Halil RAMA – Mjeshtër i Madh
Shkodra, metropoli i Shqipërisë së Veriut, e cilësuar nga përsonalitete si “djepi i kulturës shqiptare”, pasi këtu arti dhe kultura kanë shtëpinë e vet, do të ishte frymëzimi i shkrimtarit Flamur Buçpapaj për romanin e tij të ri “Doktoresha”. Pikërisht nga ky qytet, i njohur për qëndresën antikomuniste, ku kaloi një pjesë të konsiderueshme të rinisë së tij, autori F.Buçpapaj, si një nga drejtuesit e Lëvizjes Studentore ’90, do të skedonte ngjarjet dhe personazhet. I fokusuar tek genocidi i pashëmbullt që sistemi komunist ushtroi ndaj elitës shkodrane, autori ka skalitur mjeshtërisht profilet e personazheve kryesorë, dy profesorë të diplomuar në Austri dhe vajzës së njërit prej tyre “doktoreshë Zanës”, duke i dhënë lexuesit një roman mjaftë tërheqës.
Eliminimi, denigrimi dhe shpërfillja e elitës
Në Shkodër, ku elita intelektuale gjatë regjimit komunist është burgosur dhe pushkatuar, dy profesorët e nderuar Martini dhe Leka, vuajnë brengën e eleminimit e denigrimit të ish shokëve e miqve të mbetur si dhe shpërfilljuen e tyre nga të pashkollët që kishin marrë frenat e pushtetit. Pikërisht nga këtu nis subjekti i këtij romani. Ata janë dy aristokratë që arrijnë t’i mbijetojnë sistemit, falë aftësive të tyre, si të pazëvendësueshm: Martini në bankën e qytetit dhe Leka, ndër profesorët më të aftë të gjimnazit dhe të institutit dy vjeçar. Autori jep detaje nga takimet e shumta të dy miqve të pandarë që nga fëmijëria, shkollimi, si ish studentë të shkëlqyer në Graz të Austrisë (Martini për financë dhe Leka për matematikë). Madje pikërisht nga këto takime ai ndërton dialogje që të mbeten në mendje.
“Ka mbrritur antikrishti… Dhe është mallkimi i Zotit mbi Shqipërinë tonë sa një pëllëmbë… Kush ka mbaruar jashtë, ose dënohet, ose internohet. Këta i përmbysën të gjitha dhe tani jemi kolektiv. S‘ka fe, familje, atdhe… Këta janë masonë, janë vëllazëri ujqërish…”. Këto janë në thelb bisedat që zhvillohen në fshtësi mes dy profesorëve, që autori i vendos nëpër kafene të ndryshme të Shkodrës, për t’iu ruajtur zbulimit nga ish Sigurimi. Është koha kur janë dënuar me pushkatime e burgim priftërinjtë e Shkodrës dhe i njejti fat i priste edhe ata që zbuloheshin ose etiketoheshin si anti parti. Gjithsesi, gjithkush rreth e rrotull tyre do të habitej me mënyrën e të sjellurit prej aristokratësh. Në këtë kontekst autori evidenton zakonin aristokrat sipas të cilit në Shkodër e pinin kafenë ngadalë dhe duke bërë muhabet, zakon ky i aristokracisë shodrane, e cila për qytetari kishte emër të mirë. Kësisoj do vepronte edhe Martini që kishte trashëguar shumë prona, toka dyqane dhe sjelljen dhe moralin e një njeriu të madh me origjinë dhe prejardhje fisnike shkodrane.
Ishte bërë zakon, që për disa vite këta burra të mëdhenj të qytetit nuk i ndaheshin njëri tjetrit. Pasi çakërronin gotat, si shkodranë puro, dy profesorët e vërtisnin bisedën tek rreziku i zhdukjes së tyre si klasë.
