta perceptojë si qeverisje alternative.

Sot Shqipëria ka… sot, më falni, sot Shqipëria ka nevojë për një opozitë të fortë në parlament. Ky proces kërkon që energjia e demokratëve të Korçës e të gjithë Shqipërisë të kthehet në ide, alternativa, organizim dhe punë konkrete.

Në fund mendoj se mesazhi më i rëndësishëm për këtë proces është i thjeshtë: ripërtëritja nuk është vetëm një proces ndryshimi, është ndryshimi i mënyrës sesi partia dëgjon qytetarin në proceset e vendimmarrjes dhe mënyrën si përgatitet për të qeverisur.

Nëse procesi për Shqipërinë e së ardhmes lidhet me demokracinë, ekonominë, Europën, pushtetin vendor dhe mirëqenien e qytetarëve, atëherë dhe Partia Demokratike do të ndërtojë alternativën e saj pikërisht mbi këto çështje. Faleminderit dhe suksese, suksese të gjithë demokratëve.

About Redaksia

Check Also

Protesta e 125-të/ Policia e Shtetit, nëse jeni burra, arrestoni Belinda Ballukun dhe Edi Ramën!

Thirrjet kundër Edi Ramës dhe Belinda Ballukut kanë shoqëruar edhe protestën e 125-të para Kryeministrisë. …