16 nëntor 1944/ Masakra komuniste ndaj intelektualëve dhe patriotëve te Tiranës

Shkëlqim Hysaj Lepenica
Më 16 nëntor 1944, Tirana ra nën kontrollin e forcave komuniste. Por bashkë me largimin e pushtuesve nazistë, Shqipëria nuk fitoi lirinë e shumëpritur. Një pushtim tjetër, këtë herë ideologjik dhe politik, po vendoste themelet e një prej diktaturave më të egra në Evropë.
Në ditët e fundit të tetorit dhe gjatë nëntorit 1944, komunistët kishin nisur një fushatë të përgjakshme eliminimi të intelektualëve, patriotëve, personaliteteve të kulturës, ushtarakëve dhe qytetarëve që nuk pranonin nënshtrimin ndaj ideologjisë komuniste.
Arrestimet, torturat dhe pushkatimet pa gjyq, përfshirë masakrën e Hotel Bristol, nuk ishin episode të shkëputura. Ishin pjesë e një strategjie të mirëfilltë terrori për të asgjësuar çdo kundërshtar dhe për të shuar çdo alternativë politike për Shqipërinë.
Komunistët nuk po luftonin vetëm kundërshtarët e tyre politikë. Ata po godisnin vetë elitën kombëtare, njerëzit e shkolluar, patriotët, intelektualët dhe përfaqësuesit e një Shqipërie që nuk e shihnin të ardhmen e saj nën diktatin e Moskës dhe të ideologjisë bolshevike.
Kjo ishte fytyra e vërtetë e marrjes së pushtetit, jo çlirim i shqiptarëve, por fillimi i nënshtrimit të tyre, jo demokraci, por eliminim i pluralizmit, jo drejtësi, por terror dhe hakmarrje politike.
Pas kësaj do të vinin 46 vite burgje, pushkatime, internime, konfiskime pronash, persekutim fetar dhe shkatërrim i çdo lirie njerëzore.
Sot më 16 nëntor nuk kujtojmë vetëm pushtimin nga komunistët të Tiranës. Kujtojmë fillimin e një pushtimi që do t’i kushtonte kombit shqiptar mijëra jetë njerëzish, dhjetëra mijëra familje të persekutuara dhe gjysmë shekulli liri të mohuar.
Historia nuk duhet shkruar nga fitimtarët e një lufte, por nga e vërteta e viktimave të saj.
Nderim për intelektualët dhe patriotët e vrarë! Përbuzje për diktaturën dhe krimet e saj!
Kujtesa është detyrim kombëtar. Harresa është padrejtësi ndaj viktimave.

About Krye Redaktor

Check Also

17 Nëntori, festa e pushtimit komunist në emër të çlirimit!

Shkëlqim Lepenica Është një provokim i rëndë ndaj kujtesës kombëtare dhe dinjitetit të mijëra viktimave …