“Kam pasur plot dyqint veta në punë dhe, një ditë s’ua kam vonuar rrogat. Ku i kam shtypur ata? Unë dhe familja ime veç të mira u kemi bërë. Për Zotin i kam ndihmuar këta qafirët e pafe. Po kush e dinte se do bëjnë genocid morracakët…Ua kam falur rrobat e mia të trupit, se më ka ardhur keq, se si shqiptar kam thënë: Hajt t‘i ndihmoj me u çliruar nga fashizmi. Po kush e dinte se këta janë më të këqinj?”. Mjafton qoftë dhe ky perifrazim nga romani, në një prej bisedave mes dy profesorëve, për të kuptuar bagazhin, por dhe artin e të shkruarit nga autori Buçpapaj. Dhe nuk ngelet thjeshtë tek pesimizmi, por mbijetesën e personazheve të tij e vesh edhe me petkun e optimizmit kur vë në gojën e Martinit se: “Dhe vërtetë na i kanë konfiskuar pronat, por do të vijë dhe dita jonë, do të paguajnë për këto padrejtësi…Janë çuar këmbët me i rënë kokës…veç këtu ka ndodhur. Por besoj te Zoti dhe te Amerika që s’do ti lejë gjatë…”.
Autori ka meritën e përcjelljes tek lexuesi të mesazhit se ishin pikërisht të shkolluarit jashtë që ndikuan në ruajtjen e atyre pak institucuioneve të domosdoshme edhe për atë sistem, falë aftësive të tyre profesionale. Kështu, Martini, që për t’i shpëtuar ndëshkimit kishte divorcuar dhe përcjellë për në Itali bashkëshorten e parë italiane, do të ishte i vetmi specialist që do të “riparonte” gabimet e pallogaritshme të të pashkollëve të punësuar në Bankën kryesore të qytetit. Ndërkohë nuk do të nguronte që në bashkëbisedimet e fshehta me profesor Lekën të shfaqte pasigurinë: “se kjo shoqëri e kafshëruar komplet s‘do të mbijetojë, sepse do të përhapet më shumë imoraliteti, homosksualizmi, sëmundjet ngjitëse, tradhtia bashkshortore, degjenerimi i familjes e cila shthuret dhe nuk përmban njësinë themelore të shoqërisë, por shthurje totale…”.
Koha kur lavazhi i trurit kishte marrë përmasa gjigande
Për genocidin e pashembullt komunist në Shqipëri janë shkruar disa romane, novela e tregime, por Flamur Buçpapaj ka meritën se artistikisht jep pasojat e pallogaritshme të atij sistemi që solli mjerim dhe varfëri të tejkajshme. Duke sjellë në faqet e romanit realitetin e trishtë të afro gjysmëshekulli të sundimit komunist, ai qëllimisht i kundërve klasës sunduese mendimin progresit të dy profesorëve aristokratë. Ndaj jo pa qëllim ai vë në gojën e tyre argumentin dhe bindjen se “Nuk mund të mbijetojë një ekonomi kaq e vogël, duke u bazuar në forcat e veta, sepse s ‘ka treg, s ‘ka ofertë, s ‘ka para në qarkullim, se fuqia blerëse është shumë e vogël…janë copa kafshësh me dy sy…”. Dhe po në këtë kontekst, me gjuhë të pasur e mjete shprehëse interesante autori evidenton pasojat e pallogaritshme që sollën eksperimentet bajate me kolektivizimin e bujqësisë, arëzat e tufëzat që varfëruan skajshëm fshatarin shqiptar të atyre viteve. Dhe të gjitha këto bëheshin në emër të krijimit të të ashtuauajtur “Njeriu i ri”.
Dështimin e atij sistemi autori e argumenton edhe me infrastruturën e rëndomtë, ku jo pa qëllim vë në gojën e njërit prej personazheve konkluzionin se: “Ka thuajse njëzet vjet pushtet popullor dhe rrugët e Shkodrës janë krejt gropa. Futu në lagje, të mbyt pisllëku, pallate me punë vullnetare ngrihen si shëmti..”.
Për të qenë sa më bindës në artikulimin e atij realiteti trishtues, autori sjell në vëmendjen e lexuesit në një nga dialogjet mes profesorëve, konkluzionin e tyre se: “Njeriun e ri po e rritin të mangët nga truri dhe, kur të vijë koha të udhëheqin këta të rinjtë e sotëm, kush e di se ç ‘do të bëjnë? Gjynah për Zotin, për këtë vend, për këta njerëz që po shkojnë me kaq vrull drejt kolektivizimit, bile do të vijë koha që dhe gratë t‘i kemi bashkë…!”. Për të përligjur faktin se ai sistem sillte vetëm varfëri dhe sundim nga i pashkolluari dhe i ligu, autori bën analogji me fqinjët për rreth, si për shembull me Malin e Zi, ku kishte zhvillim intensiv të turizmit dhe në tërë ish-Jugosllavinë ku sistemi i vetëadministrit qe favorit për fshatarët dhe kur pasaporta e qytetarëve jugosllavë ishte aq e vlefshme sa me të mund të emigroje lirshëm ku të doje, deri edhe në Amerikë. Në kohën që tregtarët shkodranë i njihte gjithë bota, në Shqipëri eksperimentohej fenomeni i lavazhit të trurit i cili kishte marrë përmasa gjigande.
“Dikur thonim ‘për atë Zot në qiell’, sot thuhet ‘për ideal të Partisë’. Dialogu me budallenjtë është si t‘biesh oqeanit me not, ose të nisesh për në hënë me këmbë”, do të shprehej pefesor Leka në njërën nga bisedat me Martinin.
Në këtë roman të llojit e stilit të veçantë, koha e sistemit makabër jepet edhe me detaje jetësore, si për shembull gjatë aktivitetitët të profesor Martinit në bankën e qytetit ku: “…vjen dhe të bëhet shef, të mëson, të jep leksione partie një i paaftë, që s‘di as tabelën e shumëzimit… Fodullë janë, por bishtin përpjetë. S‘kanë idenë për çfarë janë në punë, thjeshtë marrin rrogën. S‘dinë të bëjnë bilanc, s‘dinë të caktojnë fitimin, s‘dinë të gjejnë fitimin bruto, as neto të një ndëmarrje… Këta të çnderojnë, të bëjnë prostitutë, të hedhin në plehra dhe njëkohësisht, një punëtore fabrike e bëjnë drejtoreshë kombinati… Kjo është panorama e këtyre lugetërive…”.
“Doktoresha, personazhi kryesor i romanit
Doktoreshë Zana, është padyshim personazhi më i spikatur i këtij romani. Ajo është vajza e profesor Martinit, e cila nga autori përshkruhet si një bukuri e rrallë, trupgjatë, syzezë, me tipare si të bëra me dorë… Dhe pikërisht nisur nga këto tipare, profesor Martinit që e ka dobësi, i duket se i ngjet motrës së tij.
“Zana është bukuri përrallore…Është një fëmijë i mirë.. E ka bërë Zoti engjëll…Vetëm studjon. Është tipike raca ime, krenare, e bukur dhe e zgjuar…”,- kështu e profilizon autori këtë krijesë të magjishme, gjithnjë në gojën e babait të saj, që vuan brengën se ajo herë pas here çalon në njërën këmbë.
Ndonëse bijë e një aristokrati që survejohej për t’u burgosur apo internuar, Zana, përshkruhet si një student ekselente në mjekësi, ndërkohë ishte shumë e bukur, po bukurisë së saj i ishte shtuar dhe vlera e zgjuarsisë dhe ndershmërisë. Sa herë vinte në qytet nga Tirana ku studjonte, gjithë rruga mbushej, duke e parë sa e bukur, e gjatë dhe e mencur ishte ajo krijesë që fatkeqsisht kishte filluar të çalonte. Ndaj dhe babai i saj, Martini herë pas herë shpreh shqetësimin se çalimi do t’i shtohej nëse nuk bëhej ndërhyrje kirurgjikale jashtë Shqipërisë, sepse këtu nuk kishte aparatura dhe doktorë të specializuar për të sëmundje të tillë, të pashfaqur deri tani…. Dhe duke vijuar në përvijimin e tipareve të bukurisë së kësaj “zane”, autori vë në gojën e babait të saj dashurinë e pakufishme për të: “Unë e dua Zanën time…jap jetën për të. Zoti e ka qëndisur me dorë. Ajo është krijesë mistike, e zgjuar, e bukur, njeriu më i mirë në tokë. Zoti e krijoi dhe e solli tek ne… Një vajzë simpatike, e gjatë dhe gjithë dhjeta në mësime. Çdokush do të habitej nga gërshetimi i bukurisë me inteligjencën. Një kompozim i rrallë që vështirë të përsëritet më…”
Duke vazhduar në këtë linjë autori e konsideron Shkodrën një qytet që e ka fat një vajzë të bukur si në legjenda ose përralla, ku bukuria triumfon bashkë me dashurinë…një vajzë që lufton për dashurinë dhe përparimin në qytetin e saj…Zana ose vajza e bukur doktoreshë që pas Razfës është legjenda e dytë e qytetit. Pikërisht evidentimi dhe përshkrimi mjeshtëror i ngjarjeve kulminante në jetën e Zanës i japin dimensionin shumvlerësh romanit “Doktoresha”. Sepse ajo, nga një student ekselente, kur vjen të bëjë praktikën në spitalin e Shkodrës do të bëhet protagoniste e ndryshimit rrënjësor të këtij institicioni. Ndaj dhe “Zana doktoresha, i thonin që tani në qytet…Emri i saj po përhapej kudo si me magji…Dikush bënte dhjetë herë xhiro vetëm për ta parë…”.
Trilli i autorit është mjaft tërheqës kur këtë perëndeshë të bukurisë, jashtë vullnetit të babait që e kishte porositur të dashurohej me një djalë larg influencave partiake, pa pritur e përshkruan si të dashuruar marrëzisht me djalin e vetëm ‘kadet’ të ish kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Shkodrës.
“Si është kështu puna e fëmijëve? I rrit, i shkollon dhe, vjen një ditë, ikin secili në drejtime të ndryshme, secili për luftën e vet ekzistenciale”!. Kësisoj e përshkruan autori qëndrimin meditativ të profesor Martinit, të cilit “Sytë i xixëllonin përherë para fëmijvë të tij. Ajsbergu i dhimbjes nuk dukej kurrë. Ai fshihej poshtë në oqeanin e dhimbjes së tij të përditshme”. Ndaj dhe Adriana, gruaja e tij (e dytë) mësuese, e donte me shpirt, sepse Martini ishte shembull për këtë famlje. I përkushtohej që Ai të ishte i lirë në punën e tij shkencore dhe politike.
Në fantazinë e autorit, nuk është thjeshtë një akt dashurie dhe kurorëzimi në fejesë i tyre, por dhe ndikimi i Zanës tek i dashuri që ai të kuptonte pasojat e atij sistemi, që gjithsesi do të dështonte. Madje, jo vetëm kaq, por pikërisht në këtë linjë F.Buçpapaj di të përveçojë edhe faktin se edhe në atë sistem kishte kuadro deri funksionarë të lartë, si ish kryetari i Komitetit Ekzekutiv apo ish Drejtori i Bankës, që ndonëse të indoktrinuar, kishin krijuar bindje në moseifiçencën dhe fundin e dështuar të atij sistemi.
KONCEPTET BASHKOHORE PËR DASHURINË
Ndryshe nga dhjetra autorë që dashurinë e identifikojnë me erotizmin, F.Buçpapaj nuk nguron që në këtë roman të shpalosë konceptet bashkkohore. Kështu, përballë hezitimit të profesor Martinit për ta fejuar doktoreshë Zanën me djalin e një funksionari të lartë komunist, ai i referohet përvojës jetësore, sipas së cilës s’ka gjë që ndalon një dashuri, qoftë baballarët apo nënat. Gjithsesei edhe në këtë rast nuk lë jashtë kontekstit shqetësimin prindëror se “Të rinjtë s‘duan t’ia dijnë për pasojat e dashurisë, s‘ia dijnë rëndësinë humbjes fare.” Dhe po në linjën e koncepteve bashkkohore për dashurinë autori shkruan se “Dashuria është si sëmundja e kolerës që përhapet në ajër dhe s‘ke asnjë mundësi shpëtimi, sepse s’rri dot pa ajër dhe pa oksigjen. Nëse fëmija dashuron, s ‘ka rrugë tjetër veç ti thuash “urime”. Këto koncepte F.Buçpapaj i përçon tek lexuesi, duke i vënë thjeshtë dhe bukur, herë në gojën e professor Martinit dhe herë në atë të fejuarit të doktoreshë Zanës, Ditmarit, djalit të ish kryetarit të komitetit… Le të perifrazojmë disa fragmente kur autori shpreh filozofinë e tij për dashurinë:
“Askush s’e ndalon dritën e diellit dhe lidhjen e të dashuruarve të bashkohen bashkë. Është më keq se tërmeti dhe vuajtjet më të mëdha në tortura…Dashuria është e vetmja forcë që depërton kudo në hapësirën e lirë…Kur dy veta dashurohen, ata për njëri – tjetrin janë gjithshka… Dashuria është si drita e hënës që i merr hua rrezet e diellit natën për të ndricuar tokën. Dashurinë dhe diellin asgjë s’i ndalon dot të bien mbi tokë. Është dhe në Bibël: Njerëzit që dashurojnë janë pranë Zotit dhe Zoti ua ka hapur derën për në shtëpinë e tij diku lart në qiell, në pafundësi….”.
Madje, jo pa qëllim autori e “vetësakrifikon” të fejuarin e Zanës në emër të dashurisë, i cili pasi i kanë pushkatuar babain (ish kryetarin e Komitetit, ku si edhe në dhjetra raste kuçdra ha bijtë e vetë) kryen aktin e guximshëm të minimit dhe hedhjes në erë të godinës së ish Komitetit të Partisë, dhe vetëvritet pasi i ka shprehur doktoreshë Zanës dashurinë e përjetshme edhe në botën e përtejme… Ndërsa ajo do të qëndrojë stoike edhe kur e denigrojnë, duke e transferuar si infermiere në një fshat të largët të Shkodrës.
KOHERENCA ME REALITETIN OBJEKTIV
Ndonëse ngjarjet dhe personazhet u përkasin viteve 60-70 të shekullit të kaluar kur në Shqipëri u instalua sistemi monist, autori F.Buçpapaj ka meritën e artikulimit të tyre në koherencë me realitetin objektiv. Kështu, jo pa qëllim ai vë në gojën e prof.Martinit konkluzionin se “Edhe po iku komunizmi s’ia vlen më, sepse trendi është që të jenë prapë këta. Se atdheu është i këtyre dhe janë mjeshtra manipulimi…Po erdhi Amerika, këta do të fitojnë prapë. Do të thonë, i tillë ishte regjimi. Ne jemi me Ju. Dhe ne që u dënuam për Amerikën, prapë do jemi në opozitë…(fq.188). Po nën këtë optikë e sheh dhe transmeton ai edhe konceptin e luftës për ekzistencë që sipas tij është gjithmonë lufta më e tmerrshme se çdo llojë beteje frontale. Kjo për faktin se lufta për ekzistencë i kalon dhe kufijtë e gjakut. Dhe ndonëse artikulon një ish – sekretar partie të kohës së monizmit, ai aludon edhe për ndonjë shpirtkatran tillë të kohës që jetojmë, të clin “Zoti e ka lënë pa fëmijë se është zemërkeq dhe ka qejf t‘bëjë njerëzit të vuajnë… Mendoj se është impotent…sepse njerëzit me çrregullime seksuale janë agresivë dhe të padurushëm. Impotenca sjell edhe mosbindje të trurit ndaj organeve tjera jëtore. Ata janë më vrasës se homoseksualët, më krinelë se serbët…janë shtuar shumë…janë të sëmurë dhe s‘kanë shërim…gjaku nuk u qarkullon mirë në tru dhe lind defiçenca ose çmenduria relative sa vjen e shtohet”.
Ndaj dhe i mëshon familjes që qëndron në themel, si baza e ekzistencës së botës së qytetëruar. Kësisoj, Flamur Buçpapaj, (që me këtë roman prezantohet edhe si njohës perfekt i shkencave ekzakte dhe i historisë si në rastin e historikut të spitalit të Shkodrës), pas botimeve të romanit “Martesa e dytë”, vëllimit me tregime “Shiritat”, tre dramave për kukulla dhe studimit “E kaluara morfo-arkeologjike e rrethit të Tropojës, qyteza iliore e rosujës”, si edhe dy vëllezërit e tij Skënderi e Mujo – poetë, studjues e analistë, ndër më të mirër në rang kombëtar, hyn me dinjite në fondin e artë të letrave shqipe.